FSHF ka reaguar zyrtarisht për sa i përket çështjes së Skënderbeut dhe dosjeve të UEFA-s që i kanë mbërritur rreth ndeshjeve që dyshohen si të manipuluara nga korçarët në aktivitetet kombëtare. Sipas institucionit që drejton futbollin në vendin tonë, gjithçka kalon në dorën e Etikës, e cila është e vetmja që mund të trajtojë në këtë pikë hetimet.
NJOFTIM ZYRTAR PËR ÇËSHTJEN SKËNDERBEU
FSHF bën me dije opinionin sportiv publik në lidhje me praktiken e çështjes SKËNDERBEU.
Pas ardhjes zyrtarisht të vendimit të arsyetuar të CAS-it për këtë çështje, praktika i ka kaluar menjëherë KOMISIONIT TË ETIKËS në FSHF i cili do të ndjeke hapat procedurial për hetimin e ndeshjeve të dyshuara të KF SKËNDERBEU. Ky hap është koherent me qëndrimin e deritanishëm të FSHF dhe në përputhje të plotë me udhëzimet e UEFA-s për zbardhjen sa më korrekte të dosjes “Skënderbeu”.