MILOSAO

Prof. Doc. Vangjel Melo, historia e një personaliteti të shquar shqiptar

18:00 - 22.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof.dr. inxh. Arqile Teta – Kujtojmë sot, një nga figurat më të spikatura për talentin, aftësitë profesionale shkencore, botimet e shumta dhe punën e palodhur në terren, në fushën e gjeo-shkencave të Gjeologjisë Shqiptare, gjeologun dhe shkencëtarin, Prof. Doc. Vangjel Melo-n.
Prof. Vangjel Melo lindi ne Terovë të Korçës më 04.03.1930. Mbaroi arsimimin e mesëm në Tiranë (Politeknikumin, sot shkolla Harry Fultz) me medalje të artë dhe me 1957 përfundoi studimet në Universitetin Lomonosov të Moskës me diplomë të shkëlqyer. Që nga viti 1957 e deri sa doli në pension më 1990 punoi si pedagog dhe përgjegjës katedre në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Pas daljes në pension punoi disa vite si pedagog i jashtëm dhe vazhdoi punën e tij kërkimore shkencore dhe botuese me tej vitit 2008. Profesor Vangjeli u nda nga jeta me 22.02.2018.




Prof. V. Melo, hartoi programet mësimore dhe zhvilloi mësimdhënien (leksione, seminare, ushtrime, ekspedita mësimore e kërkimore në teren) në Universitetin e Tiranës (në Degën e Gjeologjisë, të Gjeofizikës dhe në Degën e Gjeografisë) në disiplinat e gjeoshkencave si “Gjeotektonikë”, “Gjeologji strukturore” “Gjeodinamikë”, “Gjeomorfologji”. Për këto disiplina themelore për gjeologët ai botoi dhe tekstet mësimore përkatëse për herë të parë në gjuhën tonë. Në vitin 1970 botoi tekstin “Tektonika dhe Rilevimet”; në vitin1985 botoi tekstin “Deformimi i shtresave dhe mekanika e formimit të rrudhave dhe shkëputjeve”; në vitin 1990 botoi “Gjeologji strukturore – Gjeotektonikë” dhe më vonë dalin nga dora e profesorit kryeveprat e tij që lexohen me ëndje dhe nga specialistë të tjerë afër dhe larg gjeologjisë si “Tektonika “ të cilën e botoi në vitin 1997 dhe librin në dy vëllime “Tektonika dhe dinamika e tokës”. Pjesa e parë trajton “ Deformacionet tektonike” (2004) dhe pjesa e dytë “Ndërtimi i brendshëm dhe dukuritë fizike të Tokës, tektonika e pllakave dhe proceset gjeodinamike” botuar ne vitin 2008.Me këto botime ai hodhi themelet e trajtimit shkencor të disiplinave dhe të dukurive të gjeologjisë krahinore e veçanërisht të tektonikës.

Ai do të mbetet në historinë e Gjeologjisë Shqiptare për idetë, tezat e hipotezat e tij për ndërtimin gjeologjik të vendit tonë, për zhvillimin dhe praninë e një tektonike tepër të ndërlikuar në evolucionin gjeologjik 550 milion vjet. Botimet e tij janë origjinale e te ilustruara me dukuri gjeologjike shqiptare, unikale ku gërshetohet organikisht teoria me interpretimet teorike. Ai ishte bashkautor pothuaj ne botimin e të gjitha hartave madhore të gjeoshkencave të Shqipërisë; si në atë Gjeologjike, Tektonike, Neotektonike, Gjeomorfologjike, Sizmike, Gjeologo-Inxhinerike. Kjo u arrit nga puna konkrete disa dhjetra vjecare në terren, nga interpretimet me kompetencë shkencore të dukurive gjeologjike dhe nga bashkëpunimi korekt me kolegët. Kontribut shkencor me kompetencë dhe autoritet profesional ai ka si bashkautor dhe në disiplinat e tjera gjeologjike: si në atë të petrografisë , gjeokimisë, paleontologjisë, gjeofizikës. Ne kolegët e tij e kujtojmë me respekt e nostalgji se karakteri dhe profili tij në punë dhe në jetë ishte tepër origjinal, i veçantë, madje dhe me shumë kundërshti. Por formimi i tij, kultura profesionale, puna dhe karakteri këmbëngulës e çonin atë në konkluzione dhe teza gjeologjike jo vetëm të guximshme e të thëna përherë të parë nga ai me origjinalitet dhe bindje të plotë si specialisti më i kualifikuari i fushës.

Prof. Melo lëvroi kryesisht disiplinën e vështirë dhe teorike siç është (në emërtimin e përgjithshëm) gjeologjia krahinore e në mënyrë më të ngushtë ai u bë me kalimin e viteve tektonisti më i shquar i Albanideve dhe më gjerë. Në këtë fushë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjeologjinë shqiptare gjeologët e mëdhenj të huaj të shekullit të kaluar si F.B. Nopça (Nopsca), E.Novak, Zh.Burkar (J. Bourcart) dhe mbi të gjithë Stanisllav Zuber-i me hartën e tij të famshme”Harta Tektonike e Shqipërisë” në shkallën 1:400 000″ (viti 1942). Pikërisht hartat dhe hipotezat që lanë këta korifej prof. Vangjel Melo-ja jo vetem pati guximin t’i çek e t’i lëvrojë, por me talentin dhe aftësitë e tij i zhvilloi, i konfiguroi e i përsosi më tej duke plotësuar boshllëqe dhe mangësi duke e bërë kështu me vërtetësi më të plotë gjeologjinë krahinore të Shqipërisë.

Mbetet i paharueshëm për ne viti 1967 kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë gjeologu francez me reputacion të lartë në Europë dhe në Botë prof. J. Obueni (Aubouin) (Akademik i Frances), i cili në leksionin e hapur publik në sallën e madhe të Universitetit të sotëm Politeknik deklaroi me kompetencë të pakundërshtueshme se: teza e Profesor Meló-s –siç tha ai –është e vërtetë se në malin e Korabit takohen formacione gjeologjike të vjetra të mbihipura në formacione më të reja në moshë. Për herë të parë vërtetohej nga gjeologët tanë teoria e mbihipjeve. Ky ishte një miratim i padiskutueshme i një laure doktorate që e konfirmonte akademiku francez. Ky vlerësim i dha Vangjelit një emër të një gjeologu të talentuar. Profesori ynë fliste për herë të parë si gjeolog shqiptar për këto fenomene të kundërshtueshme e disa herë të papranueshme nga rutina e përditshme e asaj kohe. Por në të njëjtën kohë i dhanë atij një besim në dijet e tija që në këto ulli të teorive te reja progresive ai të vazhdonte kërkimet dhe zbulimet e tij të mëtejshme.
Profesor V. Melo, mes gjeologëve shqiptarë, ishte një ndër të parët, që hodhi themelet e trajtimit shkencor të disiplinave dhe të dukurive të gjeologjisë krahinore e veçanërisht të tektonikës. Ndër punimet shkencore më të spikatura (monografi dhe artikuj shkencorë) të prof. V. Melo-s, në disa raste dhe me bashkautor, të cilave u referohen shumë studiues e gjeologë janë: “Marrëdhëniet gjeologjike të sekuencës flishoidale numulitike me depozitimet e mbishtrira në zonën e Korrabit (1966)”, “Gjeologjia dhe tektonika e njësisë të Gramozit në sektorin Helmës-Shtikë-Kozel dhe marrëdhëniet me zonën e Mirditës (1973)”, “Gjuha flishore Peshkopi-Labinot dhe mendimet për vendosjen paleotektonike dhe tektonike të saj (1982)”, “Mbulesa tektonike në sektorin Lezhë-Milot të nënzonës Krasta (1984)”, “Tektonika mbihipëse dhe mbulesore në Albanide (1985)”,”Tektonika mbihipëse dhe mbulesore në strukturën gjeologjike të Albanideve (1990, 1991)”, “Dritaret tektonike të zonave të jashtme në rajonin lindor të Albanideve (1990,1991)”, “Struktura tektonike e Shqipërisë (dorëshkrim), që shoqërohet me një hartë të zonimit tektonik të Shqipërisë” (viti 2000).

Me imagjinatën e tij të zhdërvjelltë dhe krijuese Prof. Melo përfytyroi lëvizjet e brendshme të tokës, forcat aktive brenda saj në qindra miliona vjet dhe reflektimin e veprimit të tyre në konfigurimin morfologjik të trevave të ndryshme dhe të Albanideve. Më së miri kjo është pasqyruar në monografitë e profesorit, ku spikat origjinaliteti si produkt i një pune e njohje të hollësishme të terrenit, të cilin autori e shkeli pëllëmbë pas pëllëmbe. Ndër to vlen të përmendim: “Strukturat e thella të korës së tokës (1983)”,”Ndërtimi dhe zhvillimi gjeotektonik i Albanideve (1986)”, “Mbi paleosforcimet në shkëputje të zonave të ndryshme tektonike të Shqipërisë, dinamika e vijës bregdetare të vendit bazuar në hartat topo-foto ajrore në tarracat detare dhe shkëputjet bregdetare” (2002)”. Për gjeografët shkroi monografine: “Gjeografia fizike e Shqipërisë”.
Profesor Vangjelit edhe pas daljes në pension nuk e ndërpreu asnjë çast aktivitetin pedagogjik e kërkimor-shkencor. Ai vazhdoi të punojë me të njëjtin ritëm e pasion edhe për 28 vjet të tjera jo vetëm në auditore por dhe në malet, gërxhet, fushat dhe bregdetin e atdheut të tij. Ai bën përgjithësime më të thelluara të studimeve të ndërtimit gjeologo-tektonik të Albanideve, boton dhe riboton tekste mësimore të përmirësuara me risi të mbledhura në terren dhe nga literature e huaj gjatë viteve, të cilën e shfrytëzonte në disa gjuhë. Integron në to diskutimet e përvojën e mbledhur në kontaktet me gjeologë të vendit dhe të huaj në forume, konferenca e simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai boton si autor dhe bashkautor një sërë artikuj me vlerë e origjinalitet në revista shkencore të vendit dhe europjane. Vlen të nënvizojmë se asnjë artikull nuk iu kthye prof. Melo-s nga ndonjë revistë shkencore e huaj. Nga disa revista ai kishte kërkesa të vazhdueshme për bashkëpunim.


Vlerësime me konsiderata të veçanta japin për prof. V. Melo-n gjeologët tanë më të njohur dhe me kontribute të rëndësishme në gjeologjinë shqiptare. Kështu prof. Shyqyri Aliaj, tektonisti dhe sizmologu më në zë, e vlerëson Prof. Melo-n si “ gjeologu ynë tektonist më i miri dhe personalitet i shquar i shkencave të tokës”. Prof. Selam Meço, paleontolog dhe stratigraf, i njohur dhe në vendet europiane me studimet e plota e shteruese mbi “amonitet” dhe “konodontët” në vendin tonë, e konsideron prof. Melo-n: “themeluesi dhe udhëheqësi i tektonikës moderne në Shqipëri- dhe kur ishte ende gjallë e ka quajtur-”Krenaria e gjeologjisë shqiptare”. Prof. Jorgo Kanani, mik i ngushtë i të ndjerit profesor, para ca vitesh kur shkoi në Francë mori me vete, ndërmjet të tjerash dhe punimin e prof. Melo-s “Evolucioni paleogjeografik i Albanideve”. Pati rastin dhe ia tregoi një gjeologu të shquar, profesor i po atij universiteti ku merrte përvojë studimore, i cili kur e pa – tregon Jorgua – u shpreh: “Një punë e shkëlqyer origjinale, e një niveli shkencor mjaft të arritur!” Të tilla ishin mjaft punime të profesor Vangjelit. Po kështu vlerësime të larta shprehin për të dhe profesorët J. Vllaho, A. Çina, E. Dodona, A. Tashko, S. Bushati, Ç. Durmishi, K. Onuzi, Gj. Gruda dhe shumë studius, gjeologë, gjeografë dhe ish studentë të tij.
Profesor Vangjeli në marrëdhëniet me studentët, kolegët dhe bashkëpuntorët e tij karakterizohej nga nje komunikim serjoz e frutdhënës duke pranuar diskutime e kundërshti. Ai në punë ishte gjithmonë kërkues, rigoroz, këmbëngulës, i palodhur për të gjetur të vërtetën e dukurisë gjeologjike. Por mbas punës, sidomos në terren, ai transformohej krejtësisht. Bënte biseda të ngrohta me një buzëqeshje të këndshme shlodhëse. Ia merrte dhe këngës, sikur të ishte një këngëtar profesionist. Në repertorin e tij të parat ishin këngët korçare e pastaj kolonjare, përmetare e deri të labëris.
Prof.Vangjeli ka qenë mjaft i përkushtuar dhe i përqendruar në çdo studim e observim të dukurive gjeologjike. Ish studenti, kolegu dhe bashkëpunëtori i tij në disa studime, artikuj dhe referime shkencore, prof. Çerçis Durmishit ka shumë kujtime.
Ne periudhen 2002-2005 të dy profesorët ishin bashkëpunëtorë në studimin madhor të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar: “Studimi Gjeologo- Sedimentologjik dhe monitorimi i Hapësirës Bregdetare të Shqipërisë. Impaktet në zhvillimin mjedisor, infrastrukturor ,urban dhe turistik’’. Mbasi kryen vrojtimet ne terren në pjesën tokësore të zonës bregdetare Vlorë-Sarandë, prof. Vangjeli i thotë kolegut të tij: “…me ka ngelur merak i madh, o i dashur Çeço që nuk e kam vëzhguar gjeologjinë dhe gjeomorfologjinë e kësaj zone nga deti…’’. Prof. Durmishi rregulloi gjithçka çfarë duhej dhe një ditë që në orën 05.00 në një peshkarexhë nisën udhëtimin në det. Prof. Durmishi tregon: “Prof. Vangjeli u ul në një karige dhe mbi disa formate A3 filloi të skiconte në tre dimensione me stilin “Vangjelian’’ gjeomorfologjinë dhe gjeologjinë e segmenteve në vijueshmëri të bregdetit. Ndërsa peshkarexha vazhdonte lundrimin, Profesori mbushte formatet me një qetësi, e përqendrim magjepsës, Vështrimi i tij shkonte nga panoramat shkëmbore marramendëse në planshetat e formateve te vizatimit, veprime te cilat transmetoheshin dhe përpunoheshin në ‘’serverin’’ e profesorit dhe dora me lapsin stamponin produktet e dukurive gjeologo-gjeomorfologjike. Pas 6 orë lundrim arritëm poshtë Qafës së Llogarasë. Kapedani dha urdhrin e mbledhjes se rrjetës së peshkimit dhe kthimin e peshkarexhës. Në një moment, gjatë manovrës së kthimit nga veprimi i dallgëve, peshkarexha filloi të lëkundej majtas e djathtas frikshëm. Të pa mësuar dhe pa përvojë, në atë çast të gjithëve na pushtoi një ankth mos përmbysej varka. Profesori i zhytur dhe i përqendruar në skicimet e tija vazhdonte si i përhumbur dhe fare i qetë punën e tij… . Çfarë përqendrimi, përkushtimi e pasioni të madh kishte profesori në procesin krijues! Ai studim i mrekullueshëm dhe ato skica mahnitëse e shumë shpjeguese për disa fenomene gjeologjike janë të vetmet deri sot për gjeomorfologjinë e bregdetit Sarandë-Vlorë vështruar nga deti” – e mbyll tregimin e tij prof. Çerçiz Durmishi.
Prof. Vangjel Melo nuk do të harrohet se la pas punime të shumta shkencore. Mbeten thesar shumë i çmuar botimet e tij, tekstet dhe monografitë e shkëlqyera, artikujt shkencorë të bazuara mbi arritjet më të avancuara teorike të shkencave gjeologjike të kohës së tij. Mbeten hartat gjeologjike madhore (me bashkautorë) që la për gjeologët e studiusit e brezave të ardhshëm. Ai do të kujtohet me respekt e dashuri nga ish studentët e tij, të cilët janë mirënjohës pa kufi për dijet e gjera e të thelluara që ai u dha pa u kursyer, me durim, pasion e përkushtim për një periudhë kohore prej 60 vjetësh.
*Tiranë, shtator 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.