Sot në mbrëmje do të rikthehet në Dhërmi, Kala Festival. Këtë vit, për herë të parë, në dy faza, në datat 12-19 qershor dhe 20-25 qershor. Përtej promovimit të Shqipërisë turistike, një nga qëllimet e këtij festivali të njohur në të gjithë botën, ajo që duhet vlerësuar, sipas ministrit Blendi Klosi, është kontributi financiar që ky festival sjell për komunitetin e zonës. “Ajo që është më interesante është që me dhjetëra të rinj do të punësohen gjatë këtyre dy javëve, po bëhen planet që vitin që vjen të arrijmë të organizojmë 4 festivale në Dhërmi, gjatë sezonit 2020. Kjo tregon trendin e turizmit shqiptar, i cili po disafishohet në të gjitha aspektet. Shpresojmë shumë që vitin e ardhshëm shqipëria të shikohet si destinacion për turizmin rinor dhe të muzikës”, tha ministri Klosi.
Ndërkohë ky i fundit thekson se këtë vit do të marrin pjesë 7 mijë pjesëmarrës. “Ajo çfarë ne shohim me shumë interes janë përshtypjet fantastike që kanë pasur pushuesit e një viti më parë dhe kjo ka bërë të mundur që këtë vit ne të kemi 5 mijë të huaj, që kanë prerë tashmë biletat për të qenë dy javë në dhërmi dhe qindra vizitorë të vendit, duke e çuar në 7 mijë numrin pjesëmarrësve në festivalin e këtij viti”,-thotë ministri i Turizmit e Mjedisit. Më tej, Alan Crofton, menaxheri i Kala Festival vlerësoi organizimin dhe pritjen e një viti më parë në Shqipëri, duke theksuar se është i lumtur që rikthehet dhe që këtë vit pjesëmarrja do të jetë disa herë më e madhe se vjet. “Reagimi i pjesëmarrësve gjatë Kala festival të organizuar një vit më parë ishte i mrekullueshëm. Ishin mbi 1 mijë qytetarë në vitin e parë. Kështu që këtë vit na rritet përgjegjësia për t’ju përgjigjur reagimit të shumë më shumë njerëzve, nga 1 mijë që ishin vjet, këtë vit do të jenë 5 mijë, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi përsëri në Shqipëri”, tha menaxheri i Kala Festival.