Nga Jack Chekrezi
Faik Konica ishte edhe orientalist. Ai njihte gjuhët kryesore të Lindjes së Afërme, përfshirë osmanishten, arabishten, turqishten e hebraishten. Konica njihte në thelb historinë, kulturën dhe qytetërimin oriental. “Hurmat e Arabisë”, përmbledhja me përralla e shqipëruar prej tij, përbën kontribut të shquar në përsiatjet ndërkulturore.
Takimi i parë virtual me Konicën e leximet e tij, botuar në Milosao Nr.259, 13 dhjetor 2016 , na pruri disa nga lirikat kineze. Ato sollën thjeshtësinë, sensualitetin, origjinalitetin dhe qasjen filozofike pacifiste të Orientit të Largët.
“Takimi i dytë virtual libresk” me Faik Konicën na vjen përmes botimit simpatik, tashmë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare, të titulluar “Antologji Persiane”, botuar në Londër më 1927. Përkthimet në anglisht janë të orientalistit të shquar Edward G. Browne. Një tjetër libër i çmuar nga biblioteka e Konicës, studim për Islamin nga Ignaz Godziher, ka qenë në zotërim të prof. Browne, siç vërtetohet nga nënshkrimi në libër.
Poezitë persiane, të përcjella në këtë vëllim, përbëjnë disa nga margaritarët e poezisë lirike botërore. Ndërkohë që Noli shqipëronte Rubairat e Omar Khajamit, Konica shijonte kryevepra të tjera të autorëve të tjerë persianë.
Poezia persiane i ka rrënjët thellë në histori. Periudha e parë është “shkolla epike lirike”, e pasuar nga misticizmi, që zgjati 150 vjet dhe la gjurmë të pashlyeshme. Kthesë monumentale është rënia e shtetit Zaraustrian në mesin e shekullit VII e.j. si rrjedhojë e pushtimit arab. Persët adoptuan besimin dhe alfabetin arab, duke I dhënë Bagdadit si shkëmbim shkëlqimin e kulturës së tyre. Në shekullin X kemi poezitë e para në persishten e rilindur, me poetin e verbër, Rudakiun. Në kapërcyellin e mijëvjeçarit hasim mandej Sulltan Mahmudin e Ghaznës, patron i vërtetë i letërsisë perse, që mbante 400 poetë në oborrin e vet, prej nga zgjidhej edhe Kryepoeti, ose Mbreti i Poetëve. Trajtat e lëruara ishin ode ose elegji (kasida) dhe lirikat (hazal), me strukturë e rimë të përcaktuar. Në oborrin e Mahmudit u ngrit Firdusiu, ose Homeri i Iranit; aty u lind edhe Shahname-ja, ose Libri i Mbretërve, duke risjellë në poezinë perse origjinalitetin epik të traditës. Si njëfarë “revolte” nga sundimit arab lindi edhe poezia e tipit Ruba’i, me Omar Khajamin si njërin ndër përfaqësuesit e shquar të saj. Tufa e poezive të mëposhtme përcjell edhe një ruba’i të Abu Sa’id ibn Abi’l Khayr, pararendësi i Khajamit. Përmes formës së misticizmit, aty natyrisht gjejmë edhe gjurmë të Verës dhe të së Dashurës.
SANA’I [shekulli XII] Nr. 13
Ah, ajo zemra jote, që dhimbjen dhe hidhërimin i harron,
Dhe gjurmë Dashurie asfare nuk tregon,
Dashurinë tënde, dashurinë tënde zgjodha; kurse pasuri,
S’prish punë nëse kurrfarë pjesë në pasuri s’kam!
Pse kamja Botës i takon,
E askurrë Bota dhe Dashuria bashkë nuk shkojnë ?
Atëherë kur në zemrën time vendin ti ta gjesh,
Vetëm atëherë zemra time e mjerimit skllave kurrë më s’do të jetë.
Abu Sa’id Ibn Abi’l-Khair [967 – 1049] Nr. 14
Nga ty kërkoj, ose më mirë, të urdhëroj që,
Kur vakti të vijë nga kjo botë për t’u ndarë,
Në varr të m’i gdhendësh këto fjalë:
“Një i dashuruar prehet këtu”,
Me shpresën që, një tjetër i dashuruar, që
Ligjet e Pasionit i njeh mirë,
Pranë varrit tim të mund të pushojë, dhe
Mua, të dashuruarin e dergjur nën dhe, ta kujtojë.
Parafrazë Anonim Nr. 15
Kurrnji vend nuk e gjej, ku dashninë qi kam për ty ta kumtoj,
A, kur at’ vend ma n’ fund e gjej, rivali tem ballaz aty m’del,
A, kur vendin ma n’fund e gjeta, dhe ty n’vedi t’shof,
Vetvedin trandem me e gjet, por, medet,
Ay krejt i përhumbun tash asht në moh.
FIRDUSI [935 – 1025] Nr. 18
Edhe vetëm një natë sikur ti e imja të ishe, dhe në tëndin gjoks të prehesha,
Koka time plot zjarrm, në qiell do të ish lartësuar,
Tek gishtat e Mërkurit penën do ta kisha thyer;
Dhe kurorën e Diellit, si çmimin tim, do ta kisha rrëmbyer.
Shpirti në qiellin e nëntë të parajsës do të fluturonte
Kurse koka krenare e Saturnit nën këmbët e mija do të dergjej,
E mandej krejt dashnorët e mjerë, tek vuanin e vdisnin, do t’i mëshiroja,
Nëse hijeshia tënde, a buzët, a sytë e tu, të mija do të ishin.
FIRDUSI Nr. 27
Shumë në jetë u mundova, e shumë shkrime qëndisa,
Libra të tërë në arabisht, dhe në persishten e vjetër shkruajta:
Shumë gjëra mësova për artin këto gjashtëdhjetedy vite:
Por vallë çfarë fitova? Lavdi? Flori?
Veç pendim për të shkuarën, e keqardhje për dështimet,
Nga ditët e rinisë sime çdo kujtim është larguar,
Dhe për rininë vajtoj, me kujë e me ligje,
Siç pat thënë Khusrawani Bu Tahir*:
“Rininë e vërtetë si vegim kujtoj:
Medet rininë time tash rri dhe vajtoj !”
*Poet i shquar i periudhës së hershme Samanide të poezisë poezisë persiane. Ja dy vargje të njohura të tij: “Kujtoj të ritë time, dhe ofshaj. Medet për të ritë, për rininë e ikur për gjithmonë”.
Përzgjedhur dhe shqipëruar lirisht nga anglishtja prej
Jack Chekrezit.