Digjet gjate orëve të para të mëngjesit zyra e noterit Aleko Anagnosti. Persona të paidentifikuar i kanë vendosur zjarrin zyrës në qendër të qytetit.
Anagnosti prej 1 qershorit ndodhet i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Sarandës. Dy ditë më parë për Anagnostin Gjykata vendosi “Arrest me burg” me afat 45 ditë.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Informacion paraprak. Më 06.06.2022, në lagjen nr.1 Sarande, ka rënë zjarr në zyrën e shtetasit A. A., Ku si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Kujtojmë se Anagnosti u arrestua disa ditë më parë së bashku me disa zyrtarë të lartë të Bashkisë së Sarandës, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mes tyre janë drejtori i Urbanistikës në bashki, Pandi Zhoga, si dhe juristja e Zyrës së Hipotekës në Sarandë, Rovena Alikaj.
Ndalimi i tre zyrtarëve publikë është kryer nga Prokuroria e Sarandës dhe dyshohet se ata kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metra katrorë tokë, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë kryer ndërtime.
Sipërfaqja e tjetërsuar, ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (lulishte), për qytetin e Sarandës.
Por përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga Bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrën e ASHK-së Sarandë, kjo tokë është tjetërsuar tashmë tek persona të tretë.
Lidhur me këtë çështje, në kërkim mësohet se janë dhe dy persona të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.