Show-Bizz

Alba Bajraktari: Në sistemin aktual reformat më duken si skena teatrale

14:15 - 08.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Franca është e bazuar në një sistem arsimor ku e drejta i jepet gjithkujt, e ku filtri bëhet çdo vit. Kjo e bën të vështirë, sepse asnjëherë s’mund të jesh i qetë, por e bën edhe të vërtetë në vlerësim. Është shumë e bukur të dish se e ke merituar.




Eshtë vetëm 22 vjeç, dhe ka zgjedhur prej disa vitesh të superojë pengesat nivelin studentor në Francë në një degë shumë sensibël, atë të ligjit dhe të së drejtës. Alba Bajraktari, pasi një viti punë në një zyrë avokatie në Francë vendosi t’i hyjë rrugës së studimeve për drejtësi aty në Paris, në një nga Universitetet me rankingun më të lartë vlerësues. Edhe pak dhe do të jetë në finish, por që gjithsesi kjo nuk e pengon në atë kohë që ka të ndjekë dhe dëgjojë se çfarë ndodh në Shqipëri. Natyrisht luftë nuk ka, por ikja dhe humbja e besimit të njerëzve e pezmaton. A do të vijë në Shqipëri të japë drejtësi, edhe me reformimin e sistemit të drejtësisë? Një pyetje që është pak herët për të, por për momentin e privon ta hedhë si hap. Dhe jo vetëm atë.

Alba, pse zgjodhët të studioni jashtë ?
Arsyeja ishte mundësia për një formim të plotë, si akademik, edhe kulturor. Qëllimi kryesor ishte dhe është sigurisht universiteti, përgatitja në fushën e zgjedhur dhe disiplina e punës që vetë sistemi akademik e imponojnë te studentët. Por, sot pas katër vitesh në Francë, mendoj se përfitimi më i madh i të studiuarit jashtë është përballja me një strukturë të re shoqërore. Vetë përpjekja për të kuptuar mënyrën sesi kjo e fundit funksionon, është e ndërtuar, e më pas arsyet kulturore e historike që janë në origjinën e ndërtimit të saj janë elementi kryesor i formimit në këtë rrugëtim. Efekti që kjo “analizë e shoqërisë së re” ka mbi perceptimin për tonën, rrjedhimisht fillon të gjykosh më pak vetë trajtat e kulturës tënde dhe t’i vlerësosh si rrjedhë e historisë që mbartin.

Pse zgjodhët drejtësinë, një fjalë e cila po lakohet rëndom së fundmi në Shqipëri?
Është një pyetje që shpesh, ndeshur me vështirësitë e fushës ia drejtoj vetes. Kjo fushë më tërhoqi sepse të jep disa “municione” për të kuptuar një realitet rregullator që mundëson pikërisht funksionimin e shoqërisë. Po, është e vagullt si përgjigje, por siç janë edhe arsyet e një fëmije. Na kërkohet të vendosim një nga gurët themelore të jetës që po ndërtojmë, pa kuptuar ende këtë të fundit. Pse po e vazhdoj këtë zgjedhje? Këtë e zbulova, vetëm kur fillova të punoj në një zyrë avokatie këtu në Paris. Shumë studentë, edhe këtu në Francë zgjedhin drejtësinë sepse është një trampolinë efikase për më vonë, dhe ofron një formim që e zgjeron spektrin e mundësive në terrenin e punës. Gjithsesi, ndryshimi midis Shqipërisë e këtyre vendeve, mendoj se është vetë sistemi arsimor, i cili nuk mundëson një filtër gjatë viteve të studimit. Thuajse të gjithë ata që nisin këto studime në vendin tonë i përfundojnë, kjo s’është aspak normale në raport me vendet e tjera.

Çfarë ndodh me gjeneratën tuaj Alba? Sepse jashtë studiojnë edhe shumë të tjerë. Por duke u ndalur te ju, aspiratat janë për të qëndruar aty, apo për të dhënë drejtësi diku tjetër apo edhe në Shqipëri?
Prindërit që kanë sakrifikuar aq janë të gatshëm të mos kthehemi më e të ndërtojmë jetën tonë jashtë. Preferojnë të mos na kenë pranë, por të dinë se po hedhim hapa të sigurtë e se mundi do të na shpërblehet. Kjo, sepse e shohin vendin tonë pa të ardhme. Pa dashur të tregohem pesimiste, pasi besoj se Shqipëria, edhe nëse vonë, do të arrijë nivelin që i takon. Ky fenomen i ikjes masive sot të forcës intelektuale, punëtore, te trurit e të krahut të punës vjen si rrjedhojë e një sistemi jo-meritokratik, bazuar shpesh në nepotizëm.
E kur mbizotëron kjo mendësi ku diferencat e pozicioneve në strukturat e ndryshme s’do të bazohen në meritë njeriu ç’ekuilibrohet. Prandaj zgjedhin të largohen, të dinë se puna e tyre do të gjejë vlerësim e shpërblim. Sa i përket synimeve të mia, do të doja të qëndroja për disa vite mbas rrugëtimit akademik, e të punoja në profesionin tim këtu për t’i dhënë vlerën praktike diplomës. Gjithsesi, në asnjë moment nuk e përjashtoj Shqipërinë.

Si një juriste e ardhshme a mendon se drejtësia shqiptare ka nisur një kapitull të ri me ndryshimet në sistem?

Nuk jam në gjendje të vlerësoj prej këtu sa impakt ka pasur e ashtuquajtura reformë në drejtësi në sistemin aktual. Ndonjëherë më duken si skena teatrale. Rishikimi i deklarimeve të pasurisë, vetë kompetenca e gjykatësve, publikimi i disa sekuencave që tregojnë sesi po vepron reforma. Mendoj se është më e thjeshtë në formulë dhe më e komplikuar në aplikim. Problemi është ai i përhershmi, duhet një luftë e fortë anti-korrupsion dhe mekanizmat efektivë për të garantuar ndarjen e pushteteve. Reformimi duhet të vijë gradualisht dhe progresiv që të funksionojë.

Nëse do ishit gati dhe me diplomë, do të merrnit iniciativën të aplikonit në strukturat e reja të drejtësisë në Shqipëri? Apo, ende nuk keni besim?
Më duhet të pranoj se nuk kam akoma një përgjigje për këtë pyetje. Varet nga shumë faktorë, nëse do të ishte një pozicion ku të mund të kisha impakt sado pak në përmirësimin e vetë strukturës. Pozitivja në Shqipëri është që ka akoma shumë për të bërë, në një kohë që në Perëndim është më vështirë të sjellësh diçka të re, qoftë kjo edhe një përmirësim.
Alba preferon më shumë pjesën penale, apo atë civile? Pjesën avokatore, apo atë akuzuese.
E kam të vështirë të zgjedh, pasi personalisht jam e intriguar nga e drejta penale fiskale. Është kryesisht edhe pjesa e avokaturës që më tërheq. Kjo pasi, pa avokaturën s’mund të funksionojë akuza. Procesi gjyqësor s’mund të zhvillohet pa mbrojtësin, është një formë heroi. Një shembull: Më vjen ndërmend procesi i “le Brigate rosse” në Itali, ku procesi gjyqësor s’mund të zhvillohej pa një avokat për palën mbrojtëse, por që në rastin në fjalë askush nuk guxonte, dhe i vetmi që pranoi e i dha terren veprimi akuzës ishte avokati Fulvio Croce, që më pas u vra nga vetë “Brigate rosse” dhe u konsiderua hero. Nëse do të më duhej të zgjidhja, do të thosha kryesisht civilen, e drejta e obligacioneve, apo detyrimeve është shumë e bukur.

Çfarë perceptimi vjen nga jashtë për Shqipërinë dhe vendin tonë? A gjëndeni shpesh edhe në pozita sqaruese kur flitet për Shqipërinë?
Gjendem jo rrallë herë në pozita të tilla. Shpesh njerëzit kanë tendencën t’i besojnë klisheve dhe është bukur kur i tregon se “Taken” s’është veçse film (po e marr si shembull klisheje) dhe se realiteti është, këtë herë më rozë se sa edhe shfaqet. Gjithashtu e ndjej të nevojshme të shpjegoj këtu edhe imazhin tonë negativ mbas ’90-tës jashtë vendit. Gjithsesi perceptimi s’është gjithmonë negativ. Shpesh herë e shohin Shqipërinë si një vend ekzotik të Evropës. Si një vend mesdhetar, na mendojnë gjaknxehtë, thënë kjo, jo në kuptim pexhorativ, dhe plot jete, ashtu siç jemi. Dhe kjo me pëlqen. Disa të tjerë e lidhin me figurën e Nënë Terezës, disa me miq shqiptarë që ja kanë dalë në fushat e tyre.

Është e vështirë të superosh nivelin e shkollës së drejtësisë në Francë?
Unë studioj në Panthéon Assas, një shkollë që kryeson klasifikimin në fushën e drejtësisë në Francë, kjo vjen me një çmim, pasi kërkesat akademike janë shumë të rrepta dhe vlerësimet tepër rigoroze, ndonjëherë më tepër se duhet mendoj. Por, Franca është e bazuar në një sistem arsimor ku e drejta i jepet gjithkujt, e ku filtri behet çdo vit. Kjo e bën të vështirë, sepse asnjëherë s’mund të jesh i qetë, por e bën edhe të vërtetë në vlerësim. Është bukur të dish se e ke merituar.
Protesta ka patur edhe në France, por edhe në Shqipëri. Ju kanë lënë ndonjë përshtypje të veçantë ato?

Mbaj pozicion të ndryshëm për të dyja, pasi koniukturalisht janë të ndryshme.
Në Shqipëri kam mbështetur dhe do mbështes plotësisht protestën e studentëve, e konsideroj të drejtë dhe të mirëorganizuar. Kërkesa për arsim falas është legjitime, pasi e drejta për t’u shkolluar s’mund të bazohet në një filtër mbi situatën financiare të gjithsecilit. Për më tepër, që tarifat në fuqi janë të kripura. Është për të ardhur keq qëndrimi dhe justifikimi, fshehur pas mekanizmave procedurale e buxhetore të pakuptimta. Por, as Roma s’është bërë në një ditë. Duhet parë si një tentativë e parë dhe pozitive.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.