Kryeatri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook për sa i përket krizës së karburanteve dhe rritjes së çmimeve.
Meta ka bërë më dije se ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit, pasi kjo do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës.
Reagimi i plotë:
Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës.
Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare.
Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës.
Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës.