KULTURË

Drita e pashuar e veprës naimiane

11:01 - 15.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ymer Çiraku – Plot 95 vjet më parë (1925), në përkujtim të 25-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar Naim Frashëri, një grup studentësh shqiptarë të Gracit në Austri, me një përkushtim vërtet mjaft mbresëlënës të tyre botojnë librin “Naim Frashërit! Vjershëtorit dh`edukatorit kombëtar”.
Në faqet e këtij libri, përgatitësit përfshijnë shkrime të tyre, por edhe shkrime prej të tjerëve, duke synuar që ta sjellin dhe ta shpalosin sa më të gjallë para shqiptarëve këtë figurë të ndritur, i cili, me veprën e tij, iu nënshtrua pa kushte misionit të shenjtë ndaj bashkatdhetarëve të tij, me të vetmin qëllim: “Që t`u ap pakëzë dritë/ Natënë t`ua bënj dritë…”.
I parë nga koha e sotme, ky libër i kujtesës së çmuar, tashmë me jetë gati njëshekullore, mbart një domethënie dhe simbolikë me vlerë tejet aktuale. Duhet kujtuar se e botuan një grup të rinjsh universitarë, të cilët, natyrshëm përfaqësonin të ardhmen e Shqipërisë, duke dëshmuar ndërkaq, se kishin vendosur ta ndiqnin me plot përkushtim, udhën e çelur prej kohësh nga etërit e kauzës kombëtare.
Po cilat ishin shkrimet e përfshira në këtë libër?
Studentët që e kanë përgatitur, duket se nuk janë nxituar të përfaqësohen kryesisht e vetëm ata, sado që ndjenja e fortë e moshës së re për afirmim dhe për protagonizëm, natyrshëm që mund të zotëronte në shpirtin e tyre. Por duket se ata studentë të rinj, para së gjithash, janë zotëruar veç prej përgjegjësisë për ta risjellë e për ta inkuadruar në një vështrim sa më të plotë figurën e poetit, si një misionar përherë frymëzues për botën shqiptare. Prandaj edhe dëshmohet si modesti mjaft e dukshme/qëllimshme dhe e përkorë – ai shënimi autorial në fund të faqes hyrëse të librit: “1925 Një grup studentësh t`Austrisë (Graz)”. Pra, përgatitësit e tij, duket se kanë vendosur të mbeten anonimë, me synimin për t’u shpalosur sa më rrëzëllitëse drita e misionit të poetit.
Kujtimet dhe shënimet e dëshmitarëve gjatë viteve të mëvonshme, sigurisht që i kanë përcjellë identifikimet përkatëse të iniciatorëve të botimit, por entuziazmi idealist i përgatitësve të tij, duket se ka qenë më i rëndësishëm se bërja e llogarive për dukjen/njohjen dhe vlerësimin e kontributit të tyre nga të tjerët.
Lënda e librit përbëhet nga disa boshte: këtu janë përfshirë pjesë antologjike prej krijimtarisë së N. Frashërit, poezi kushtuar atij – të krijuara në kohë të ndryshme prej Asdrenit, Lasgush Poradecit, po ashtu kujtimë rreth takimeve me të prej Sevasti Qiriazit (Dako), Lumo Skëndos (Midhat Frashëri), pastaj disa analiza letrare e gjuhësore mbi veprën naimiane.
Brenda një mozaiku tekstesh të zhanreve të ndryshme, libri shpalos gjithsesi një strukturë të brendshme unitare, që është në harmoni me synimin e shpallur qysh në parafjalën e tij – ku i drejtohet dhe i premtohet lexuesit se, ky libër …është pema e një qëllimi të marë para sysh prej studentëve Shqipëtarë për të nderuar kujtimin e Prindit të rilindjes s`onë kombëtare, sidomos në lëmë të literaturës…Po dëshira jonë, nuk ish aq shumë mbushja e një detyre kujtimi, se sa më tepër, të rrëmuarit e drejtimit të veprës së Naimit në palcën e saj dritëdhënëse për një stërvitje kombëtare të vërtetë.
Kjo stërvitje kombëtare e veprës së Naimit – do të thotë qartazi se ajo vepër, nuk ka mbetur kurrsesi në “sëndukët” e kyçura të kujtimeve të historisë, por pluskon e gjallë dhe e zjarrtë me kohën aktuale dhe me kohën e pritshme. Poeti i ndjenjave të holla delikate, Helenau (Kolë Mirdita), në esenë e tij, përtej gjendjes së rëndë, që kishte zaptuar vendin në vitet e trazuara e mjaft të vështira të fillimshtetit të pavarur, apelon për dritën e shpresës, e cila, mbetet përherë e ndezur: Sadó poshtë të ketë ranë nji kombë, sadó ta ketë zatetë nji gjumë i randë, kur e lmon fjala e amël e nji idealisti me qëllime të kullueta e të bekueme, nuk â për t`u disprue! E Naimi qe ay idealist i hyjnueshëm, qe ajo fryma jetëdhanëse prendveret e qé ay diell, që i shkëlqej kombit t`onë, që na zgjoj nga gjumi shekullor e na bani për s`dyti Shqiptarë! Pra, studenti i ri i Gracit të Austrisë, është besimplotë se autoriteti i poetit, është i pranishëm si hija madhështore e maleve, sado i pazëshëm, i pandjeshëm që mund të duket për veshin e disave – të shurdhuar prej etheve të politikës, prej zhurmës së hasmërive, apo të mllefeve dhe grykësive të ditës.
Është pikërisht brenda kësaj strukture – me një unitet e fill të brendshëm ideor – edhe vendosja e pjesëve të zgjedhura antologjike nga krijimtaria poetike e Naimit:




Në mest tuaj kam qëndruar,
E jam dyke përvëluar,
Që t`u ap pakëzë dritë,
Natënë t`u a bënj dritë…

Unë jam në shpirti t`uaj,
Mos më kini për të huaj. ( N. Frashëri – “Fjalët e qiririt”)

Për Lasgush Poradecin, Naimi është poeti që e ka sfiduar shkretëtirën e harrimit, që ka sfiduar po ashtu edhe tërë privacionet e jetës së vet. Ai është dhe mbetet poeti dhe apostulli i shpresës së kombit të tij:

Që fluturon nër zjarr e flakë,
Therorrësin` e vetëvetes
E pate dhembjen më të pakë… (L. Poradeci – “Naimit”)

Kurse për Asdrenin, poezia naimiane është fyelli magjistar, që me tingujt e dashurisë së zjarrtë për tokën arbërore: Na jep fuqi dhe hir qiellor… Dhe e kujton plot venerim për misionin e tij frymëzues ndaj brezave: O fyell, t`adhuronj me mall e besë,/Se bashk` me zërin t`ënd hyjnor jam rritur… Që nga Bukureshti i Rumanisë, si një veprimtar i shquar e komunitetit shqiptar atje, në shkrimin e tij të përfshirë në libër, ai e vlerëson botimin e studentëve kushtuar Naimit, si një vepër fort idealiste që shërben për të zgjuar ndjenjat t`ona të ngurosura, (ajo) êshtë një trupmpetë êngjëlli që thërret së Larti e që na thotë: “Kujtô-i-ni të parët t`uaj edhe gjurmôi-ni në ideët e porositë që ju patnë lënë trashëgim për të parë dritë e për t`a gjetur udhën e vërtetë për lumturin` e vet edhe për fatbardhësin` e Shqipërisë!”
Mjaft emocionuese janë edhe përjetimet e sjella prej Sevasti Qiriazit nga takimet e saj me Naimin në Stamboll, atje ku ajo ndodhej e shoqëruar edhe nga i vëllai i saj Gjerasimi. Ajo sapo ishte diplomuar në kolegj dhe kishte vendosur që para se të realizonte misionin e lartë për hapjen e shkollës së parë shqipe të vashave (Korçë), të takohej me poetin, për të marrë bekimin e tij. Dhe fjalët e Naimit, mbetën të skalitura në mendjen e kësaj heroine të shkollës së parë shqipe: Te gjitha ato çupa e gra që do të vijnë nën hijen tënde i frymëzo me ideale të nalta e të vërteta, që të arrijmë një qytetërim të vërtetë, edhe kështu ta bëjmë edhe brezin tonë të pushtonjë gjithë ato virtuta dashurije, vëllazërije, atdhetarije dhe bashkimi që karakterizon kohërat e Skënderbeut…
Dhe kur u çel e para shkollë shqipe, përmes aq pengesave e peripecive të panumërta, Naimi nuk harroi që t’u shkruajë e t’u niste letrën e tij, ku ai u shprehte gëzimin e tij të madh për këtë mision të realizuar e që do t’i ndriste faqen mëmëdheut. Dhe S. Qiriazi i mbyll kujtimet e saj – me bindjen e thellë se, ndonëse poeti ende nuk e kishte të ngritur deri asaj kohe një përmendore mermeri, ajo ndihet e sigurt se ai e ka tashmë një përmendore të gjallë, që është më e larta, më madhështorja, më e pathyeshmja, përmendorja që është skalitur plot dashuri në zemrat e shqiptarëve.
Në këtë botim, zë vend dhe një tekst kritik mbi poezinë e N. Frashërit, shkruar nga Krist Maloki, me pseudonimin e tij letrar K. Lepeteni, edhe ky student i ri asokohe – në Austri. Pak vite më pas, ai do të jetë nga zërat më të spikatur në kritikën letrare të kohës, për thellësinë e interpretimeve dhe prirjen e fortë polemiste në argumentet letrare të shqyrtuara prej tij. Te shkrimi i botuar në këtë libër, vërehet një vështrim i thellë mbi krijimtarinë e poetit, me kompetenca të sigurta filologjike dhe nisur prej metodës psiko-analitike, si ndër të parët ndjekës të kësaj metode studimore në kritikën letrare shqiptare. Autori këtu prezantohej si një kritik shijehollë e mjaft i përgatitur, duke e parë Naimin në një kontekst të gjerë kulturor e letrar, si një personalitet të pashkëputur nga letërsitë dhe qytetërimet e tjera. Kjo sigurisht që shkonte në simetri me vlerësimin e tij për këtë poet – përtej caqeve lokale. Kritiku që preferonte të hulumtonte, nisur prej premisash të tij preferenciale teorike psiko-analitike, parashtronte pikëpamjen e vet se zgjimin nga qëndrimet mistiko – ëndërrimtare të periudhës së tij të parë të rinisë, e bëjnë prej kësaj kohe e më pas Naimin – simbol rreth idesë së zgjimit kombëtar, duke marrë mbi vete një rrugë plot mundime e rreziqe …por edhe plot gëzime e kënaqje të përbrendshme. Kështu, shpirti i tij tingëllon në një melos të pa fund dhe ngjitet përpjetë kah qielli kombëtar, nga i cili e përcjell, si një yll i mallshëm, rokullitjen e botës s`onë shqiptare…
Përgatitësit e këtij botimi, kanë qenë të kujdesur të mos harrojnë të përfshijnë këtu edhe një emër mjaft të njohur nga fusha e dijeve në nivel europian e më gjerë, sikundër ishte Norbert Jokli, profesor në Universitetin e Vjenës. Ishte një gjuhëtar i shquar, që kishte botuar studime mjaft të thelluara edhe mbi historinë dhe etimologjinë e shqipes. Në libër, për botim është zgjedhur një studim i këtij gjuhëtari mbi rolin e madh të veprës së Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe. Te ky personalitet përtej letrar, ai sheh dhe vlerëson modelin e njohur edhe te popuj të tjerë – të atyre figurave të autoritetshme, të cilët, imponohen natyrshëm me ndikimin e veprave të tyre. Ata janë mbartës të projekteve të mëdha në ide apo në aksione dhe lëvizje sociale, duke lënë gjurmë dhe duke realizuar sipas rastit, ndryshime e transformime të thella në historinë e popujve të tyre.
Për Joklin, vepra letrare e N. Frashërit nuk pati vetëm rol në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe emancipimin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve, por ajo shërbeu ndërkohë edhe si një burim e vatër pasurimi të shqipes. Ky është sigurisht një mision, që arrijnë ta mbartin sidomos shkrimtarët e talentuar, pikërisht ata, që në laboratorët e tyre krijues, punojnë mjeshtërisht me brumin e fjalëve posi magjistarë të vërtetë, duke endur asi formash e trajtash shprehëse, të cilat, me autoritetin e emocionit letrar që mbartin te lexuesi, nguliten e bëhen dora dorës pronë e njerëzve gjerësisht. Kështu ka ndodhur në letërsinë shqipe edhe me shkrimtarë të tjerë të shquar si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Ismail Kadare e Ali Podrime. “Kërkimi dhe përhapja e fjalëve të qenme, të mira, po pak të përdorme e pak të pëlqyshme, ringjallja e fjalëve të vjetra, por të mbetuna në harrim, tretja e fjalëve të hueja deri sa meritojnë, formimi i fjalëve të reja mbas rregullavet t`analogjis”, pra, sikundër shprehet N. Jokli, ky është postulati sipas të cilit ndiqet rruga e pasurimit të çdo gjuhe përmes instrumenteve letrare.
Me akribinë e një gjuhëtari të klasit të parë, N. Jokli hulumton imtësisht në veprën naimiane, duke ndjekur rrugën e poetit në zbulimin dhe pastaj në përdorimin e thesareve të shqipes. Kështu ai rendit një varg fjalësh të përdorura nga Naimi, të cilat, shpesh janë aktivizuar nga zgjimi i fjalëve të vjetra, apo janë formuar nën ndikimin e formave/modeleve gjegjëse të shqipes. Në mesin e tyre, mund të përmenden fjalë si: dritare (që sipas Joklit mund të jetë nën ndikimin e shqiptarëve të Italisë-arbëreshëve: dritësore), fletore, mësonjëtore, bregore, vjershëtore, falëtore, fajtuar, shkronjës, sheronjës, përjetshmë, trupat e qiejshmë, mësonjës, gurëçmonjës, poshtëri, dritësoj, fatbardhësi, padijë, shërbesë, ditë-bardhë, fat-zi, padijë, dhëmie-math, mëmëdhe, dheshkronjë, xvarranik, të pasmit, shumëzoj etj.
Në fund të studimit të vet, Jokli shpreh bindjen se të gjitha fjalët që formoi Naimi, ndofta nuk hynë në përdorim të përgjithshëm, por ama metoda e tij për të formuar fjalë të reja, sipas gjuhëtarit – do të mbetet gjithmonë si model. Kujtojmë ndërkaq se, sikundër e bën me dije ai vetë, këtë studim fillimisht e pati shkruar në gjermanisht dhe më pas e përktheu në shqip, së bashku me studentin e tij në Austri Ethem Haxhiademi, i cili viteve të mëpasshme do të shquajë si autor i disa tragjedive të njohura, sidomos atyre me tema nga mitologjia biblike, antike dhe mesjeta shqiptare.
Është shumë kuptimplote edhe faqja e fundit të librit, me titullin: Radhej i ndihmavet. Këtu renditen të gjithë emrat e atyre që patën bujarinë të derdhin ndihmat e tyre me të holla, duke vendosur sasinë e secilit, si dhe llojin e monedhave: në franga ari, lira italiane dhe korona sermë. Kjo sjell mesazhin e transparencës, por mbi të gjitha, na sjell ndër mendje edhe vlerësimin dhe nderimin për gjestin e gjithë atyre që japin ndihmesë për kulturën kombëtare. Aq më tepër, kur e bëjnë këtë, duke inkurajuar iniciativat idealiste të brezit të ri. Një përshtypje të thellë, duke e parë nga sot, bën edhe numri i madh i kontributorëve, pavarësisht sa kanë pasur mundësi që të derdhin me të holla për këtë mision kulturor e kombëtar. Mes tyre, ka njerëz të thjeshtë nga krahina të ndryshme shqiptare, por ka edhe personalitete të kohës. Mes tyre është vetë Presidenti i Republikës, po ashtu ka ministra, deputetë, kryetarë bashkie, patriotë veteranë, shkrimtarë, ushtarakë, tregtarë etj. Mund të kujtojmë disa prej tyre si: Midhat Frashëri, Lef Nosi, Kristo Luarasi, Kristo Floqi, Shefqet Vërlaci, Rauf Fico, Sali Butka, Xhafer Ypi, vëllezërit Turtulli etj.
Është vërtet mesazh mbresëlënës, edhe për kohët e sotme, ky gjest i lartë solidariteti. Ai përcillet si një lloj thirrjeje fisnike për të investuar në çdo kohë e për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për ruajtjen e kujtesës sonë kombëtare, në të gjitha format e shfaqjes së saj nëpër shekuj: në histori, arsim, kulturë, letërsi e religjion. E mes këtyre simboleve të memories kombëtare, ka zënë tashmë vendin e vet të meritar edhe Naim Frashëri, që sikurse e ka vlerësuar Eqrem Çabej: “Ai është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”. Me veprën e tij, N. Frashëri ndezi zemrat e shqiptarëve dhe siç shkroi poeti i vertikales estetike (F. Arapi) – ajo vepër mbetet një e atillë vlerë e çmuar – se krijoi atdheun poetik, një atdhe të lirë e përparimdashës midis popujve të Europës.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.