Sandër Lleshaj ka munguar mbrëmjen e djeshme në stadium. Thuajse e gjithë qeveria, deputetë e politikanë të njour kanë qenë mbrëmë në inaugurimin e stadiumit të ri, por ministri i Brendshëm jo. Ka qenë vetë Lleshaj ai që ka treguar se biletën e tij ka vendosur t’ja dhurojë Ina Nukës. Kujtojmë se policia mbeti e dëmtuar gjatë protestës përpara Parlamentit. Pas kurimit të dorës së saj, Nuka është rikthyer në vendin e saj dhe dje ka shijuar ndeshjen live.
“Sot në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar, preferova të dërgoj Ina Nukën në vendin tim në stadium, si shenjë respekti për sakrificën e kësaj punonjëse të PSH bashkë me urimet më të mira për gjithë sportdashësit shqiptarë, që sot si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e futbollit janë mbledhur nën ngjyrat kuqezi për të përkrahur ekipin tonë kombëtar. Rroftë Shqipëria!”, ka shkruar ministri përkrah fotos ku shfaqet efektivja e policisë.