KULTURË

“N’JERM”/ Një arkiv i panjohur dhe i pautorësi

16:10 - 13.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çelet këtë të premte në Galerinë “Zeta” ekspozita “N’jerm” e artistit Lek M.Gjeloshi. Ajo paraqet një cikël me fotografi të shkëputura nga një grumbull negativësh me të cilët autori ndeshet rastësisht, nisur si pretekst për të testuar me to një makineri të vjetër për zmadhimin e filmave 35mm. Imazhet e seleksionuara përmes saj janë fragmente të organizuara pa një rend të paracaktuar narrativ. I tërhequr nga dimensioni fantazmagorik i subjekteve mbi sipërfaqen e ekranit, ai fillon t’i rifotografojë duke aktivizuar gradualisht një jetë të dyfishtë të imazheve, ku pjesë e tyre është tashmë edhe drita e ekranit të projektorit, gjurmët e vjetërsisë dhe reflekset që ndodhen në sipërfaqen e tij. Këto fotografi i inverton më pas në negativ dixhital duke përdorur opsionin e zakonshëm që ofron aplikacioni i celularit. Nga kjo mbivendosje negativësh, procesi algoritmik i thjeshtë prej ku ai përfton imazhe, “pozitivët” hibrid, të cilat ngarkohen me një atmosferë të re që nuk referon më informacionin e fotografisë e as dëshminë e saj, por devijimin konstant, një soj kllapie ose përçartjeje të asaj që mbetet mbi sipërfaqen e mbështjellë nga tisi i blucianit.




Kështu vjen në dritë një arkiv i panjohur dhe i pautorësi. Në të na shfaqen trupa, rite liturgjike e peizazhe të vagullta, ekzistenca herë të magjepsura, herë të mbetura pezull në një fshat të mistershëm diku në Shqipërinë veriore.

Lek M. GJELOSHI ka lindur në vitin 1987, në Shkodër, ku aktualisht jeton dhe punon. Ai studioi Art Vizual në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence, ku u diplomua në vitin 2010. Ekspozitat e tij solo përfshijnë “All My Colours Turn to Clouds”, Villa Romana, Firence (2016) dhe “Off-Cells”, Galeria e Arteve, Shkodër (2016). Në vitin 2015 ai ishte fitues i Çmimit Idromeno, i dhënë nga Galeria e Arteve të qytetit të Shkodrës. Një vit më pas (2016), ai fitoi Çmimin Ardhje për artistët e rinj vizualë shqiptar. Që nga viti 2017 është përgjegjës i arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër. (2018) ka qenë artist në rezidencë në Residency Unlimited, New York. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të shumta në grup si: “Ex Gratia”, në Koleksionin Iannaçone në Milano (2018); “A time for dreams”, në Muzeun e Artit Modern të Moskës (2014); “Nuovo Cinema Masaçio” (2014), “Fuori posto” (2013) dhe “Lontano da dove” (2012), në Casa Masaçio dhe në Fondacionin Lanfranco Baldi, në Itali.

Ekspozita mund të vizitohet deri më 10 janar 2019.fa.ni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.