Kryesore

Pse nuk do mundet Ministria e Kulturës të jetë me artistët për teatrin?!

18:30 - 28.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Ministria e Kulturës dhe vetë titullarja e saj nuk do munden kurrë të vendosin, të paktën gjatë mandatit të saj, marrëdhënie normale me artistët. Jo thjeshtë me artistët që i janë dedikuar rezistencës për teatrin por edhe me komunitetin në përgjithësi. Duket se orët e prishjes së teatrit janë të numëruara. Akti më i pakuptueshëm ka qenë heshtja e titullarëve të këtij institucioni dhe mos pasja kurajë që të përballen me realitetin, duke u shpjeguar artistëve dhe duke gjetur mirëkuptim me ta. Është e kuptueshme që një ministri duhet të plotësojë planin e Ekzekutivit, por mbetet e pakuptueshme shkëputja e lidhjes së pjesës më të madhe të artistëve të gjithëë fushave të artit me Dikasterin e tyre. Në ditët në vijim titullarët do të plotësojnë procedurat që godina e Teatrit Kombëtar të zbrazet, pasi të zhvishet krejtësisht dhe të ekzekutohet.




Rrallëherë ka pasur një lëvizje që të mbrojë një institucion, siç ka ndodhur këtë herë. Paçka pretendimeve që mund të ngrihen se një pjesë e artistëve të përfshirë janë strukturë e Partisë Demokratike, për një gjë të vjen realisht keq: Mungesa e transparencës. Këtë nuk do ta mësojnë kurrë ministrat kukulla të Ekzekutivit tonë të tre partive, që mund të sakrifikohen personalisht si pa gjë të keq qoftë edhe me marrëveshjen më të lehtë që bëjnë titullarët e partive për interesat e tyre. Dhe, qenësia te Ministria e Kulturës e ka provuar këtë. Por nëse për artistët që mbrojtën kauzën e teatrit mund të gjendeshin vërejtje, pse vallë nuk u respektua Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, e cila përmes disa qëndrimeve dhe një deklarate zyrtare provoi se vërtetë nuk ishin kundër ndërtimit të një teatri të ri, por aman nuk mund të toleronin prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit, që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore për qytetin tonë. Po e citojmë një pjesë të letrës së tyre: “Teatri si pjesë e kësaj historie duhet të qëndrojë, të dëshmojë epokë artistike dhe por edhe arkitektonike. I lindur që në fillesë si një objekt me karakter artistik ai u bë në kohë djepi e streha e pasurisë artistiko- teatrore të kryeqytetit, u bë vendi ku lindi teatri modern Shqiptar. Për të ruajtur memorien e brezave të artistëve por edhe të qendrës historike të qytetit ai duhet të rikonstruktohet e restaurohet në formën që ka e ndoshta të mbetet si një sallë për shfaqje dhe evente të veçanta”, thuhet mes të tjerave në deklaratën që tashmë është harruar për politikanët.
Tashmë Agjensia e Prokurimit Publik ka nxjerrë dhe thirrjen për Komisionin e Vlerësimit, ku do të paraqiten projekte të reja për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, por realisht qenësia e shumë zërave dhe mbi të gjitha një mungese transparence është goditja reale më e madhe për artistët dhe këtë kakofoni, që e ka shoqëruar të gjithë procesin, duke shkaktuar dhe përçarjen e tyre. Më shumë se të gjitha është indiferenca dhe boshësia që rrethon njerëzit e Ministrisë së Kulturës.

Dhe, nëse për godinën ky institucion nuk mund të ishte përballë problematikës dhe t’i përballte subjektet e veta në fytyrë, duhet të ishte më ndryshe përgjegjës për jetën artistike të vendit, ku me kohë artistët nuk rreshtin së artikuluar problematikat me buxhetin, infrastrukturën, ligjin, etj., që i kanë shoqëruar dhe gjatë këtij sezoni artistik. Ata vazhdojmë akoma pa status dhe një ligj mirëfilli për teatrin. E kjo histori përmendet çdo fund sezoni, por gjërat mbeten njësoj. Me kohë është thënë se duhet një rikonstruksion i përgjithshëm i të gjitha gjërave, por gjërat mbesin, sepse titullarët e këtij dikasteri thjesht përcjellin problematika por nuk mbajnë. Dhe të mos mjaftojë kjo, buxhetet aktuale janë të varfra dhe të pamjaftueshme kurse nga dita në ditë po vdes Teatri Kombëtar, drama vendase, duke i lënë vend disa komedive që të bëjnë të qash më shumë sesa të qeshësh. Mbi të gjitha, artistët dhe njerëzit e teatrit, pohojnë se ka ardhur koha të ketë një riorganizim të jetës artistike, por vëmendja duhet dhe për kuadrin ligjor.
Me prishjen e godinës së Teatrit, Ministria nuk ka humbur vetë artistët që nuk e ndjejnë veten tek Turbina e shpallur me shumë zhurmë, por edhe besimin e tyre. Ministria duket sikur nuk është më institucioni i tyre, por i një qeverie që vetëm i qesëndis. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.