MILOSAO

Roman, Haya Tedeschi

08:34 - 05.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dasa Drndic*

Quhet Haya Tedeschi. Është e lindur më 9 shkurt të vitit 1923 në Gorizia. Në dokumente shkruhet se më 8 prill në të njëjtin vit 1923 u pagëzua nga prifti Aldo Boschin, që natyrisht ajo nuk e kujton, ashtu si nuk i vjen ndërmend as nunja e vet Margherita Collenz. Pagëzimin e ka drejtuar Don Carlo Baubela. Baubela është mbiemër gjerman. Don Carlo Baubela-n ajo e takon në vjeshtën e 1944  kur ai është i moshuar, i kërrusur  dhe shpërhap kundërmimin e temjanit dhe duhanit me duart e tij gjysmë të ngrira dhe që i dridhen kur i jep bekimin. Gorizia është një qytezë e vogël e këndshme. Në Gorizia kanë ndodhur histori interesante, histori të vogla familjare si kjo e saj. Shumë anëtarë të familjes ajo nuk i njohu kurrë. Për shumë syresh as nuk kish dëgjuar. Prindërit e nënës së saj dhe prindërit e të atit kishin familje të mëdha. Ka dhe kish pasur familje në Gorizia me histori të koklavitura, por historitë e tyre nuk kishin rëndësi përveç mënyrës që historia i kish zvarritur ata përgjatë shekujve, ashtu si pragjet e lumit përfshijnë degët e thyera lënë të lira aty në brigje dhe kërmat e bagëtisë, me barqet e fryra, lopët, sytë e tyre të tejdukshëm, minjtë e pabishtë, kufomat me fytet e therura dhe vetëvrasjet. Në familjen e saj nuk kishte pasur të vetëvrarë. Edhe nëse ata do të kishin qenë, asaj nuk i kishin thënë ndonjëherë asgjë.
Në Gorizia bënë vetëvrasje disa personazhe të njohur. Përmes Gorizias kaluan shumë, disa  mbetën, disa ikën. Mes tyre kishte Hebrenj dhe Paganë. Prej tyre kishte poetë, filozofë dhe piktorë. Burra dhe gra. Njeriu më i njohur që ka vrarë veten në Gorizia ishte Carlo Michelstaedter.
Nëna e saj quhej Ada Baar…
Shumë vite iu deshën të mblidhte të dhëna nga të cilat sajoi pemën e koklavitur të familjes së saj dhe mësoi se cili ishte, dhe i kujt syresh. Prej kohësh nuk ka më se kë të pyesë. Ata që mbetën janë fare të paktë, dhe kujtimet e tyre janë të njollosura, plot me të çara mbuluar me vula të zeza harrese apo pretendimesh dhe ashtu si ishullzat gëlltitur në flakët e mëdha ato ndriçojnë, bishtnues. Dhe zërat e vdekur të paraardhësve të tyre fërgëllojnë, rënkojnë, burojnë nga cepat e dhomës, nga dyshemeja, tavani, kacavirren përmes grilave veneciane dhe e gërvishtin historinë përtej shtrirjes së saj.
Ajo as nuk e dinte sesi dukeshin paraardhësit e saj. Nuk kishte prova. Nuk kish të dhëna.
Familja e saj trazohet në thellësi të tabanit (kujtesës së saj). Sot gjymtyrët, farefisi i afërt, janë kaq të ngatërruar, e aq të çrregullt, saqë është e pamundur të dish ku shtrihen. Organet e familjes së saj janë të shpërndara kudo. Por, jetët e fisit të saj janë gjithnjë e më pak të dobishme për rrëfimin dhe pritjen e saj.
Gjyshi i saj u lind në Görz. Nëna e saj u lind në Görz. Ajo lindi në Gorizia/Gorica. Kur shpërtheu Lufta e Madhe, filloi të lëvizte e të jetonte kudo. Ajo nuk e di sesi ishte Görz dhe nuk e di as sesi është Gorizia edhe pse ka plot gjashtëdhjetë vjet këtu. Ajo i përshkon rrugëzat e Gorizias, por këto janë shëtitje të shkurtra, shëtitje të shpejta, shëtitje me qëllim, këto janë bjerraditë. Edhe kur shëtitja e saj është më e gjatë, apo kur shëtitja e saj është më e ngeshme (që ndodh kur ditët janë të buta dhe dhoma e saj ndihet e ngrirë,  një lloj inercie e lagësht), Haya në rrethinat e veta nuk vëren ndryshime të mëdha. Asaj i duket sikur në këto gjashtëdhjetë vjet është e ulur në një dhomë të tkurrur, një dhomë muret e së cilës zhvendosen ngadalë nga brenda të bashkohen me një sipërfaqe në miniaturë, një vijë, në kulmin e të cilës ulet, prehet. Ajo nuk e shikon, nuk e këqyr, e me copat e dyllit në veshë, nuk dëgjon. Görz, Gorizia këto janë ndijime. Nuk është e sigurt nëse kujtimet janë të sajat apo të familjes së saj. Ndoshta janë kujtime të freskëta. Dhe kur del, shullëhet në diell, mbledh Margarita, ulet në kafe “Joy” dhe tymos. Nuk e lë veten pas dore, nuk mban t’zeza, nuk lëkundet paprerë. E gjitha është mu si duhet. Ka një televizor. Ka disa kujtime, kujtime të vrullshme, të fragmentuara. Ajo tundet mbi fijet e të shkuarës. Mbi fijet e historisë. Ajo përkundet në një rrjetë merimange. Është shumë e lehtë. Rreth saj, tani është mjaftueshëm qetësi. Gorizia ka histori, ajo ka histori. Ditët janë kaq të vjetra.
Ngandonjëherë ëndërron.
duke e tërhequr zvarrë të ëmën në një thes plastik. po e tërheq prej këmbëve, dëshiron ta fshehë. një nga këmbët e të ëmës kërcet. nëna e saj ka vdekur, por thotë, fshihe këmbën, varrose, atje afër dyqanit të stacionit ku kryqëzohen rrugët  seminario dhe ascoli; të tjerat mbesin në luginën e trëndafilave, kjo është ajo që thotë.


Gjyshi, gjyshja dhe mamaja e saj u lindën si subjekte të Monarkisë Habsburgase në të cilën paraardhësit e tyre erdhën prej kohësh, ajo mendon se mbërritën nga Spanja. Ajo u lind në Itali. Dhe familjarët e saj flasin gjermanisht, italisht, sllovenisht, por më shumë italisht. Gjyshja Marisa ishte sllovene ashtu si edhe stërgjyshja e saj Maria. Të dyja vdiqën të reja. Familja e saj s’ishte shumë e përzierë nga ana raciale dhe nacionale, dhe megjithatë ishin të nakatosur. Sot të gjithë paraardhësit e saj janë të përzierë, pazgjidhshmërisht.
Në librin familjar të bërë çika-çika, një udhëzues që fillon nga 1780, të cilin Haya Tedeschi bashkë me dhjetë vëllime të vjetra dhe shumë pamflete i mban në tavolinën pranë dritares, shkruhet se Görz, apo Goritz, është një qytet i lashtë në brigjet e lumit Lizono, vendosur në Gorizia, në provincën e vogël me emrin Friuli nën zotërimin e Shtëpisë Austriake. Sovranitetin mbi Gorizian, Habsburgët e humbën nga viti 1508 deri më 1509, kur këtë vend e drejtonin Venecianët që e kthyen në fortifikata dhe e humbën në kohën e luftërave napoleonike, kur do i takonte provincave ilire. U konfirmua (1780) dhe sot e dominon Gorizian. Në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë shkruhet në udhëzues, u ndërtua një sinagogë, që dëshmonte për ngjyrat e ndryshme të komunitetit në qytet. Gorizia ndodhet tridhjetë kilometra në veri të Aquileia dhe shtatëdhjetë kilometra në verilindje nga Venecia, shkruhet në udhëzues. Gorizia është një qytet i vendosur mes pyllit, jo shumë larg prej rrugës që në kohën e Romës lidhte Akuilean me Emonën. Emri i vendbanimit për herë të parë bëhet i njohur në dokumentet e 28 Prillit 1001 (“quae sclavonica lingua vocatur Goritia”), me të cilën perandori Otto III ia bëri dhuratë kështjellën dhe vendbanimin patriarkut Giovani II dhe kontit të Friulit, Verihen Eppstein. Sot, shkruhet në udhëzues, Gorizia është arkidioqezë e kryepeshkopit nën juridiksionin e dioqezave të Triestes, Trentos, Komos dhe Pedenes.
Gjatë Luftës së Parë Botërore gjyshi Bruno Baar luftoi me ushtrinë austriake. Në Vjenë atëherë studionte gjysmëvëllai i tij Roberto Golombek që në të njëjtin qytet më 1924, hapi një klinikë stomatologjike në Ëeinberggasee 16. Në vitin 1939 Roberto Golombek iku në Britaninë e Madhe dhe gjeti punë në një fabrikë sardelesh, kurse nga 1943 deri më 1945, familja Baar, që ende jetonte në Gorizia në Rrugën Favetti numër 13, u furnizua, kush e merr vesh sesi, me sasi të mëdha sardelesh me të cilat ajo i mbijetoi gjatë kohës së keqe të Luftës së Dytë.
Maji i vitit 1915. Italia nuk ishte më neutrale. Nga Austro-Hungaria nuk e mori Trentinon, Tirolin e Jugut dhe Istrën, që kërkoi si çmim të qëndronte mënjanë. Por luftërat rrallë të lënë të mbetesh mënjanë. Nga kjo, Italia e ofenduar, bëri bisedime të fshehta më ANTANTA-n pas të cilës kaloi në anën e tyre. Në luftë gjithnjë ekzistojnë palë konfliktuale. Lufta e Madhe ishte një përleshje e dy anëve për të njëjtin qëllim. Me qëllimin për të zotëruar botën. Për vete. Për vetëm njërën anë. Me hyrjen në luftë në anën e ANTANTA-s Italia kërkonte sërish: Trentinon, Triesten, bregdetin slloven, Istrën, pjesë të Dalmacisë dhe Shqipërisë, por edhe të drejtat mbi krahinën turke të Adalisë dhe Smirnës, zgjerimin në kolonitë e Afrikës dhe kështu me radhë. Kërkonte shumë. Ato që nuk i mori dot nga Lufta e Parë, Italia u orvat t’i merrte si kompensim në të Dytën.
Luftërat janë lojëra të mëdha. Djemtë e përkëdhelur do lëviznin figurinat e ushtarëve në harta e tyre me ngjyra. Vizatonin të ardhurat. Dhe pastaj shkonin për të fjetur. Hartat qëndronin pezull në qiell si avion letre, atëkohë qëndronin mbi qytete, fusha, male, dhe lumenj. Ato mbulonin njerëz, figurina, të cilët strategët e mëdhenj i zhvendosnin gjetkë, andej-këndej, sëbashku me shtëpitë e tyre dhe ëndrrat e tyre budallaqe. Hartat e komandantëve të shfrenuar mbulojnë ato që ishin aty, groposin të shkuarën. Kur loja mbaron, luftëtarët shplodhen. Vinë historianët që këtë lojë mizore e të pangopur e kthejnë në gënjeshtër. Shkruhet e shkuara e re që komandantët e rinj e vizatojnë në hartat e reja, si një lojë e cila nuk mbaron asnjëherë.
Italia iu bashkua ANTANTA-ës. Krijohet një front i ri,- ai Italian. Në Soèa bëhen beteja të mëdha. Dhe Soèa rrjedh përmes Goricës, Gorizias, Görz, Goritz. Soèa, Isonzo, lumi që ka një ngjyrë çuditërisht bruzi. Në brigjet e veta ajo ruan një histori e cila i shpëton historianëve. Soèa është një lum që i ngjan njeriut. Një çast i qetë, e tjetrin i çmendur. Kur është i çmendur bëhet i plotfuqishëm. Kur është i qetë këndon. Në vitin 1915, italianët kanë bërë katër beteja të tmerrshme në Soèa. Në vitin 1916 në betejën e gjashtë në Soèa (ishte e njëmbëdhjeta apo e dymbëdhjeta) italianët përfundimisht e zotëruan Gorizian. Thërrasin Viva! Evviva Italia! Soèa është e kuqe. E verbër. Shiu i thoshte, ne do të shërojmë plagët tuaja. Shiu shkiste egërsisht në Soèa, ashtu si të dashuruarit kur zemërohen. Soèa heshte. Uji i saj ishte i përzier me gjak dhe baltë, por shiu nuk arrinte ta pastronte. Në fundin e saj rrotulloheshin kockat, të cilat si të ishin një qarje e madhe fëmije, po e shqetësonin ëndrrën e saj. Deri më sot.


Soèa është një arkivë rrjedhëse historie; depo lufte dhe dashurie, legjendash dhe mitesh. Ajo është arteria koronare që i ushqen brigjet e saj, që i mban organet e veta të brendshme në mënyrë që ato të rrinë bashkë e të mos shpërndahen. Ajo është një rreze e çuditshme e kozmosit në të cilën ndriçimi zgjat. Ajo është e lidhur me ura që mbledhin, ashtu si shtrirja e duarve që thërrasin në përqafim. Si shprehet Ungaretti: Questo e l’Isonzo/e qui meglio/mi sono riconosciuto/docile fibre/dell’universo…
Në fillim të korrikut 1906, një gjuetar i pasionuar arqiduka Franz Ferdinand, paqejf, e ka lënë pushkën dhe ka braktisur kështjellën e vet të dashur në Konopištë. Kështjella në Konopište shtrihej në një pyll të plotë pishe në mes të Bohemisë rrethuar prej pyjeve shumë të dendur. Nga brenda, kështjella është e veshur me lëkurë të shtrenjtë e mohogan dhe mbart plot trofe të tufës së gjuetisë të Ferdinandit. Ferdinandit i pëlqente më së shumti të gjuante bizonët. Në dy ekspeditat e tij të gjuetisë në Poloni për pak e pati fshirë krejt bizonin evropian si lloj. Kështjella në të vërtetë ishte një varrezë e fisme dhe e shquar për kafshët. Në Konopište, mijëra viktima të mbetura të kafshëve të Ferdinandit ishin të sistemuara me një kujdes gati manjak dhe të rregulluara nëpër vitrina. Kokat e tyre vareshin nga muret kudo përreth dhe Konopište kishte shumë mure syresh; dhëmbët dhe çatallët e tyre ishin riparuar dhe shkëlqyer prej stomatologëve lokalë, ekspozoheshin mbi jastëkë kadifeje me ngjyrë të purpurt dhe ekspozoheshin në arkëza të vockla me xhamin kristal me zbukurimet që  bëheshin për t’u përshtatur. Përveç trofeve të gjuetisë, oborri në Konopište ishte plot me orendi që karrocat e Frantishekut i sollën nga vila e tij e dashur Ville d’Este. Pastaj kishte edhe armët mu atje, një armaturë me të gjitha llojet e armëve, gjithsej 4618 copë. Përveç fiksimit të tij për bizonët, Franz kishte një afeksion të veçantë për Shën Gjergjin, kështuqë ai mblodhi edhe plot 3750 skulpturëza të vogla të martirit kristian teksa vret “dragoin”. Arqiduka Ferdinand ishte një koleksionist i thekur. Ai koleksiononte antikitete, piktura të piktorëve “naivë”, orendi fshati, turililloj gjërash të vogla dhe të mëdha të dobishme dhe të padobishme prej qeramike, gurë dhe mineral, vitrazhe, ora dhe medalje.
Kështjella ishte e rrethuar nga një kopsht i gjithë trëndafilash plot hapësirë. Kopshtin e vizitonin miq dhe mjeshtra të hortikulturës që kur e shikonin kopshtin, secilit do i dilte ndonjë aaah. Mes trëndafilave qëndronin një numër i skulpturave të Renesansës.
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, oborri në Konopište i tërhoqi vëmendjen oficerëve të lartë SS, të cilët e shndërruan atë në një vend-pushimi për vete. Hitleri vendosi që pjesën më të madhe të koleksionit të Ferdinandit ta përcillte në Muzeun e Wehrmacht-it në Pragë. Hitleri po ashtu vendosi që 72.712 eksponante t’i zhvendoste në Vjenë e “pas lufte” të vendoseshin në koleksionin e tij personal ende të pandërtuar në Lins. Përpara se të shkonin në Konopište, nazistët urdhëruan që kështjella të lyhej me të zezë brenda dhe jashtë.
Më tej, Franz Ferdinand-i e la vend-gjuetinë Konopište për Vjenën ku hipi në “Ëoheiner Bahn” (linja Venecia-Trieste) dhe ndaloi në urën hekurudhore në vendin Solkan/Salcano, në të vërtetë në ngushticën përmes të cilit rridhte lumi Soèa/Isonzo, jo shumë larg prej Gorizia /Nove Gorice , sot në kufirin slloven/italian që tani sërish është zhdukur pothuaj nën kufirin e ri, sigurisht atë historik, që përbën lindjen e një perandorie tjetër-Europiane. Luan një bandë tunxhi, valëviten flamuj dhe banderola të monarkisë së Austro-Hungarisë, flamuri verdhë e zi që atëherë duket pak i tejkaluar, ai i kompromisit, flamuri Ausgleich , dhe flamuri i marinës tregtare kuq-bardhë-të gjelbër me dy kurora, pastaj edhe flamuri i luftës Kriegsflagge, që nuk do të zhdukej as edhe tetë vjet më vonë në vitin 1915.
Është e enjte. Qielli është i pastër. Herë pas here fluturon ndonjë zog i vogël i rastësishëm, i shpejtë, si të jetë ndonjë sy i shqetësuar. Nga hija e ftohtë nën urë pluskon një fllad i lehtë me kundërmimin e lulëzimit të luleve, degëve të reja të pishës, ujit të ftohtë dhe myshkut. Soèa rrjedh e qetë dhe e pastër; merr frymë njëherazi dhe thellë.
Më të shumtët janë fëmijë pasi në verë kanë pushimet. Dhe, shumica e tyre lodrojnë sepse janë fëmijë; nuk ja kanë fare dijeninë historisë. Saktësisht pas dhjetë vitesh, të njëjtët fëmijë, mu në të atë vend, zhytur në transhetë e tyre, do zvarriten nëpër baltë, pastaj do zhduken në Soèa, dhe pamjet e atyre ditëve festive të verës thyhen përmes pragjeve të egërsuara të “ujit të shenjtë” të smeraldtë si xixëllonja, si ninulla, si një jehonë dhe do rrëshqasin nën kapakët e kapsallitjes së tyre duke pëshpëritur “lamtumirë” në të paktën pesë gjuhë. Me frymën e tyre të vdekjes ata thërrasin Mutti, mama! mamma mia, oh mamma!majko! anyuka, anyuka! mamusiu! maminka! Zogjtë nuk do fluturojnë. Zogjtë do bien. Shiu i zi i zogjve do të bëhet qefini i vdekjes për Soèa-n.
Franz Ferdinandi i ndjekur prej anëtarëve të familjes së tij, zbret nga treni, u jep dorën ndërtuesve, ia bën me dorë gjindjes, qesh, e atëherë  i afrohet parmakut të urës së mrekullueshme të bardhë, ndërtuar me 4533 blloqe guri gëlqeror dhe këqyr nga lumi që shkëlqen. Arkitekti Rudolf Jausnne dhe inxhinieri Leopold Orley nuk e fshehin nderin dhe gazmimin. Franz Ferdinand-i shikon nga lumi Soèa/Isonzo dhe nuk ia ka idenë sesa premtime dashurie dhe premtime pasionante janë hedhur në ujërat e tij, teksa është ngritur zemërueshëm, ka përmbytur brigjet e veta, i pafuqishëm të ndalojë sulmet në qiellin e vet. Jaussner-it dhe Orley-it iu është dashur gati dy vjet ta bëjnë të flasë mrekullinë e tyre: ura më e madhe e harkuar hekurudhore, ngritur rrallëherë mbi ndonjë lum. Në urë janë ngritur pesë mijë ton gurë; harku i mesëm, që ka përfunduar për vetëm tetëmbëdhjetë ditë, ka hapësirë prej tetëdhjetë e pesë metra, një masë e paparë deri më atëherë.
Dhe, kështu ndodh që është përuruar linja e famshme hekurudhore “Transalpina”: një udhë që do të lidhë bregdetin, aktualisht Triesten me linjë direkte me Austrinë. Monarkia  kish nevojë për lidhje direkte me provincat e veta më në Jug,  Monarkia nuk dëshironte të udhëtonte përmes territoreve të huaja, të tilla si përmes Udines. Monarkia me vete ishte e kënaqur përderisa tokat që i takonin filluan të dukeshin të papëlqyeshme kështu që donte akoma; derisa i humbi edhe ato që kish. Sot në Gorizia, përmes linjës kryesore hekurudhore kalon linja “Meridionale”, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Trenat që duhet të ndalojnë në Gorizia janë gjysmë të zbrazur. Sikur Gorizia është ende duke shëruar plagët e luftës. Gorizia e re mbetet në “Transalpina”. Në kufirin në mes të Goricës së re dhe Gorizia ndodhet muzeu në të cilin ruhen disa sende të vjetra pa emër. Në “kufirin e fortë” të dikurshëm në të cilin ndodhet Gorizia, që e ndan si kulaç, në dy pjesë jo  të rregullta, mbi atë “kufij të fortë” sot ndodhet një shesh në të cilin mund të shëtisin të gjithë. Përtej sheshit, në të dy gjysmat e qytetit të ndarë, ende qëndron si gjithmonë një si mur ajror.
Lartësitë e tyre Franz Ferdinand-i dhe Dukesha nga Hohenberg-u Sophie Chotek, herën e fundit kaluan përmes urës së Solkan-it mbrëmjen e së martës më 23 qershor 1914. Çifti martesor iu ngjitën “Transalpinës” në Vjenë që do t’i çonte drejt Triestes. Dritaret e kupesë së tyre janë të hapura. Qershori kundërmon erën e pemëve të blirit. Sophia këndon nën zë Në t’bukurin Danub të kaltër, dhe Franz e pyet: Ndoshta edhe këtij lumi të vogël do t’i këndojnë këngë? Sofia i thotë: Nuk e besoj. Ky është një lum i vogël, i parëndësishëm dhe i panjohur. Franz i thotë: Ndoshta nuk do të jetë gjithnjë kështu. Sophie dhe Franz ngrenë dolli për njëri-tjetrin me një gotë verë të ftohtë Tokay të klasit të parë. Ata këtë nuk e dinë, por zemra e tyre pulson ashtu si rrjedh atë çast Soça në urën Solkan.
Të mërkurën e 24 Qershorit Franz iu ngjit bordit të anijes luftarake” Viribus unitis”.  Pavarësisht drithmimit, donte të besonte se “fuqitë e bashkuara” do ta ruanin realisht perandorinë e tyre. Por nervi i historisë evropiane sapo ishte zhveshur. Italia dhe Austria gjithnjë e më shumë po përqafoheshin afër e më afër nga një urrejtje reciproke. Një etikë e re moskuptimi po lindte. E ashtuquajtura “ligjshmëria e zemërimit” mes Austrisë dhe Italisë u shndërrua në një nga shembujt akutë të intolerancës nacionaliste evropiane, një lloj “folie a deux” negative në një “marrëveshje” të mbrojtur të urrejtjes, rrjeta e të cilës kap Gjermaninë dhe Francën, Greqinë dhe Turqinë, Amerikën dhe Rusinë, Vietnamin dhe Kamboxhian, Kroacinë me Serbinë… Një njollë e bardhë e arsyes.
Me një anije të vogël František më pas do lundrojë lumin Neretva deri në qytetin e Metkovicës, me tren vazhdon deri në Mostar, shkurt në Ilixhe ku po e pret Sofia. Dhe të premten e të shtunën e 26-27 qershorit në afërsi të Sarajevës, Arqiduka merr pjesë në një stërvitje malore të korpusit ushtarak 15 dhe 16, por që tani po bëhet më e qartë se çdo orvatje për të krijuar një fillim të ri, madje edhe nga Ferdinandi, do çonte drejt një fundi, ashtu si çdo përfundim, fsheh ndonjë fillim. Dhe rrëfimi vazhdon pasi ai është goditur, arqiduka i lehtësuar i pëshpërit adjutantit të vet: “Zoti nuk i lejon sfidat. Një forcë madhore sërish më ka imponuar rregullin që Unë nuk isha më i aftë ta mbartja”. Në korrik 1914 Franz Ferdinand  dhe Sofia udhëtonin me të njëjtën anije luftarake austro-hungareze “Viribus unitis”, e cila kishte ardhur këtë herë ngarkuar me arkivolë. Në shtator 1914, shefi i përgjithshëm rus botoi një “Hartë të Evropës së ardhme” që ka një ngjashmëri mahnitëse me atë që do të bëhet më 1945. Plumbi me të cilën Principi goditi Ferdinantin ruhet në Konopište.
Është njëzetë e pesë maji i vitit 1915. Përmes Urës së Solkan-it kalonte treni i fundit i udhëtarëve nga Vjena për në Trieste. E shkatërruar, bombarduar, e riparuar dhe sërish e goditur me një barazh zjarri, e gjitha vazhdoi deri më 1918. Ura e Solkan-it pështolli bateritë, ka mbledhur kolonat e ushtarëve të konfliktit të ushtarëve austriakë, austriako-gjerman dhe italianë. Marshonte edhe Bruno Baar.

Bruno Baar atë kohë ishte dyzetë e nëntë vjeç. Kishte bark, tre fëmijë dhe gruan që piqte kulaçë për ushtrinë austriake. Kishte një punishte vere, në të cilën nuk bëhej më verë. Kishte një koleksion më pllakat më të fundit të gramafonit të viteve ’70-’80, që për momentin nuk mund t’i dëgjonte kështuqë i mbetej thjesht të ëndërronte për to teksa marshonte përgjatë brigjeve të përmbytura të Soèa-s, duke kënduar nën zë La donna e mobile sepse e adhuronte Caruzon. Ndërkohë Marisa e tij, tundej duke ngulur takat e saj të larta, teksa çonte kifli arrash në bordel për oficerët austro-hungarezë, me mendimin se ajo ishte Bice Adami, që detyronte publikun milanez t’i çohej në këmbë teksa e shoqëruar nga klaviri ajo po interpretonte Voi lo sapete. Duhani i vet i keq ia kish ashpërsuar zërin Marisa Baar-it, me emrin e lindjes Brašiè, orvatur të bëhej soprano, por pa mundur dot. Një pikël shiu vere i bie asaj në qepalla, ku mbetet, duke bërë një top kristali në miniaturë në të cilën gjendet e shkruar e ardhmja e saj. Këndon Marisa Baar Voi lo sapete duke mos dyshuar as edhe një çikëz që Bice Adam do mbijetojë në fakt më gjatë se ajo.
Cadorna e fillon betejën me një zjarr artilerie diversioniste më 6 Gusht të vitit 1916. Në jug para Monfalkones, ai vendosi dy njësi këmbësorie me dy korpuse si karrem. Hileja e Cadornit nuk ia doli. Njësia austriake nuk lëvizi nga vendi. Konti Franz Conrad von Hötzendorf, ashtu si ishte, kish prerë pas murin e trupave përgjatë frontit në Soèa me qëllimin të mbështeste ofensivën e tij afër mbi Trentino. Ndërsa Cadorna që aty (me linjën Transalpine) shpejt i zhvendosi trupat e veta nga Trentina drejt e në Soèa. Lufta e ashpër, që me rrezik doli nga kontrolli filloi dy ditë më vonë në Oslavia dhe në malin Podgore kur Cadorna pushtoi majën e malit të Sabatinos. Në ditën e 8 gushtit, njësitë e divizionit të 12-të italian hynë në Gorizia. Të nesërmen ushtria italiane nën një perde zjarri përshkoi Soèa-n. Duke i mbajtur pushkët sipër mbi kokat e tyre sikur të kalonin fëmijë, e sikur të përshëndesnin qiellin, ushtarët u hodhën në lumë duke kënduar himnin e Garibaldit:

Si scopron le tombe, si levano i morti
i martiri nostri son tutti risorti!
Le spade nel puglio, gli allori alle chiome,
La fiamma ed il nome d’Italia nel cor:
Corriamo, corriamo! Sù giovani schiere,
sù al vento per tuttë le nostre bandiere
Sù tutti col ferro, sù tutti col foco,
Sù tutti col nome d’Italia nel cor.
Va’ fuori d’Italia,
va’ fuori ch’e l’ora!
Va’ fuori d’Italia,
Va’ fuori o stranier!
Populli më pas do këndojë këngë të tjera. Më së shumti do këndojnë gratë, e më së shumti do këndojnë një këngë me refrenin O, Gorizia, tu sei maledetta.
***
Babai i Haya, Florian Tedeschi rrjedh nga një familje pasunare, por krejt e asimiluar hebreje, jo si nëna e Haya, Ada, që vjen nga familje e varfër por edhe një familje hebreje krejt e paasimiluar. Mes paraardhësve të Florianit ka studiues të Talmudit, financierë, kimistë, xham-punues, skulptorë, studentë të dështuar, muzikantë, detarë, koleksionistë, antifashistë dhe fashistë. Disa prej tyre gjenden në varreza kudo nëpër Itali, varreza katolike, varreza hebrenjsh, ndërsa kockat e të tjerëve janë humbur në re që kërcejnë, duke lëshuar toptha të zezë ngarkuar me pluhurin gri, të mrekullueshëm si Staubzucker i pistë (sheqer i ashpër pasticerie) . Disa janë këtu në Goriza, jo në Gorizia, sesa atje në Gorica, në një breg që s’është shumë si breg, në një breg që nënkupton të jetë e gjitha me trëndafila dhe Haya Tedeschi nuk kujton ndonjë trëndafil në këtë breg, pasi s’ka asnjë të vdekur nga të vetët këtu, sepse e ëma i tha asaj, makar ishte në ëndërr por i kërkoi asaj, ta varrosë në Bregun e Trëndafilave në Valdirose, sepse Haya e vendosi gabimisht nënën e saj Ada në vdekje, ashtu si humbi dhe gjyshen Marisa që asnjëherë nuk e kish njohur, po çfarë tjetër mund të bënte, ajo ishte e re dhe përreth zhvillohej luftë veç kësaj ishte një varreze hebrenjsh me shumë gurë të ngritur vertikalë, tani të vjetër dhe të pjerrët, brengosur nën myshkun e lagësht si gjymtyrë? të amputuara të një trupi prej kohësh të vdekur. Dhe të sajat, të Haya-s, nga ana e babait të vet prej njëqind vjetësh apo më shumë, nuk preheshin në të tilla varreza të hebrenjve. Në Gorica, pjesën e re, Haya Tedeschi e di mirë, prehet njëfarë Wilhelm Tedeschi, i rënë në vitin 1891, i lindur në Manheim më 1837, skulptori që kish dhënë mësime pikture në Piran, në Trieste dhe më vonë në Gorizia, po në Gorizia dhe para kësaj në Pulie, ku edhe sot mund të qëndronte busti i admiralit Bourguignona, realizuar prej tij. Në atë familje të Hayas nga ana e Florianit, falë Zotit, kishte muzikantë dhe bërës-rrotash, që krijojnë kompozime për disa lloje dëgjimi dhe parjeje që me sa duket shprehin bukurinë që Haya megjithatë nuk e kupton fare. Dhe atyre me sa duket kompozitorëve dhe rrotëbërësve u kanë humbur gjurmët. Sepse, ndërsa ajo pret në një ndërtesë të vjetër në Via Aprica 47, ndërsa shkartis kartat e të gjitha këtyre jetëve, jetë që rrëshqet nëpër gishtave të saj, sikur po luan pasijan (spathi), Haya gjithnjë e më shumë tund kokën dhe thotë Ne jemi familje pa gjurmë.
…Më 30 tetor fashizmi edhe zyrtarisht ulet në fron….

*Përktheu nga origjinali
Ben Andoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.