KULTURË

Ana Golja shkëlqen me filmin “The Cuban”

17:09 - 25.05.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Edlira Çini

Filmi “The Cuban” i cili mbylli me sukses “Los Angeles Pan African Film Festival”, më datën 21 Maj në orën 21:00, hapi po me të njëjtin sukses “Canadian Film Fest”.

Ana Golja, artistja tashmë tepër e njohur dhe e dashur mes nesh, e lindur në Kanada me origjinë Shqiptare, shkëlqeu në rolin e Minas përkrah fituesit të çmimit Oscar, Louis Gosset Jr. dhe aktorëve të tjerë të mirënjohur si Shohreh Aghdashloo, Giacomo Gianniotti dhe Lauren Holly.

Për ata lexues që ndoshta ende nuk kanë hasur të prezantohen me emrin dhe punën e saj, Ana ka filluar karrierën që në moshën 5-vjeçare, dhe midis roleve të shumta, ajo njihet më tepër për rolin e Zoe-it te “Degrassi”, Lea-s në filmin “The Fanatic” përkrah John Travoltës dhe roleve të tjerë kryesorë në filmat “Full Out”, “Crazy For Boys” etj. Çfarë e bën Anën të veçantë midis bukurisë, thjeshtësisë, dhe fisnikërisë që ajo posedon, është dhe puna e palodhur për të qenë një artiste shumë dimensionale.

Ana, përveçse luan piano, kitarë, klarinet, është gjithashtu një balerinë e mirëfilltë dhe këngëtare, e cila ka publikuar albumin “Epilog” në 2018 dhe “Single” “Bailamos” në 2019.

Ana Golja, edhe pse e lindur në Kanada, impresionoi publikun shqiptar me shqipen, lirshmërinë dhe performancën e saj përbri aktorit Viktor Zhusti në prezantimin e Festivalit të 57-të të Këngës në Janar të 2019-ës.

Rezymesë së saj të larmishme, tashmë i shtohet dhe titulli «Producente» me realizimin e filmit «The Cuban». Film i cili pati mjaft sukses dhe ka fituar tashmë 2 çmime: Best Narrative Feature and Best Cinematography.

Një dramë e cila tregon për fuqitë e muzikës dhe aftësinë e saj për të kapërcyer jo vetëm sëmundjen por dhe moshën, fenë, kulturën dhe pothuajse çdo konstruksion tjetër që mund të imagjinoni!

Personazhi i Ana Goljas, Mina është një studente e infermierisë, e cila është e punësuar në një shtëpi të moshuarish. Ajo me dashurinë dhe pasionin për profesionin e saj, brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet muzikës, ushqimit dhe fotove krijon një qendër të gjallë kujtese për Z. Garcia, i cili ka qenë një kitarist i njohur po që tashmë ka humbur kujtesën. Ajo i ringjall kujtimet e së kaluarës së tij përmes xhazit Kuban.

Në këmbim, ai i rikthen asaj pasionin për muzikën.

Ana me talentin e saj, na bën të buzëqeshim aq sa dhe të qajmë. Në një nga intervistat Ana është shprehur se sa e lidhur është nga ana emocionale me historinë e filmit.

Një nga inspirimet për fillimin e këtij filmi, ka qenë stërgjyshja, e cila vuan nga e njëjta sëmundje. Kjo lidhje emocionale shihej qartë në film, nëpërmjet lotëve bindës të Anës. Filmi është i pasur me aftësi aktrimi dhe detaje vëzhguese si dhe përqendrim emocional.

Një kritik shprehet “Aspekti më tërheqës i filmit për mua ishte vëzhgimi me kujdes i personazheve të Gosset, Gianniotti dhe Golja – duke u munduar të kuptoj se kush është mësuesi dhe kush është studenti. Në çdo skenë të caktuar më mbajti të ngjitur në ekran! Kthimi i roleve ishte me të vërtetë një mrekulli dhe kënaqësi!” Ai e mbyll duke thënë “Kini kujdes nga ky film. Mund të vjedh më shumë se vetëm zemrën tuaj”.

Tepër krenarë dhe të lumtur për të, ne i urojmë Anës suksese të mëtejshme.

Flasshqip


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.