Autori është shumë i ndjeshëm në motivin e tij tepër të ngrohtë patriotik, që e ngërthen dhe me lirizëm dhe me dashurinë për vendin e tij…
Nga JONUZ FETAHAJ
SHTËPI E MOÇME
Mund t’i kishte dyqind vjet
Pak më tepër
Parmakët e dritareve ishin po ato
Hapekrah mbetur
Dy zogj kërkonin ushqim
Në dhomën ku mësova
Një birucë mini ishte bërë
Macen e gjeta me një sy zgjuar
Nuk ishte macja ime
As minjtë nuk ishin ata
Që truponin nëpër dhomë
Dëshirova të shoh lojën e
Maces dhe Miut
Më mungoi koha
Një pikë loti u shtrua për drekë
LULEPJESHKA
Esull zura mëngjesin
Gjumin nuk zateta
Tërë natën
Dritares së hapur ia mësova
Ciatjet
Çfarë ndodhi me ëndrrën
Nuk e lexova as në horoskop
Shikimin ma mori lulepjeshka
Dhe prilli
Nusha është ende gjallë
Ajo e ka rremin e parë
Përplot lule roze
HAMBARI
Asnjë thes grurë
As elb e tërshërë kali
Në oborr traktori
E Golfi 4
Ku mbeti gruri
E buka e elbit, ore
Dëshirë uje
E fillimqershorit
Po i cilit vit se
Asnjë nuse sot
S’di si sitet mielli
E bëhet buka mrume
Krejt tjetër mot
Krejt njerëz tjerë
Kanë vdekur plakat
Ndjesë paçin
LETËRNJOFTIMI I GJYSHIT
Bëri dy fotografi
Nxori letërnjoftimin
Ta shes kalin në Kumanovë
Po ia kërkuan gjeneraliet e kalit
Për t’i bërë pasaportë
Pa fotografi
E endën nga zyra në zyrë
Dhe u nis me trok
Pazari ishte mbyll
Kali s’u shit
Kur u kthye
Kali pordhi n’derë t’komunës
Dhe hingëlloi
Drejt fshatit
TAKIM ME NANËN
Kurrë s’isha takuar me Nanën
Me protokol
Me vete kishte sjellë
Shikimin e largësive
Dhe zemrën e vrarë lie
Ia kërkova lotin e fshehur
M’i kishte sjellë protestat e Kosovës
Më tha: unë po tymoj një cigare
Ti përcille udhëtimin
E tymit dhe heshtjen
Fute pak dëshmi në kujtesë…
Fjalët u harxhuan në fillim
Duhet kthyer prapa
Para se të zbres rezeza mbi pullaze
Sonte do pikojë shiu curril mbi çati
Nana do flejë me një ëndërr…
Tetor 1991, Burgu i Mitrovicës
E IKUR
Nuk më folën
As për përroin e Kishës
As për kopetë e deleve
As për Fahredin Asllanin
As për gurin e Xhelës
Nuk më folën
As për Luftën e Parë
As për të Dytën
As për tri ditë Shqipni
Gjeografia e truallit
Ishte bartur në Perëndim
Shkojnë e vijnë autobusët
Me pritje shekulli
Plaken dertet
Nuk luftojnë krajlitë
Netëve të vona në oda
PROTESTË
prapë për Nanën
Ndër të parat doli
Në sheshin e Prishtinës
Me dy gishta vrau errësirën
Kundër vdekjes e arkivoleve
Vijën e kuqe mësoi
Kur ngushëllimi i erdhi i qetë
Lajmet vluan tërë pasditen
Në TV pa vetveten sa herë
Tha: kjo është Kosova
Me lulebozhure mbjellë
Për shekullin që vjen
Atëbotë e sot ruhet fotografia
Dhe dëshmia arkivore Nanë.
1990, Prishtinë
ALFABETI I MANASTIRIT
Sofrës së parë të kuvendimit
Nuk ia mësova emrat
Mbështjell me elif morën shkronjat
E tinëz i sollën në tavan shtëpie
Bënë udhëtim arbëror
Deri në Preshevë e Karadak
Dhe harruan djersën e lodhjen
Kush mbeti gjallë pas maratonës
Shkroi emrin e vet në pergamenë
Edhe njëmijë e një vjet fjalë
Dhe një çikëz histori shkronje
Për atë që u kthye i gjallë
Kuptimësia qet kokë në piramidë
Mburrja shënohet në kronikë t’vjetër
Për Alfabetin e Manastirit
NATË HESHTAKE NË PRESHEVË
Po ajo rrugë e vjetër
Zgjuar vetëm dritëvitrinat
Që reklamojnë veten
Harresa lëshon rrënjë shekulli
Dëgjohen Kambanaret
E Sarajet e Halil Agës s’i gjen
Kalldërma e mësuesi e salepxhiu
E saraçi shkuan përtej Urës së Gallatës
Qaza vdiq kur u shkri akulli n’kashtë
Akullorja s’hahet më në kornetë
Shihen do njerëz tjerë
Që kanë marrë me vete Evropën Plakë
E dikush ëndërron Arbërinë
Miku im fillikat harxhon heshtjen
E me fund shteron gotën e harrimit
Dehja s’mbrohet nga shiu e ambrella
Dikush i këndon Idriz Seferit dhe hedh
Vallen e Deli Agushit
Nata prek heshtjen në Preshevë
Në vilën „Letafet” n’kujtesë gjëllojnë
Shkronjat e alfabetit të Manastirit
Dhe Abdullahi i Haxhi Velisë
NDODHI ËNDRRA
Kur ndodhi ëndrra
Askush s’mendoi
Se pastaj –
Shkrehet zhgënjimi
Nënat i patët
Motra të Gjergjit
Që me lot shëruan plagët
Kurrë s’u takuam
Në sofrën e fjalëve
Pas të korrave –
Shirat e vjeshtës na zunë
Atëbotë ndodhi ëndrra
Ulqin, gusht 2006
NGJYRA E DHEMBJES
Në Kalanë e Ulqinit
Deti ruan akuarelin
Qielli madhështinë blu
Piktura në kornizë mbyllet
Me muzgun e mbrëmjes
Piratët tregohen si në përrallë
Vetëm ngjyra e dhembjes
Përjetësohet me kujtesë…
VARRIMI I DASHURISË
Njëmijë vjet vetëm ëndërrim
Kurrë pa e parë t’Bukurën e Dheut
Në Zot e Qiell
Zjarr e Diell u tha fjala
E nuk na la rehat pritja
Në çdo stinë vere dogji malli
Piramidë u bë dëshira
Kalorës të pafjetur përherë
Dasmorë pa Nuse
Madhështinë e hartuam me fjalë
Le të varroset dashuria
Rahovicë, 1987
QYQJA
Një ve –
Një çerdhe e huaj
Edhe një ve –
Edhe një çerdhe e huaj
Ec e dije gjininë –
Dhe sojin e saj
Ku ku ku –
Qyqe se qyqe
UDHËTIM GJARPRI
Njëmijë vjet kafshoi të tjerët
Kurrë s’kafshoi fisin e vet
Serumin e mati në rrëshqitje
Helmin akumuloi dymijë vjet
E fundshekulli pjelli mbrapsht
Në cilin laborator ruhet
Helmi në epruvetë
O Zot
Çfarë soj gjarpri do njohim
Nesër kur të na kafshojë
E kur ringjallemi nga hiri…
Prill 1997, Prishtinë
HASHANËT
Variant
Anëpërtej i ranë Atdheut
E u bënë çoban të mirë
Ua vranë qenin
Ia morën delet
E lanë të shurdhër jehonën e fyellit
E gjetën Luftën e Parë
Edhe të Dytën e ngjizën në brincë
Morën hak në Djall
Ujkun e vranë
Të Tretën e zgjidhën vet
Me mburrje –
Nuk u bënë urë
Rahovicë, 2009
LOJË TYMI
Heshtja ngjitet mureve
Shpaloset kronika e pafajësisë
Cigarja harxhohet pa taketuke
Komoditet nuk ka në ferr
Kur rrëfen për vetveten
Mund ta mësojnë të tjerët
Historinë përmendësh
Njëmijë herë vdes e vrasin tymin
Ai ikën përtej grilave
Pa e marrë tërësinë e vet
E ndezëm edhe nga një
Për ta dëftuar përrallën e afrisë
Dhe ikjen përtej ëndrrës së ligë
Burgu i Mitrovicës, tetor 1991
ESSE PËR DHIMBJEN
Nuk i ndihmon as mjeku
Diagnoza s’caktohet lehtë
Moti është jashtë kotësisë
Njëherë mori telegram
Nga miku
Atë ditë piu terapinë
Tri herë një
As gota e tymi i cigares
S’e shoqëruan në hapa
Shkroi ese për dhimbjen
Pasi kaloi lumin la urën
Thatësia i doli përpara
Kohën nuk e mati
Letër i shkroi vetmisë
Pa ardesë
Dhembjen e futi në thes
E nisi të plaket në përrallë
LULJA E HIRIT
Nuk e gjeta në rrugë
As në shteg
Nëpër erë shkrumi
Kafshova dhembjen
Lulja e hirit kishte vesë
Erë më nuk frynte
Ia fala vetes ecjen
Në oxhak pashë tym
Lutja e urata fjetën bashkë
Duke ëndërruar trishtimin
Si e humba rrugën s’e di
Po mirë ishte se u përhita
Kosovë, shtator,1999
NIZAM I RI
More rrugën për Kosovë
Kënga të priti në stadion
E rrejte veten në podium
Të njohën edhe gjethet e plepit
Mos bre bir, mos gënje
Se erdhe nizam i ri nga Lozana
Dje t’pashë me kravatë në Tetovë
E sot po flet me gjuhë shpate
Zoti i madh pastë punë me ty
KALABRI
U nisa për Kalabri
Thitha ajër arbërisht
Zateta njerinë dhe ëndrrën
Edhe Motin e Madh
De Rada nuk shkruan më
I ishte tharë ngjyrëdeti
Rina këndon për dashurinë
Sa rrugë e gjatë
Lodhja banon në eshtra
Ëndrra ndez qiri në Frasnitë
Zotynë s’e di pse jam gjallë
Pas gjithë këtij tundimi
Paskam rilindur sërishmi
Në hirin e Klabrisë
Frasnitë, 1987