Bullgaria e ka konfirmuar edhe nje here veton e saj për negociatat e anëtarësimit të Maqedonise se Veriut me Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme te shtetit bullgar thuhet se Maqedonia e Veriut nuk mund te beje perpara ne kete proces sepse sipas tyre ende duhet të përmbushë kriteret.
“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i përmbush kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha pas takimit ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov.
Ai shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.
Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë.
Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut lidhur me të drejtat e njerëzve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.
“Partnerët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëjnë angazhime specifike detyruese, një pjesë e të cilave të përmbushet në afat të shkurtër dhe pjesa tjetër të përfshihet në kërkesat e kornizës së ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë, nuk mund të pritet përparim në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Aleksandrov.
Aktualisht, përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, e imponuar kur qeveria e mëparshme bullgare u përpoq të hiqte lëshime nga Shkupi për çështjet dypalëshe gjuhësore dhe historike.