Mediat italiane kanë pasqyruar sot gjerësisht lajmin se Xhani De Biazi do t’i japë lamtumirën në tetor përfaqësueses shqiptare, duke mbyllur aventurën në vendin tonë me takimin e fundit të eliminatoreve, pikërisht ndaj Italisë. Thuajse të gjithë e cilësojnë vendimin si pasojë e një marrëdhënie jo edhe aq të mirë të krijuar së fundmi me presidentin Duka, apo rrjedhojë të kritikave pas humbjeve radhazi.
La Gazzetta Dello Sport / Shqipëria, De Biazi largohet në tetor: Është momenti të kërkoj sfida të reja
“Trajneri italian, në drejtimin e Shqipërisë që nga viti 2011, ka arritur një kualifikim historik në Europian në Francë në vitin e kaluar, por ishte në qendër të kritikave pas tre humbjeve me Spanjën, Italinë dhe Izraelin”.
Tuttomercatoweb / Shqipëri, De Biazi largohet pas kualifikueseve: Dua sfida të reja
“Xhani De Biazi dhe Shqipëria, historia arrin në mbyllje. Pasi arriti një kualifikim historik në Europianin e kaluar francez, ish-trajneri i Modenas nuk arriti të përsëritej në kualifikueset e Botërorit 2018”.
Sport e Vai / Shumë kritika, De Biazi largohet nga Shqipëria pas 5 viteve e gjysmë
“I prekur nga kritikat e shumta që kishte marrë gjatë kohëve ët fundit dhe i ndërgjegjshëm që kishte dhënë gjithçka për kauzën, Xhani De Biazi i jep lamtumirën Kombëtares shqiptare”.
Goal.com / De Biazi, lamtumirë Shqipërisë pas kualifikueseve: Nuk kanë besim te unë
“Ajo me Shqipërinë ishte një aventurë ekzaltuese për De Biazin, i cili gjithsesi nuk fsheh, edhe pse nuk përmend direkt, se me presidentin e Federatës, Armand Duka, nuk ka qenë gjithçka një fushë me lule”.
Eurosport / De Biazi lajmëron: Lë Shqipërinë pas kualifikueseve
“Trajneri italian arriti një kualifikim historik në Europianin e Francës, por përfundoi mes kritikave për tre humbjet në eliminatore”.
Il Mattino / De Biazi: Lë Shqipërinë pas kualifikueseve botërore
“Trajneri italian nuk fsheh një lloj pakënaqësie ndaj presidentit të Federatës Shqiptare, Armand Duka, edhe pse evitoi që të përmendte emra”.
SportMediaset / De Biazi: Lë Shqipërinë pas kualifikuesve të Botërorit
“Pas pesë viteve e gjysmë në drejtimin e skuadrës shqiptare, me të cilën shkroi historinë e futbollit në vend, falë kualifikimit në Europianin në Francë të vitit të kaluar, me një rezultat që e ka kthyer De Biazin thuajse në një hero kombëtar, trajneri lajmëroi lamtumirën e tij. E bëri duke u hakmarrë ndaj kritikave që kishte pësuar pas humbjeve me Spanjën, Italinë dhe Izraelin”.