Petrit Vasili, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur për herë të parë për vendimin e marrë, dorëheqjen nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ndër të tjera ka treguar edhe arsyet, por edhe propozimet e bëra në mbledhjen e kryesisë të kësaj force politike, ku një prej tyre është ai i vendosjes së Monika Kryemadhit si kryetare e LSI.
“Duke qenë se kryesia mori në shqyrtim rezultatet e fundit dhe situatën pas elektorale, jam këtu për t’u komunikuar vendimet që u morën. Së pari në emër të kryesisë dhe timin personal kam një falënderim për ata 230 mijë votues dhe misionaë të LSI që dhanë votën. Një rezultat i madh, e cila u maturua falë mijëra e mijëra votuesve, të cilët votuan me bindje të plotë për një Shqipëri të mirë, integritet moral, kundër strategjisë së krimit, shit-blerjes së votës, frikësimit edhe tronditjes së bursave dhe eurove të derdhura për të blerë votat. LSI u rrit më shumë se çdo parti tjetër. LSI është forca opozitare e vërtetë që i ka munguar këtij vendi.
Kryesia e LSI-së vendosi të përvijojë puna e nisur që është raportuar gjerësisht me faktorin ndërkombëtar dhe do vazhdojë për të dokumentuar me dhjetra fakte, foto video, dëshmi strategjinë e pashembullt të deformimit të votës, nëpërmjet aktivizimit të bandave të bëra njësh me Policinë e Shtetit, që falë edhe deklaratave të kryeministrit zhbëri edhe rolin e Policisë, gjithashtu vendosi edhe mënyrën e ristrukutirimit të LSI në opozitë, pasi fronti është i gjerë është moment historik për LSI se elektorati i ka ngarkuar një përgjegjësi të madhe për ti dhënë më në fund Shqipërisë një opozitë.
Prej 4 vitesh Shqipëria nuk ka pasur opozitë. Roli i ri kërkon energji të reja. Ndaj në këtë funksion kam vendosur të paraqes dorëheqjen dhe kam marrë besimin e saj që të drejtoj grupin parlamentar të LSI-së, që është një grup me detyra dhe përgjegjësi të mëdha dhe të reja, njëherazi fronti tjetër i madh i shtrirë në tërë territorin ku mijëra shqiptarë presin përgjigje të mëdha, për t’i dhënë përgjigje një 20% pakice.
Ndërkohë që kam propozuar zonjën Monika Kryemadhi, bazuar jo thjesht si zv/kryetare, por në radhë të parë për kualitetin politik të njohur nga publiku shqiptar, që është lidhur me qytetarin e asnjë interes tjetër dhe kualitetin organizativ dhe dinamizimin e këtij domensioni që ajo e reflekton si askusht tjetër në politiken shqiptare
ka qenë një politikane aktive që s’është bërë pjesë në asnjë rast e asnjë ekzekutivi dhe ruan urën lidhëse mes qytetarit dhe pushtetit.
Gjithashtu, një tjetër propozim është ai i Luan Ramës si zëvendëskryetar, si dhe njëherëzi propozimin e Erisa Xhixhos si nënkryetare të LSI-së, post që e ka mbajtur Luan Rama.
Mbledhja do të mbahet të mërkurën e ardhshme që do të marrë këto vendime. Do të rishpreh edhe njëherë punën që ka bërë LSI-ja, që është dukshëm fituesi i këtyre zgjedhjeve”, – ka thënë ndër të tjera, Vasili në konferencën për shtyp.