Ende edhe sot për shumë prej nesh janë të gjalla fotografitë turbulluese të zbrazëtirës dhe vetmisë së rrugëve, dyqaneve e parqeve në pranverën e 2020-ës… Në antitezë; përtej pasigurisë financiare, shqetësimit për shëndetin dhe nevojës për të dalë në ajër të pastër, brenda avllive dhe mureve të shtëpive, shumë prej nesh kishin filluar të kalonin kohë cilësore me fëmijët e të forconin familjen.
Që nga më të vegjlit e deri te gjyshërit u bënë pjesë e punëve të shtëpisë, nismave dhe lojërave së bashku e ndërkohë nuk harronin të fiksonin momentet më të bukura gjatë kohës së pandemisë… Ideja e kësaj ekspozite virtuale lindi nga shfletimi i qindra fotografive të shkrepura nga vetë anëtarët e familjeve si rrjedhë e shumë aktiviteteve të organizuara “online” nga “World Vision” në 25 bashki ku aktualisht punon.
Nën kujdesin e fotografes dhe kuratores së ekspozitës, Soela Zani, janë përzgjedhur 72 fotografi të organizuara në 4 galeri e të ideuara në variantin 3D.
Fotografitë
Ato nuk janë fotografi profesionale, as fotografët nuk janë profesionistë të fushës, por janë foto të thjeshta nga përditshmëria e fëmijëve dhe familjeve, në pjesën më të madhe të rasteve të shkrepura me aparat celular, por që përcjellin emocione reale dhe shumë dashuri.
Mes fotove mund të dalloni dikë prej të afërmve tuaj, të njohur të largët apo edhe miq. Do të shikoni prindërit, mësuesit, psikologët, vullnetarët dhe stafin e terrenit të “World Vision”, që u shndërruan në heronj të heshtur, e që siç është shprehur edhe një prej të rinjve nga Librazhdi: “Ne vadisim fidanët, ju vadisni shpresën”. Nga ana tjetër, me siguri do të dalloni momente të ngjashme si shumë ndër ato që edhe ju keni kaluar në familjet tuaja.
Përse “online” dhe ku mund ta gjeni? Për të mbrojtur shëndetin tonë, duke respektuar masat e autoriteteve, distancimin fizik dhe duke shmangur grumbullime masive siç mund të ndodhë shpeshherë në inaugurimin e ekspozitave, sollëm për herë të parë një ekspozitë ndryshe, një ekspozitë tërësisht “online”, të bukur dhe sfiduese njëkohësisht.
NË KËRKIM TË LUMTURISË NË KOHË PANDEMIE…
Distancimi fizik i bëri njerëzit të ndihen të izoluar dhe të vetmuar. 35% e familjeve në Shqipëri raportojnë nivele të larta stresi dhe ankthi. Gjatë kësaj periudhe, specialistë të fushës së psikologjisë sugjeruan aktivitete të larmishme në familje, ku të gjithë, pavarësisht moshës, mund të bëheshin pjesë e lojërave të ndryshme dhe të mos ndjenin peshën e “izolimit”. Për të ndihmuar familjet shqiptare të përballonin këtë situatë, “World Vision Albania” ndërmori nisma si #Stayathomefamilychallenge, një seri 30-ditore podcastesh, ku 2 psikologë si Anila Sulstarova dhe Florian Kulla trajtonin tema të rëndësishme për të krijuar reziliencën. Nga ana tjetër, ende edhe sot vijon mbështetja me paketa ushqimore dhe higjienike për familjet më në nevojë, si dhe shpërndarja e fidanëve, farave, apo artikujve të ndryshëm për pemtarinë dhe bletarinë për familjet që jetojnë në zona rurale, në mënyrë që ata të kishin mundësinë të kujdeseshin për fëmijët dhe familjet e tyre. Shumë prej tyre thonë se kjo periudhë i ka vënë në mendime e që kishte ardhur koha të kujdeseshin edhe më shumë për fëmijët e tyre e të jenë aty jo vetëm për t’u argëtuar, por edhe për të qenë vigjilentë për t’i mbrojtur nga çdo lloj forme dhune apo abuzimi nga të njohur e të panjohur.
Mirëqenia e fëmijëve dhe familjeve më në nevojë dhe forcimi i familjes si institucioni thelbësor për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët në Shqipëri dhe në Kosovë është mesazhi kyç që kjo ekspozitë përcjell në çdo element të saj.