Gjatë vizitës në Berlin, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kanë zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Federale, Dieter Romann.
Në fokus të takimit ka qenë përmirësimi i bashkëpunimit të forcave të policisë mes dy vendeve.
Gjithashtu, në këtë takim u fol lidhur me migracionin e paligjshëm dhe problemet me të cilat po përballet Policia e Shtetit në menaxhimin e kësaj situate. Për këtë çështje, shtoi ministri Xhafaj, kam diskutuar edhe me Komisionerin e BE-së, Avramopoulos dhe kam kërkuar mbështetje financiare dhe logjistike nga Brukseli.
Duke marrë në konsideratë origjinën e flukseve migratore dhe rrugën që ndiqet për të depërtuar në vendet e BE-së, palët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor në menaxhimin e këtyre flukseve.
Romann u shpreh se përballimi i situatës që lidhet me migracionin është detyrë parësore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë Federale, kjo edhe e lidhur me mungesën e informacionit nga vendet e origjinës, vështirësisë në identifikimin e individëve, apo problematika të sigurisë që shoqërojnë këtë fenomen.
Lidhur me këtë çështje, Drejtori Ardi Veliu u ndal tek masat që ka ndërmarrë Policia e Shtetit, veçanërisht ajo kufitare për një menaxhim të regjimit të kufirit.
Ai u ndal po ashtu, edhe në mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të nevojshme për përballimin e situatave të tilla. Veliu falënderoi Policinë Federale për ndihmën që i ka ofruar Policisë së Shtetit.