Ish-portieri i Vllaznisë, Gjergji Kushe, i ka dhënë dje fund jetës së tij duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte. Burime zyrtare nga policia e Korçës bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr.2 të këtij qyteti. Kushe, i cili në moshën 18-vjeçare arriti të luajë dhe fitojë titullin “Kampion” me Vllazninë, vazhdoi një karrierë të gjatë sportive duke punuar fillimisht me të rinjtë e më tej duke u kthyer në një prej trajnerëve më të njohur të portierëve të “Skënderbeut”.
Ende pa mbushur 60 vjeç, Kushe u vetëflijua ndërkohë që për vite të tëra u përball me konsumin e alkoolit ç’ka i solli jo pak probleme. Edhe pse përgjatë vitit të fundit ai ishte duke zhvilluar betejën e tij me alkoolin duket se gjendja e tij psikologjike ishte rënduar së tepërmi. Pas vitit 2012, Kushe e kishte pasur të pamundur të vazhdonte punën si trajner, por edhe mësues i edukimit fizik për shkak të problemeve shëndetësore të lindura si pasojë e konsumit të alkoolit ndërsa trajtohej me KEMP. 59-vjeçari jetonte i vetëm në apartamentin e tij pas vdekjes së nënës. Sipas të njohurve të tij, kohët e fundit ai ishte në gjendje tepër të rënduar psikologjike. Sipas bluve, 59-vjeçari kishte lënë edhe një letër, në të cilën sqaronte arsyet e vetëvrasjes së tij.
Burime konfidenciale bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se letra e shkruar nga vetë Kushe, lënë për të afërmit e tij shpjegonte shkaqet që e çuan atë drejt aktit fatal. “Nuk e përballoj dot më këtë gjendje, më kuptoni. Çdo ditë e vuaj gjendjen, në të cilën ndodhem, me faturat e papaguara dhe disa borxhe ndaj nuk dua të jetoj më . E kam menduar gjatë dhe e kam vendosur…”- shkruhej në letrën, e cila u gjet në banesën e tij. Sapo ka shkruar këtë letër, Gjergji Kushe është hedhur në drejtim të rrugës kryesore nga një lartësi mbi 15 m duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
GSH.al
Gjergji Kushe vertet kishte ato probleme qe iu shkruani por vetem borxhe nuk kishte pasi vellezerit i jane pergjigjur deri ne fund per cdo gje.