Në Zvicër, Komisioni Federal për Çështjet Familjare i ka propozuar qeverisë një nismë që ka të bëjë me lejen e lindjes.
Sipas propozimit, nga leja e lindjes përfitojnë të dy prindërit për një kohë prej 38 javësh. Kjo kohë ndahet në 14 javë për nënën, 8 për babain dhe 16 të tjerat lihen në dëshirë të prindërve të rinj, për t’u ndarë sipas nevojës.
“Objektivi është përfshirja më e madhe e babait në rritjen e fëmijëve, dhe krijimi i hapësirës për nënën që të kthehet në punë kur dëshiron”, thotë Anja Wyden Guelpa, një nga hartueset e propozimit. Ideja bazohet në 140 studime shkencore të publikuara në vitet 2010-2017.
Nisma do të ketë një kosto prej 1.3 miliardë eurosh, që shumë prej bizneseve të mesme dhe të vogla e konsiderojnë të tepruar.
Aktualisht në Zvicër nuk jepet leje lindjeje për meshkujt. Por në lidhje me mundësinë për ta përfituar, qyetarët do të përgjigjen nëpërmjet një referendumi.