Intervista

Entela Basha: Si të trajtoni sindromin e demencës, medikamentet specifike

15:38 - 20.08.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me kalimin e moshës, mund të prekemi nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit, e cila njihet si sindromi i demencës. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjekja neurologe, Entela Basha tregon se ky sindrom mund të prekë një ose më shumë fusha të konjicionit, si të mësuarit, kujtesën, gjuhën, funksionet ekzekutive dhe vëmendjen.




Më tej neurolologia thotë se shkaku kryesor i zhvillimit të demencës është sëmundja e Alzheimerit që shërben edhe si një nga burimet kryesore të morbiditetit dhe mortalitetit në popullatën e moshuar.

Çfarë është sindroma e demencës dhe cilat janë pasojat që shkakton në organizmin e njeriut?

Demenca është një sindrom që karakterizohet nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit në një ose më shumë fusha të konjicionit, siç janë: të mësuarit, kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive dhe vëmendja, duke cenuar pavarësinë funksionale të individit.

Cilat janë shkaqet kryesore që ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të sindromës dhe cilat kategori janë më të predispozuara për t’u prekur?

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të morbiditetit dhe mortalitetit në popullatën e moshuar. Në të gjithë botën numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga demenca. Prevalenca sipas moshës shkon në 5-7 %. Me rritjen e jetëgjatësisë po shtohet ndjeshëm numri i pacientëve me demencë. Që të dyshosh sindromin demencial duhet evidentuar nga të dhënat klinike çrregullimi i konjicionit, në të paktën një nga fushat e mëposhtme: të mësuarit dhe kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive, vëmendja, funksionet motorë dhe perceptuese.

Humbja e funksionit vlerësohet duke u krahasuar me gjendjen paraardhëse të individit dhe deficitet konjitive duhet të ndikojnë në jetën e përditshme të tij. Në 2013 u përcaktuan kriteret për vlerësim DSM V për vlerësimin e demencës.

Cilat janë disa prej formave të çrregullimeve të trurit që përfshin sindromi i demencës?

Sindromi demencial përfshin: Sëmundja e Alzheimer-it (AD), Demenca me Leëy bodies(DLB), Demenca fronto-temporale(FTD), Demenca vaskulare(VaD), Sëmundja e Parkinsonit me demencë(PDD). Ka dhe disa forma më të rralla si: paraliza supranukleare progresive, sëmundja e Huntingtonit, demenca e lidhur me abuzimin nga alkooli etj. Pjesa më e madhe e pacientëve nuk paraqiten në spital për çrregullime të kujtesës, ndërkohë janë familjarët e tyre që detyrohen t’i sjellin për vlerësim si rrjedhojë e çrregullimeve të kujtesës.

Çfarë vështirësish shfaqin pacientët?

Pacientët me demencë kanë vështirësi në: marrjen dhe përpunimin e informacioneve të reja (vështirësi në kujtimin e ngjarjeve); kryerjen e veprimeve të vështira (balancimin e objekteve); llogjika (vështirësi socializimi me të panjohur); çrregullime të orientimit (harrojnë vendndodhje dhe ambiente të njohura); gjuha (vështirësi në gjetjen e fjalëve); si dhe në sjellje.

Si mund të dallohet që një person është i prekur nga demenca, dhe jo nga humbja e kujtesës?

Demenca duhet dalluar nga simptomat e humbjes se kujtesës apo çrregullime të sjelljes dhe të personalitetit, të cilat janë joprogresive ose të nxitura nga një sëmundje sistemike, medikamente, çrregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit. Çrregullimet konjitive të lehta karakterizohen nga çrregullime të kujtesës, por që nuk ndikojnë në funksionimin normal. Këta subjekte kanë risk më të lartë të shfaqin demencë me kalimin e viteve.

Si bëhet diagnostikimi i saktë i demencës?

Vlerësimi i pacientëve me çrregullime të kujtesës, që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës, nuk mund të bëhet në një seancë vlerësuese të vetme. Vlerësimi në dinamikë merr rëndësi shumë të madhe, ku krahasimi i testeve të vlerësimit të konjicionit të çon drejt diagnozës. Mjaft e rëndësishme është marrja e historisë me kujdes, vlerësimi i medikamenteve të përdorura që ndërhyjnë në funksionet superiore, ekazaminimi objektiv dhe neurologjik, vlerësimet laboratorike dhe imazherike, janë kriteret që përjashtojnë shkaqet e mundshme të demencave ose konfirmojnë diagnozën.

Në çdo formë të demencës, duhet vlerësuar konjicioni me teste specifike. Testi më i hershëm dhe më i shpeshtë është MMSE(mini mental state examination). Testi është i realizueshëm për 7-10 min dhe me anë të tij vlerësohet: orientimi, përfshirja, vëmendja, përllogaritjet matematikore, çrregullimet gjuhësore. Vlerësimi maksimal është 30 pikë dhe cut-off është vendosur 24 pikë, që nënkupton se nën 24 pikë pacienti ka risk për të shfaqur demencë. Vlerësimi përshtatet me nivelin arsimor dhe social të subjektit në ekzaminim. Vlerësimi imzherik me anë të rezonancës magnetike është i domosdoshëm pasi evidenton atrofinë fokale ose të gjeneralizuar, si dhe lezionet e substancës së bardhë.

Cilat janë disa prej metodave që ndihmojnë në trajtimin e sëmundjes?

Trajtimi kryesor i sëmundjes konsiston në menaxhimin e simptomave, trajtimin e çrregullimeve të sjelljes, mirëfunksionimin e pacientëve në ambientin rrethues. E ardhmja e trajtimit konsiston në gjetjen e medikamenteve specifike dhe modifikuese të sëmundjes, jo vetëm për parandalimin e progresit të saj. Inhibitorët e cholinesterazës (donepezil, rivastigmine, galantamine) janë grupi kryesor i medikamenteve që përdoren në pacientët me Alzheimer, të cilët kanë një reduktim të sasisë së choline acetil transferazës. Pakësimi i sintezës së acetilkolinës dëmton funksionin cholinergjik kortikal. Ky grup medikamentesh rrit transmetimin kolinergjik, duke përfituar benefite simptomatike modeste në pacientët me demencë. Memantina është një medikament i grupit të antagonistëve të receptorëve NMDA. Mekanizmi i veprimit është krejt i ndryshëm nga grupi i inhibitorëve të cholinesterazës. Ai mendohet të jetë neuroprotektiv. Glutamati është një neurotrasmetues eksitator principal në korteks dhe neuronet hipokampale, që janë të përfshira në të mësuarit dhe kujtesën. Antioksidantët si Vitamina E dhe Selegilina janë studiuar për përfitimet antioksidante në sëmundjen e Alzheimerit. Doza prej 2000 UI/ditë mund të ketë një benefit modest në progresionin e sëmundjes, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna të mira e të mjaftueshme për përdorimin e selegilinës edhe për shkak të efikasitetit dhe kostos, si edhe të efekteve anësore të saj. Trajtimet jomedikamentoze konsistojnë në trajtime rehabilituese, okupacionale dhe parandalimin e faktorëvetë riskut, ku përfshihen identifikimi dhe trajtimi i faktorëve të riskut të strokut, sëmundjeve kardiovaskulare, parandalimi i përdorimit të alkoolit, i cili ekzacerbon disfunksionet konjitive dhe çrregullimet e sjelljes në pacientë me demencë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.