KULTURË

Talebanët bavarezë, një rrëfim për “Ushtrinë më të vogël të botës”

10:01 - 21.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Pyje me bredha nën dëborë. Burra të armatosur. Pas tyre, mbi ekran shkruhet “Talebanët bavarezë”. Njerëz që shkojnë në luftë dhe të tjerë që duartrokasin. Kjo është ironia. Serioze dhe ironike. Imazhi shfaq njëherësh dy gjëra që kundërshtojnë njëra-tjetrën, armën dhe babagjyshin, dhe burra, burra me çallma. Një betejë për respekt e integrim – ky është dokumentari 82-minutësh, që shfaqet sonte Festivalin e të Drejtave të Njeriut, që mbahet pranë Marubit në Tiranë në orën 19:00. I prodhuar në vitin 2015 nga Gjermania dhe Austria, ai ka në fokus Hamonin dhe Markusin, një gjerman dhe një afgan, të armatosur me kallashnikov dhe turban, që bëjnë një udhëtim nëpër Alpe si talebanë bavarezë. Filmi ndjek lojën e tyre artistike, humoristike, por edhe kritike të këtyre dy guerilasve kulturorë dhe përpjekjen e tyre për një integrim më të mirë në kohët kur mijëra refugjatë vijnë në Europë dhe islamofobisë së re.
“Pas disa sulmeve ndaj emigrantëve të rinj, shumë të huaj jashtë BE-së në Evropë mendojnë se janë të padëshiruar ose se konsiderohen si terroristë të dyshuar. Talebanët bavarezë përpiqen të kundërshtojnë këtë ide: me Hamonin, i cili nuk ndjehet i mirëpritur në Gjermani dhe Markusin, i cili ka punuar me refugjatët – performanca e tyre sfidon thellësisht konservatorizmin e Bavarisë dhe rajonin e Alpeve: për çfarë integrimi po flasim? Apo është e gjitha për asimilimin?”, thotë regjisori Martin Gerner.
FILMI
Hamon – pas 20 vjetësh nënçmimi – lufton kundër racizmit të përditshëm në Gjermani. Marcus i kundërshton luftërat – të vogla apo të mëdha – dhe shqyrton me kujdes mbajtjen e Lederhosen bavareze. (Shën. i përkth. Pantallona të shkurtra prej lëkure të mbërthyera në formë H-je, të veshura tradicionalisht nga burrat në rajonet alpine si Bavaria). Që të dy e kthejnë realitetin tonë kokë-poshtë: talebanët bavarezë vijnë si gjoja punonjës humanitarë, me qëllim civilizimin e Bavarisë. Por, ndërsa Hamoni ballafaqohet me paragjykimin e të qenit një terrorist, veprimi i tij si taleban bavarez e inkurajon atë që të merret më me sinqeritet me sfidat me të cilat ballafaqohet. Ai kërkon klube që mbajnë pushkë tradicionale dhe vende që kanë ndjeshmëri ndaj birrës për të vënë në provë tolerancën e gjermanëve dhe austriakëve. Ajo që duket si një komedi rezulton të jetë një konflikt: Dueti bën të vetat mbrëmjet tradicionale gjermane “për atdheun” (Heimatabende) për qëllimin e tyre, duke u përpjekur të gjejnë se sa ka vend për tolerancë në mesin e të huajve në mjedise të molepsura nga nacionalistë. Duke vepruar kështu, ata reflektojnë rreth miteve gjermane të patriotizmit dhe atdheut. Takimet me popullsinë lokale të Alpeve përzihen me dëshirën e fortë të talibanit bavarez: Hamon dhe Marcus kanë një dëshirë të përbashkët për t’u stabilizuar në Gjermani. Vizioni i tyre është aq ironik, saç është edhe i vërtetë: ndërsa Europa bën thirrje për një integrim më të mirë, emigrantët janë në rrezik.
Imagjinoni utopinë pas migrimit të fundit të refugjatëve në Evropë: Po sikur të kishte talebanë të mirë? Kush do të merret me integrimin e të huajve dhe ta bëjë kulturën e respektit të ndërsjellë? – pyet regjisori Martin Grener. Sipas tij, performanca e talebanëve bavarezë është një lloj prove në debatin aktual evropian.
Duke përdorur videot e bëra në shtëpi të dy djemve, filmi pasqyron stereotipat e medias në luftën kundër terrorit. Regjisori vë në dukje se megjithëse i trajtuar me humor, lufta e talebanit bavarez nuk është aspak mockumentary (një lloj dokukomedie, që përmes satirës thotë të vërtetën): djemtë kërkojnë vërtetë mirëkuptim mes popullatës lokale dhe të huajve. “Ndërsa performanca shfaqet, ana njerëzore del në pah-Markusi, një antimilitarist nga Mynihu, ndjehet po aq i huaj në rajonin e vendit të vet, Bavari, ndërsa Hamoni, afgani që është gati të bëjë doktoraturën, por i duhet të vazhdojë të lypë një kartë identiteti gjermane”, thotë Gerner.
I xhiruar në Berchtesgaden, ku Hitleri u tërhoq gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kaluara naziste e Gjermanisë rezonon në film, duke u bërë jehonë realiteteve të vjetra dhe të reja në kontekstin alpin gjermano-austriak.

SOT NË FESTIVAL   
Programi i sotëm i festivalit është i ngjeshur. Pas një forumi për komunikimin. tij filmi “Si në shtëpi nëpër botë” nga Andreas Koefoed, një përshkrim intim i jetës së përditshme të pesë fëmijëve refugjatë në një shkollë azili të Kryqit të Kuq të Danimarkës. Në vijim është filmi spanjoll “Ada për kryebashkiake” nga Pau Faus, film i cili ndjek Ada Colau-n për një vit, nga koha e kaluar prej saj duke organizuar betejën kundër dëbimeve në Barcelonë, deri në ditën kur ajo betohet si kryetare bashkie e saj.
“Dhoma bosh” nga Jasna Krajinovic, e rikthen festivalin te xhihadi si temë, duke u marrë me Salihan, gruan që humb djalin në Siri e që vendos të kuptojë nga vjen ky radikalizëm i papritur dhe se si fëmijët e tyre mundën të regjistroheshin në rrjetet xhihadiste aq shpejt.
Filmi “një gjenocid i përkryer” nga Ebony Butler është një ekspoze politike dhe një dokumentar për të drejtat e njeriut, që tregon me hollësi gjenocidin e popullit Acholi të Ugandës Veriore, që filloi rreth 30 vjet më parë.
Filmi “Rroftë Bullgaria!” nga Adela Peeva do ta përqendrojë vëmendjen e publikut në një problem serioz – ringjallja e nacionalizmit në Bullgari, duke pyetur ku është kufiri ndërmjet patriotizmit dhe nacionalizmit?
Filmi do të përfaqësojë Greqinë në Oscar “Sheshi Amerika”, është një triptik i shpejtë, që zbulon forcat kundërshtare të sfidave humanitare të sotme me një racist banal, një ish-mjek ushtarak dhe një artist tatuazhesh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.