Ministria e Drejtësisë u përfshi dje dhe sot në një furtunë shkarkimesh dhe arrestimesh, por vetë ministrja Etilda Gjonaj nuk ishte në detyrë. Ajo ia kishte deleguar që më parë kompetencat zëvendësministres, Teuta Vodo. Urdhri i delegimit është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe nëpërmjet tij ministrja Gjonaj i ka deleguar Teauta Vodos të gjithë kompetencat e titullarit të kësaj ministrie, për vetëm 24 orë. Një rast i rrallë ky ku një ministre i delegon kompetencat e titullarit të ministrisë zëvendëses së tij vetëm për 1 ditë.
Nuk dihet nëse “dorëheqja” e Gjonajt ka ose jo lidhje me furtunën që përfshiu dikasterin e Drejtësisë, por burime nga ministria konfirmuan se ministrja ndodhet për një vizitë në Britaninë e Madhe, ndaj dhe i është dashur që ti delegojë kompetencat te zëvendësministrja. Të njëjtat burime kanë mohuar që ky delegim kompetencash të kishte lidhje me valën e arrestimeve dhe shkarkimeve që ndodhën dje dhe sot në Ministrinë e Drejtësisë.
Ç’NDODHI NE MINISTRINE E DREJTESISE
Hetimet më shumë se një-vjecare të prokurorisë së Tiranës shkaktuan një furtunë të vërtetë në Ministrinë e Drejtësisë. Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të këtij institucioni u vunë nën arrest, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe shkelje barazie në pesë tendera të zhvilluara përgjatë viteve 2016-2017. Në arrest shtëpie është dërguar ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha. Ndërkohë janë dërguar në qeli, drejtori i shërbimeve mbështetëse Aurel Lamçe si dhe specialistët e IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj. Për 8 zyrtarë të tjerë, gjykata me kërkesën e prokurorisë caktoi masën e detyrimit për paraqitje.
URDHRI I PLOTE
36, datë 1.2.2019
PËR DELEGIM KOMPETENCE
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 8678,
datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, të neneve
28 dhe 29, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe pikave 2 dhe 3, të nenit 11, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”,
URDHËROJ:
- Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Drejtësisë nga data 5.2.2019 deri në
datën 6.2.2019, zëvendësministrit të Drejtësisë, znj. Teuta Vodo.
- Ngarkohet zëvendësministri i Drejtësisë, znj. Teuta Vodo, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I DREJTËSISË
Etilda Gjonaj