Kryesore

Mesfusha e Partizanit, si “minë me sahat”. Të tre titullarët duan largimin nga të kuqtë

08:37 - 03.07.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas ardhjes së Agim Zekës, Partizani po punon për afrimin edhe të një sulmuesi tjetër anësor. Por nëse në sulm “hallet” thuajse janë zgjidhur, në mesfushë nuk kanë nisur ende. Të kuqtë me lojtarët aktualë që kanë në këtë repart mund t’i bëjnë “karshillëk” jo vetëm Superiores, por edhe ekipeve të tjera të rajonit.




Por në këtë merkato mund të ndodhë gjithçka dhe askush mes treshes Murataj-Rrapaj-Maget, nuk e ka të sigurt qëndrimin. Nëse Rrapaj ka kontratë afatgjatë, dy të tjerët mund të qëndrojnë me pahir deri në verën e ardhshme dhe nëse kjo ndodh në rastin e Maget, klubi nuk merr asnjë cent. Le t’i analizojmë një nga një.

MURATAJ – Kontrata e mesfushorit nga Fieri skadonte në këtë verë, por klubi para pak muajsh aktivizoi rinovimin për një sezon, që ishte i parashikuar në marrëveshje. I ndodhur në këtë situatë, Murataj nuk lëviz dot si lojtar i lirë, por kjo nuk e bën të pamundur largimin e tij në këtë verë. Siç e kemi raportuar gjatë ditëve të mëparshme, 27- vjeçari ka propozime nga Azerbajxhani dhe Liga e Parë turke, por për të mbyllur këtë lëvizje duhet të gjejë një marrëveshje me klubin. Drejtuesit nga ana e tyre duan qëndrimin dhe i kanë ofruar rinovimin e kontratës, por ky proces deri më tani “ka ngrirë” dhe nuk ka asnjë zhvillim që të dërgon te firma.

RRAPAJ – Vlonjati ishte shumë pranë shitjes në një nga klubet e La Liga 2, por operacioni me vlerë 600 mijë euro dështoi në momentin e fundit për arsye që mbeten enigmë në ambientin përreth klubit. Pavarësisht kësaj, 22-vjeçari këmbëngul për largimin dhe pret ofertën e radhës. Europa mund të jetë vendimtare për vlonjatin, teksa duhet thënë se kontrata afatgjatë nuk e favorizon.

MAGET – Largimi i senegalezit duket më i mundshmi. Kontrata i skadon pas një viti, rinovimin nuk e pranon dhe në rast se nuk shitet këtë verë, ikën falas në verën e ardhshme. Aktualisht Partizani ka një ofertë prej 750 mijë euro nga CSKA Sofje. Ky operacion mbetet ende aktiv, por klubi po heziton të kthejë një përgjigje. Kjo është oferta e disatë që ka mbërritur në adresën e Partizanit. Maget e ka pranuar publikisht se dëshiron të largohet.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.