KULTURË

Kthimi i të humburve në familjet tona

12:55 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gentiana Sula* – Hidhet një hap i rëndësishëm duke ndërmarrë këtë angazhim qeveritar për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve apo të humburve të diktaturës. Shteti po merr përgjegjsitë e veta. Po merr nga pak tipare më njerëzore. Rreth 6,000 qytetarë, të ekzekutuar me apo pa gjyq, ose të vdekur burgjeve, nuk mundën të ktheheshin në shtëpi, në mënyrën më çnjerëzore. Mes tyre ka figura të shquara dhe njerëz të thjeshtë. Në cilësinë e familjares së një personi të zhdukur prej vitit 1952 dëshmoj se prej disa dhjetëvjeçarësh jemi përpjekur të bëjmë diçka për eshtrat e gjyshit nuk munda ta njoh. Sulejman Mara vdiq në rrethana të paqarta dhe humbi në burgun e Burrelit, në moshën 44-vjeçare. Baba i 5 fëmijëve. Qytetar i respektuar në bashkësinë e tij. Emri i tij nuk figuronte si i humbur në librat e shtetit.




Prokuroria e rrethit Burrel nuk hapi ndonjë proces për kërkimin e tij. Në përpjekje për të bërë diçka për t’i vënë në vend dinjitetin, mësova me dhimbje se vendvarrimet e tilla ishin shpesh të pashenjuara, apo edhe të tjetërsuara në ndërtesa apo ngrehina të tjera si psh., fushë sporti (rasti i Burrelit). Ishim pajtuar mbase me faktin se shteti s’kishte mjete për të bërë një kërkim të tillë në mënyrë efikase sepse analizat e ADN-së ishin të kushtueshme, por mosrespektimi i vendvarrimeve të njohura si të tilla më dukej shumë i rëndë. Ndihem kokulur që dinjiteti i tij sot është ende i nëpërkëmbur. Ndihem ende e dhunuar sot, ashtu si Aldo Terrusi, i biri i drejtorit të Bankës Italiane të viteve të pasluftës, i cili pati të njëjtin fat si im gjysh, në të njëjtin vend. Për këtë arsye, ende vazhdojmë përpjekjet prej njerëzish të lirë të kërkojmë që shteti të bëjë detyrat e veta. Sfida të tjera do të vijojnë me hapjen e këtij procesi, por si qytetare e këtij vendi demokratik është e rëndësishme për mua dhe më bën të ndihem më e lirë dhe e respektuar fakti që shoqëria dhe shteti shqiptar, më në fund e njohin këtë problematikë, e trajtojnë në disa plane dhe marrin përsipër të trajtojnë njerëzisht viktimën pa varr dhe pasardhësit e saj. Kurse në cilësinë e politikëbërëses publike, detyrën e mora në vitin 2014 kur mbaja detyrën e zv.ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky pozicion më dha mundësinë të avancoja agjendën e vështirë për këtë proces.

Raportet e Komitetit të Zhdukjeve me Forcë të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 2018 përmendin çështjen e të zhdukurve të komunizmit. Mes tyre, i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, të cilin e kryesoj që nga fillimi i 2017-ës. Përparësi dhe kujdes i posaçëm i është kushtuar nga ana e legjislatorit dhënies të së drejtës për akses, mbi bazë kërkese në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe vënia në dispozicion e dublikatave të tyre, duke përcaktuar rendin ligjor të personave që përfitojnë nga kjo e drejtë dhe të të afërmve të tyre, në funksion të qartësimit të fatit të të vdekurve apo të të zhdukurve, për rehabilitimin, për ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve. Për kërkesat e paraqitura nga gjykatat, prokuroritë ose Policia Gjyqësore, për efekt të një procedimi penal të regjistruar, Autoriteti kryen verifikimet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, dhe në çdo rast, vepron në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në fuqi.

TË DENJË MES NJEREZVE
Numri i kërkesave që kanë të bëjnë me persona të zhdukur në AIDSSH e ka kaluar 40 dhe rritet ditë pas dite. Kjo lidhet me besimin në rritje të familjarëve të të zhdukurve për të drejtën e tyre njerëzore për të kërkuar vendprehjen e të ekzekutuarve pa gjyq, e të zhdukurve në rrethana të paqarta, traumë që familja e ka mbartur për vite të tëra dhe ka mbetur e patrajtuar. Shpreh nderimin tim më të lartë për familjarët e përkushtuar, si Nikolin Kurti, Hamza Kazazi, Vera Mborja, apo familjet Toto, Plaku, etj., që megjithëse gjatë këtyre viteve nuk ia kanë dalë, ende bëjnë detyrën e tyre humane të mos-humbjes së shpresës dhe respektit ndaj familjarëve të tyre të ndjerë që janë ende të humbur. Një shembull i lartë i qëndresës dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor është ai i familjarëve të të ekzekutuarve pa gjyq me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, familjet Shehu, Kaceli, Peshkëpia, Kasimati, etj., të cilët jo vetëm mundën t’i rikuperonin eshtrat e familjarëve, por kanë 25 vjet që ende synojnë kthimin e vendit të ekzekutimit në vend të kujtesës dhe vetëdijësimi. Si dhe mijëra familje që patën fatin e mirë të kenë mundësi përmes rrugëve private të bëjnë nderimet e tyre familjarëve të humbur në diktaturë.
VENDVARRIMET E FSHEHTA
Me AIDSSH besojmë se çdo vendekzekutim dhe vendvarrim i fshehtë duhet të ruhet, shenjohet dhe të kthehet në vend ndërgjegjësimi. Autoriteti ka bërë kërkesë pranë ministrisë përgjegjëse për përfshirje në projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” të një pike ku të përfshihen si vende kujtese dhe vetëdijësimi vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste. Po ashtu, Autoriteti i është drejtuar me një propozim Këshillit Bashkiak të Tiranës për kthimin në vend të ndërgjegjes të vendvarrimit të fshehtë të viktimave të 26 shkurtit, në përkujtim të intelektualëve të ekzekutuar, të njohur si “grupi i bombës në Ambasadën Sovjetike”.

 

Në planin strategjik të AIDSSH, kërkimi dhe trajtimi i rasteve të personave të zhdukur është një nga elementet e punës së institucionit. Po ashtu, në marrëveshjen me IIPP-në, mes të tjerash, bashkëpunimi për të zhdukurit përbën një seksion të veçantë. Të dyja palët angazhohen të bashkëpunojnë për referimin e të zhdukurve, identifikimin e secilit prej rasteve të gjetjes së tyre, pra një protokoll të përbashkët veprimi për të gjitha rastet e raportimit; krijimin e bazës së të dhënave me akses nga të dy institucionet me emrat e personave të pagjetur dhe vendvarrimet e vendekzekutimet, me synim përgatitjen e një regjistri të përbashkët me koordinatat e vendeve të ekzekutimit dhe varrimit të fshehtë, të raportuar nga familjet apo të gjendur përmes kërkimit në arkiva. AIDSSH i ka kushtuar vëmendje e posaçme çdo rasti, gjatë trajtimit të dosjeve dhe dokumentacionit në shqyrtim, duke organizuar komunikime me individë, familjarë të të zhdukurve, të tilla si në aktivitetin e zhvilluar në përkujtim të Kampit të Tepelenës, më 30 gusht 2017, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Në këtë datë, Autoriteti përkujtoi varrezën e panjohur të fëmijëve dhe të zhdukurve të tjerë në Tepelenë dhe mbolli pemët e para të Memorialit të Fëmijëve që humbën jetën në kamp. Këtë vit, po planifikojmë përkujtimin e Ditës së të Zhdukurve, përmes një instalacioni masiv me mijëra qirinj në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të nderuar shumë nga ata që sot nuk kanë një vend ku të prehen.

Hapat e ndërmarrë janë konkretë. Shoqëria e sotme – e cila mban peshën e të pathënave të së shkuarës, e asaj që ka mbetur pa zbuluar, pa dalë në dritë, e fateve të lëna në mes, e fëmijëve të rritur pa prindër që u zhdukën brenda natës, e pasardhësve që nuk identifikohen me të parët se u është tjetërsuar mundësia për ta bërë, – duket se është gati të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi.
* Kryetare e AIDSSH


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.