Sanremo ka ulur siparin, ku Mahmood është shpallur fituesi i edicionit të 69-të të Festivalit italian. 27-vjeçari, me nënë italiane dhe baba egjiptian, Mahmood mbërriti në skenën e Ariston pasi fitoi bashkë me Einar, edicionin e fundit të Sanremos për të rinjtë, dhjetorin e kaluar.
Kënga e Mahmood fitoi zemrat e publikut, “Soldi”, ndërsa tashmë zyrtarisht pritet që të përfaqësojë Italinë në “Eurovizion”.
Përgjatë një konference për shtyp, fituesi u pyet nëse do ta përfaqësojë Italinë në “Eurovizion”, ndërkohë përgjigja e tij ishte mjaft entuziaste: “Po, po!” . Pas fitores Mahmood u shpreh: Unë jam 100% italian, nëna ime është nga Sardenja dhe babai im është egjiptian, por unë kam lindur dhe rritur në Itali”.
Ndërkohë, Matteo Salvini u shpreh kundër fitores së 27-vjeçarit. “Mahmood… mah….Kënga italiane më e bukur?!? Unë do kisha zgjedhur Ultimon, si mendoni??”, ka pyetur zëvendës kryeministri italian në Twitter.
Kujtojmë këtu se festivalin e një viti më parë “Sanremo 2018” e fitoi këngëtari shqiptar Ermal Meta në duet me Fabrizio Moro-n me këngën: “Non mi avete fatto niente.”