Pas logos tradicionale, tashmë e ka radhën fanella. Juventusi i epokës moderne kërkon të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një brand të fuqishëm në treg dhe drejtuesit mendojnë ndryshimet e nevojshme për të fuqizuar aksionet në bursë. Prej muajsh ishin në qarkullim zërat që saktësonin se fanella e re e Juventusit nuk do të ishte më me vijat bardhezi, por gjysmë e zezë dhe gjysmë e bardhë, ndërsa konfirmimi vjen nga “Footy Headlines”, pararojë e dizajneve të fanellave të reja dhe që rrallëherë gabon në atë që servir për publikun.
Sipas sajtit, fanella bardhezi do të jetë pa vija, ndërsa e bardha dhe e zeza do të ndahen nga një vijë e hollë rozë. Shpina do të jetë e zezë në pjesën dërrmuese të saj. Fanella e dytë do të jetë e kaltër me yje të verdhë dhe e treta e kuqe. Por, këto ndryshime nuk janë pritur aspak mirë nga publiku bardhezi, me tifozët e Juventusit që kanë shpërthyer ndaj drejtuesve të tyre, duke i akuzuar se po e largojnë gjithmonë e më shumë klubin torinez nga historia e tij.