MILOSAO

Vetja tjetër

18:00 - 22.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Demir Gjergji




BRAILLE

Ia more sytë e i le lotët.
(Vajto vetmi në verbëri!)
Me mollëza gishtash lexon botët.
Pas teje vjen në terr të tij.

Në zë të sheh, tek ujërat ndjek,
Te gjethet frymën ta këndon,
Savanash si në alfabet,
Të merr e lart të ngre në fron.

Kufijtë e qiejve përkëdhel
Dhe terri tretet si muzikë,
Në erë ndesh një harabel,
E sos në tjetër galaktikë.

Prek dritë, gurë, re me shi…
Befas mollëz e gishtit shtang;
Gjen flokun tënd te bari i ri,
Romancë përmbi pentagram.

Gjen sytë e tij në sytë e tu,
Gjen lotin tënd te loti i vet…
Te kjo vetmi e verbëri,
Fillon e përfundon çdo jetë.

PSE?

Pse dy sy
Për një gjë?

Pse dy veshë
Për një zë?

Pse një zemër
Për Atë?

ORË TETORI

Në magjen e kozmosit,
Mbruhet kjo orë e butë tetori
Frymës së fundit të ditës,
Me gugatjen foshnjore të galaktikës,
Me vështrimin tënd
Syrit tim,
Shekuj-dritë në thellësi.

Kjo orë e butë tetori,
Farëz në Gjithësi…

Ti,
Në krahët e mi!

VRASËSI ME PAGESË

I pasur tashmë!

Mund ta blejë edhe emrin e viktimës
Për markën e makinës,

…Por jo qumështin për buzët e fëmijës!

NGASJET

Përshtatesh pas pamjes së pllajës me panja,
Dhe malli të merr për bokërimat e bardha.

Ngopesh me kurmin e mikes së zemrës,
Dhe nis e lakmon të fshehtat e tjetrës…

Me plagët e jetës kurrë nuk velesh,
Se s’mund të mësohesh me frikën vdekjes!

TJETRA

Atë larg e lija…
Tek ti më sjell hija.

***

Rrokulliset loti,
Rrotullohet globi,
Prush më djeg i ftohti,
Ngricë më ngrin i ngrohti.

Brengë te një shteg,
Urë, breg më breg,
Dhimbjeve, strateg,
Festave, ajsberg.

Ditët si thëngjij,
Shkel e shkoj si xhind!
Nga pas, brinjë më brinjë,
Frymë e saj më grin.

Ja, dhe pak…, dhe pak!
Dhjetë,… tre,… një hap.
Ti shpirtin ma hap
Dhe loja nis prapë…

Andej mbyllen shtigjet,
Këtej digjen brigjet,
Shfuqizohen ligjet,
Triumfojnë rreziqet!

***

…Dashuri-mëria
Jetëve të mia.

UJË I URTË

Vaginës së luginës fle
Si shpend i moçëm në fole.

Zbritur-ngritur prej së thelli,
Erës në shkallare qielli.

Shkulm e zulmë, shkumë në kum…
Dhe në fund, fatlumë në gjumë.

Ëndrra brigjesh mbi lëkurë:
Qiej, stinë, stuhi e drurë.

Vaginës së luginës fle,
Veten re në gjumë e sheh…

GËNJESHTRA

Para pushkatimit
E gënjyen:
“Prej pambuku janë plumbat.”

Dhe
Vazhdon të rrojë,
Në një qiell me pëllumbat!

PARANDJENJË

Pa u puthur, ende pa u puqur,
Më flet për lot, për plagë e ndarje,
I ikën ndjenjës më të bukur,
I frikesh si të jetë malarie.

A mos është kështu më mirë:
Ta shijojmë më parë farmakun,
Pastaj, thellë në errësirë,
T’ia ndjejmë njëri-tjetrit gjakun?

MARSHI NË MJEGULL

Me këmborë përçori i gjorë,
Tund dheun: “Ja tek jam këtu!”
Ndërsa pylli fle nën borë
Dhe fiken yjt mbi re, s’di ku.

As yll, as pyll… Veç borë e re,
Dhe një këmborë kumbon gjithkund.
Përçori i verbër, pa kope,
Në mjegull-terr këmborën tund!

Dhe bam e bum, dhe dang e dung!
Dhe tjetër zë s’dëgjohet kund…

PORTAT E HAPURA

-Kundërkronikë-

Portat e kështjellës, hapur prej qëmoti,
Si sy rojash vrarë tinëz prapa shpine,
Tek vrojtonin ditëve, netëve kot së koti,
Ndërsa nuk e dinin se ç’armik po vinte.

Fërgëllojnë paq mespërmes rrënojash
Diamante zonjash, hije kryezoti…
Në mëshikëza muzgjesh, feksje xixëllonjash,
Nëpër rruzuj vese, ndezur pika loti.

Portë e madhe hapur! Një hap e hyj brenda,
Çasti brenda meje tani është i lashtë.
“Me kë ish liria”, pyet befas mendja,
“Me frikën pas muresh a zemërimin jashtë?”

HUMAN STORY

-Ciklikë-

Hyhet me pikëpyetje…
Vazhdon me kacafytje,
Me shpata e me shqyte,
Me korba e me qyqe,
Me gjyqe dhe me kryqe,
Me skica dhe etyde,
Me vese dhe virtyte.

Mbyllet me pikëpyetje!

ETËRIT

-Rrëfim jetimi-

S’i kam parë;
As kurorëshkelësin,
As atë tjetrin
Me karafilin gjak
Në jakë…

Mbaj mend njerkun,
Të tretin,
Që tek mbyllte sytë,
Më kërkoi te kryet.

PLAGJIATURË
Unë, Udhës së Qumështit,
Ti, Kashtës së Kumtrit,
Në të njëjtën ëndërr,
Në kulmin e kumtit,-
E njëjta poezi
Në dy yllësi…

Nga kozmos i gjumit,
Të ikur qyshkur,
Në Udhën e Pluhurit,
Të dy nën akuzë
Për një plagjiaturë!

BALADA E NUSES

Tupanët më s’binin për valle…
“Për tutje” po jepnin kushtrim.
Fustani, palë pas pale,
Nga tymi i pushkëve nxin.

Gjogun, që erdhi për nuse,
E grahu kalorësi i luftës.
Me lot i mbushe shtatë puse,
Tek prisja në skajin e udhës.

Në shesh të përgjakur beteje,
Ty dasma papritur t’u kthye,
Veç velloja me pamje prej reje,
M’u shfaq vajtimtare mbi krye.

Fëmijët tanë të nesërm,
Thirreshin me radhë nën armë…
Në fund dhe mua, pa shpresën,
Mbi kalë më panë të vrarë.

E IKURA

Munde të ikësh
Në fis fisnikësh!

Vallja e flakëve u shua!

Netët e hijeve të tua,
Shtrihen e shtrohen nën mua.

 

MBRËMË

Mbrëmë,
Përmbys nën hënë,
S’ditëm ç’bëmë
E ç’kemi thënë!

Sot,
Një lot,
Me ne po lot,
Në tjetër mot!

MËNYRA LEXIMI

Abetaren lexoja me zë të lartë…
Pas meje, të gjithë njëherësh;
Nëna, vëllai, im atë,
Alfabetin thoshin përmendësh.

Me buzë lexoja më pas
Tolstoin, Buzukun, Faladën,
Ti vije buzën në gaz,
Nga buzët ma merrje Iliadën.

Me sy i lexoj mesazhet e tua,
As ti mos ta dish në to se ç’më thua.

FATI I PUTHJES

Çmendurisht të dashur,
Dashurisht të çmendur,
Në një trup shtrënguar,
Putheshim fare hapur
Trafikut të dendur.

Sy dhe sy, dhe sy…
Jo me gurë, me vështrime linçoheshim të dy!

Një plak në një park,
Na pa e shikimi iu lag…
Mbylli sytë e s’mundi më t’i hapë.

Tek unë ke kohë që s’je më ti…
Dhe plaku nën barin e ri rri shtrirë tani;
Me puthjet kyçur thellë syve të tij,
Ndrit terrin e verbër, ngroh dheun e zi!

DEMONI

-Pa Lermontov-
Stuhia çmendet brenda brinjëve,
Si ta qetësosh, të mbretërosh?!
Në buzë, një flutur psherëtime,
Dy sy në faj vështrojnë përposh.

Stuhia çmendet brenda brinjëve!

Ti lutesh: “Mendje, mbamë për dore!
Jep urdhër të pushojë kiameti.
Të shuhet kjo stuhi mizore,
Mallkoje gjëmën që më gjeti!

Ti lutesh: “Mendje, mbamë për dore!

M’i shkul me rrënjë prej qenies sime,
Të mjaltat joshje, të butin zë.
Më lër me veten, krejt jetime!
Veç jo me të! Ah, jo me të!

M’i shkul me rrënjë prej qenies sime…

Përplasu portë me forcë pas tij
Trokitjes kurrë më mos iu bind!”
… Dhe pret stuhinë sërish t’i vijë…
Nga jashtë ai gjëmon si xhind.

Gjëmon ai nga jashtë si xhind…

 

KRYERJA E ËNDRRËS

Nesër jam në qytetin, ku s’kam qenë.
Vij te ti, që më do e nuk të njoh.

Çdo gjë nga themelet po përmbyset atje, që tani:
Arkitektët po rrëzojnë ngrehinat, vitrinat, bujtinat,
Bojaxhinjtë marrin e japin me fasadat për dekorin e ri,
Shkulen mure, burgje, kurthe dhe gravura,
Mbillen lule, pemë, dhe skulptura.
Njerëzit kapërcejnë ylberë; burrat, gra e gratë, burra,
Adresat marrin emrin tënd, rrugët mbajnë emrin tim.
Edhe dita në të kundërt nis të lindë.

Me 3D, me yshtje, skaner, lazer, dhe mistri,
Me vinça-përbindësha, me mend e me duar,
Gjithçka ringrihet si në magji,
Që të bindem se qyteti i panjohur edhe ti,
Jeni çka kam ëndërruar!

PSALM I PËRMBYSUR

Peshku tejendanë çan detin.
I bindur se e ka të vetin.
Dhe deti, strehë e hapësirë,
I bëhet peshkut me dëshirë.

Dhe unë, “Zot” për Universin,
Si qengj e shkoj në hell planetin.
Po Toka, gjithnjë mëmë më mirë,
Mes dhimbjesh, prapë më quan bir!

Ja, mbreti që zbret vetë nga froni,
Ja, skllavi, që thotë: “Jam padroni!”

Për peshkun qan në qiell deti,
“O bir, ku je!”, më flet planeti.

BRIGJE

Më sill pak natë, t’i fshihem vetes!
T’i fal të gjitha ditët qelq.
Mes nesh harrim rrjedh lumi i Letes.
Një engjëll tej, këtej një dreq!

SYMBYLLAS…

Urryer prej kohësh,
Larguar qëkur,
Mund të duhemi prapë,
Nëse në tramin e fundit,
Do të shihemi nëntokës,
Metrosë së botës,
Dhe s’do të më njohësh.

Sërish mund të puthemi
Në ballë, në gushë, në buzë,
Symbyllas si dikur!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.