MILOSAO

Kërcënimi ndaj së vërtetës (Threat to truth)

15:05 - 16.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Kërcënimi mediatik, lufta kibernetike, fake news, bota e madhe dhe e frikshme e mediave online, virtualiteti janë disa nga temat që ndërthuren këtë vit në Festivalin Ndërkombëtar të Tiranës, që njihet me akronimet IHRFFA.




Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut (IHRFFA), që kap edicionin e tij të trembëdhjetë në këtë vit, vjen i organizuar si zakonisht në muajin shtator. Aktiviteti mban si realizues Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe ka si temë kryesore të shënjuar “Threat to truth” (“Kërcënimin ndaj të vërtetës”). Në të vërtetë, ky aktivitet që e ka vendosur Tiranën për çdo vit në një hartë të rëndësishme kontinentale të veprimtarive filmime kryesisht ato që lidhen me të drejtat e njeriut, ka fituar një prestigj të admirueshëm. Vazhdimësia e bën këtë aktivitet jo thjesht të respektuar por edhe të shumëpritur. Është pikërisht, kjo vazhdimësi e Festivalit të Akademisë së filmit “Marubi”, që e bën të mirëpritet dhe të marrë vlerësime. Por, mbi të gjitha organizatorët dinë të sjellin dhe filma me renome ndërkombëtare dhe të përzgjedhura me shumë kujdes. Që do të thotë pjesëmarrësit kanë pasur pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare dhe madje mbajnë autorësi personazhesh realisht të vlerësuar. Fryt i kësaj është që Festivali ka pothuaj të njëjtët bashkëpunëtorë të cilët respektojnë dhe mundësojnë vazhdueshmërinë e këtij aktiviteti.
Drejtori i Akademisë “Marubi” Kujtim Çashku, regjisori i njohur, ideator i këtij festivali që e ka krijuar por edhe që mban lart standardet e tij ka menduar që IHRFFA të jetë një nga aktivitetet e duhura për kryeqytetin dhe vazhdimisht t’i përgjigjet trendeve botërore.
“Kërcënimi ndaj të vërtetës”, ashtu si mund të merret me mënd lidhet me median online dhe fuqinë e pamat që ka marrë bota mediatike për fatet e botës së sotme. Tema e portaleve, manipulimi që i bëhet medias dhe përmes saj të gjitha ndikimeve të sotme dhe mbi të gjitha fuqinë që kontrollon ato, do jetë lajtmotivi i disa prej tematikave të filmave që do t’i projektohen festivalit.

Zakonisht përzgjedhja ka filluar muaj të tërë para shtatorit dhe për shkak të rëndësisë që ka marrë ky aktivitet në Tiranë, mendohet që ai ta rrokë sa më mirë temën e përgjithshme, që në këtë vit do hedhë dritë mbi problematikat që lidhen me informacionin virtual, por edhe të gjitha ato që po kërcënohen nga aktiviteti i kësaj lloje medie, që ndërthuret shumë me rrjetet sociale dhe që ka ndikuar jashtëzakonisht në aspekte të ndryshme sa i përket të drejtave të njeriut.
Merita e organizatorëve është se problematikat janë të kuruara me kujdes përmes emrave të përzgjedhur dhe t’i ke pasqyrimin në një rang gati botëror. Publiku mund të kundrojë rrokjen e temave, kurse profesionistët kanë mundësinë më të mirë të shikojnë edhe trendet teknike në art. Ashtu si ka vepruar dhe në edicionet e tjera përpjekja bëhet që publiku elitar dhe jo vetëm të shikojë trendet në art sesi i trajtojnë vetë tematikat.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri është një aktivitet që aspektin kulturor e ndërlidh natyrshëm me të drejtat e njeriut. Kjo, pasi të gjitha atributet e festivalit, që lidhen përveç projektimeve edhe me ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat e njeriut, bëhet nëpërmjet imazhit filmik dhe krijimtarisë artistike.
Aktiviteti realizohet qysh nga viti 2006 dhe Akademia e Filmit dhe Multimedias MARUBI e organizon Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA), në bashkëpunim të ngushtë me një rrjet të gjerë institucionesh dhe organizatash vendase dhe të huaja, aktive në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe, ashtu si mund të merret me mënd, partnerë të tillë seriozë janë gjithnjë të pranishëm si: UNICEF, Austrian Cooperation, OSCE, Instituti Shqiptar i Medias, Delegacioni Europian, Fondacioni Friedrich Ebert, Instituti Italian i Kulturës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Ambasada Franceze, Gjermane, Amerikane, Austriake, Hollandeze, Utica College, por edhe Ministria e Kulturës etj.

Disa nga filmat që do të projektohen

The Shadow World
Andrew Feinstein në filmin e tij “The Shadow World” heq perden dhe na tregon paradoksin e tregut masiv ndërkombëtar të armëve. Zbulon korrupsionin dhe atë që ndodh pas marrëveshjes më të madhe në histori për armët mes qeverisë Britanike dhe asaj Saudite – për transaksionet e BAE-s në Afrikën e Jugut, Tanzani, Evropën Lindore dhe kompleksitetin e lidhjes që vjen nga Kongresi Amerikan me biznesin e armëve. Ai zbulon detaje të tregtisë së armëve. Nga ana tjetër, filmi na zbulon edhe rrezikun e madh të këtij rrjeti që na përfaqëson dhe që përballet me lajmin mediatik.

“Iuventa” kthen Lampedusën në filmin e Michele Cinque
Ka kaluar gati një vit që kur anija e organizatës së shoqërisë civile gjermane “Jugend Rettet” hyn në portin e Lampeduzës, shoqëruar nga dy anije patrullimi të rojes bregdetare. Iuventa është anija e parë e organizatës joqeveritare që do të konfiskohet. Michele Cinque që e ka realizuar filmin, ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme për këtë histori.
“Rinia që shpëton”. Ky është kuptimi i togfjalëshit “Jugend Rettet”, OJQ e themeluar në vitin 2016 në Berlin nga një grup i të rinjve me një qëllim: të lundrojë në ujërat e hapura me anijet e Iuventës, për të shpëtuar ata që largohen nga Afrika në Evropë. Ëndrra e tyre nuk është aq e lehtë për t’u përmbushur: pavarësisht nga fisnikëria e projektit të tyre, utopia e të rinjve duhet të përballet me realitetin e vështirë, plot me deklarime politikanësh që nuk duan të ndihmojnë Mesdheun. Michele Cinque tregon pikat e mosinteresimit të medias dhe institucioneve evropiane dhe planin e tyre për emergjencat humanitare. Iuventa tregon një rrugë të vështirë, që lidhet me ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për të cilat njeriu është e pamundur të mbetet indiferent. Përgjatë një viti të operacioneve në Mesdhe kjo OJQ shpëtoi më shumë se 15.000 njerëz. “Iuventa” është prodhuar nga Film Lazy me RAI Cinema, në bashkëprodhim me ZDF-në.

“The Trial” (Gjyqi) i Askold Kurov
Në vitin 2015, Askkold Kurov ishte një nga vëzhguesit më seriozë të gjyqit të dy banorëve të Krimesë – regjisorit Oleg Sentsov dhe Aleksandër Kolçenko – të cilët u dënuan me akuza terroriste respektivisht me dënime 20 dhe 10-vjeçare. “Gjyqi”, i cili e ndjek çështjen e Sentsov qysh në gjenezë, u shfaq fillimisht në Festivalin e Filmit të Berlinit në 2017, dhe shfaqjet e tij u shndërruan në ngjarje publike në mbështetje të lirimit të regjisorit ukrainas dhe të burgosurve të tjerë politikë të këtij vendi. Kamera tregon një sallë gjyqi në Rostov-mbi-Don, ku një njeri filmohet pas shufrave të kafazit të tij, sytë i zbulojnë gjëndjen ku nervat janë gati të shpërthejnë. Sot atij do t’i jepet një dënim për të cilin ai duhet të vuajë 20 vjet burg në Siberi për terrorizëm. Njeriu është Oleg Sentsov, një drejtor filmi dhe aktivist i Maidanit i lindur në Simferopol në Ukrainë. Ai është akuzuar për udhëheqjen e një lëvizje terroriste anti-ruse dhe sipas tyre ka planifikuar sulme ndaj urave, linjave të energjisë dhe një monumenti të Leninit.

“Kurrizi” e Orgesa Arifit, streha e shoqërisë elitare në vitet ‘90-ta
Ky film tregon një pjesë të shoqërisë urbane të Kosovës të viteve 90-të, ku shpërfaqen elementë të ndryshëm të rinjve …Kamera zbulon kafe të njohura të atyre viteve, ku rrinin shqiptarët e serbët, por edhe shumë personazhe të njohura publike të cilët kishin lindur e ishin rritur në atë pjesë. Në atë kohë, shumë të rinj e gjenin veten vetëm në atë pjesë të qyteti dhe e identifikonin shoqërinë me të. Ai identifikohej me epitetin ‘Kurrizi’ dhe ishte një pjesë e Prishtinës, e cila mblidhte historinë e të rinjve kosovarë që po bëheshin gati të shpërthenin.
“Në teatër e në kinema nuk kishim ‘guxim’ të shkonim sepse këto institucione udhëhiqeshin nga serbët dhe shumë thjesht e ndjenim vetën të huaj. Kurrizi ishte ajo pjesë që ndiheshim rehat”, thotë në dokumentarë politikani Albin Kurti, sot lider i Vetëvendosjes.

Hank Levine/ Filmi EXODUS
Ky film i kushtohet njerëzit si refugjatë dhe azilkërkues në shumë vende gjeografike si Gjermania, Brazili, Sahara Perëndimore, Myanmar, Kuba, Sudani i Jugut, të gjithë në kërkim të të drejtave të tyre, p-ore dhe për një jetë më të mirë.

Disa nga filmat në konkurrim janë

1. Michele Cinque/ Filmi IUVENTA/ vjen Dt 16, ora 23:25 – Ikën Dt 18, ora 15:30. Filmi i Hapjes se Festivalit.
2. Athanasios Chalkias/ Filmi LINES/ vjen Dt 17, ora 08:30 – Ikën Dt 19, ora 15:40. Shfaqja e filmit ne date 18.
3. Hank Levine/ Filmi EXODUS/ vjen Dt 17, ora 13:10 – Ikën Dt 20, ora 13:30. Shfaqja e filmit ne date 19.
4. Andrew Feinstein/ Filmi SHADOW WORLD/ vjen Dt 19, ora 16:50 – Iken Dt 22, ora 13:30. Shfaqja e filmit ne date 21.
5. Orgesa Arifi/ Filmi KURIZI/ vjen Dt 19ose20 – Iken 21ose22 (skam ende pergjigje). Shfaqja e filmit ne date 20.
6. Askold Kurov/ Filmi THE TRIAL/ vjen Dt 14:20 – Iken Dt 23, ora 04:30. Shfaqja e filmit ne date 22 – Filmi i Mbylljes se Festivalit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.