Qytetarët në Gjermani janë më të frikësuar nga Donald Trump sesa nga terrorizmi, emigrantët apo fatkeqësitë natyrore.
Në këtë përfundim ka arritur një sondazh i bërë në Gjermani, teksa qytetarët përmendën vendimin e Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe marrëveshjen e klimës së Parisit, së bashku me armiqësinë e tij ndaj Gjermanisë, si arsyet kryesore për ta renditur atë si shqetësimin e tyre më të madh.
Sondazhi “Frikërat e gjermanëve” tregoi se 69 përqind e të anketuarve e shohin presidentin amerikan si frikën e tyre më të madhe. Emigracioni ishte shqetësimi i dytë më i madh, i emëruar nga 63 përqind e njerëzve, i ndjekur nga tensionet sociale të krijuara nga fluksi i madh i emigrantëve.
Shqetësimi tjetër ishte dyshimi tek aftësitë e politikanëve për të trajtuar probleme komplekse. Terrorizmi, frika më e madhe e vitit të kaluar, u rendit në vendin e pestë.
“Më shumë se dy të tretat e gjermanëve kanë frikë të madhe se politika e Donald Trump po e bën botën një vend më të rrezikshëm”, tha drejtoresha e institutit të studimit, Brigitte Roemstedt.
Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur këtë vit kancelaren Angela Merkel dhe qeverinë gjermane.
Në qershor ai pretendoi se gjermanët ishin “duke u kthyer kundër udhëheqjes së tyre” mbi emigracionin dhe gjithashtu sulmoi shpenzimet e vendit për mbrojtjen dhe politikën e eksportit.
Në korrik ai akuzoi Gjermaninë se ishte “plotësisht i kontrolluar” nga Rusia lidhur me një marrëveshje të propozuar të gazit natyror.
Problemet e borxheve në eurozonë, ekstremizmi politik dhe fetar, fatkeqësirë natyrore lidhur me ndryshimet klimatike, problemet mjedisore dhe popullsia e plakur në vend u renditën të gjitha në 10 shqetësimet më të mëdha të hasura nga gjermanët.
Sondazhi publikohet çdo vit nga kompania e sigurimeve R + V Versicherung.