Nostalgji

Juli Deda: Sparkata, ajo që nuk do të bëja dot kurrë

14:00 - 11.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Juli Deda: Sparkata, ajo që nuk do të bëja dot kurrë. Ledia Sulaj: Si e dobësova 14 kg Juli Dedën




Janë një ndër çiftet më të preferuar në kërcim dhe provat i kanë marrë me shumë seriozitet për të dalë me sukses në spektaklin e javës. Madje aktualisht janë të parët në klasifikim. Ata janë aktori i mirënjohur Juli Deda dhe balerina e Teatrit të Operas dhe Baletit, Ledia Sulaj. Në këtë intervistë ata tregojnë të dy për aktivitetin më të fundit, i cili po u merr jo pak kohë, humbjen në peshë prej shumë kilogramësh të aktorit për të ardhur në formën që duhet, si dhe vështirësitë dhe kënaqësitë e Ledias në punën e saj.

Si të duket vetja në pozicionin e balerinit?
Ndihem si në shtëpinë e dikujt tjetër. Në fakt ndjehem pak i befasuar me veten sepse unë nuk e kam pasur asnjëherë qejf të kërcej, as në ambiente familjare. Prandaj më vjen pak çudi se si po arrij të kërcej tani, e aq më tepër me një koreografi të mirëfilltë. Është një eksperiencë e re, e cila sa vjen e bëhet më e bukur. Dhe vërtet ka filluar të më pëlqejë sepse po provoj emocione që nuk i kam provuar më parë, sepse asnjëherë nuk kam dalë në skenë për të kërcyer, por gjithmonë për të folur. E kam marrë me seriozitet këtë sfidë më tepër me veten e pastaj me të tjerët që janë në garë. Në fund vendos publiku, i cili mund të na votojë me kodin VIP 09.

Paçka të gjitha këtyre që përmende, sa e gjen veten tek baleti?
Baleti bën pjesë te artet skenike, kështu që sigurisht e gjej veten në këtë drejtim që ka të bëjë me skenën në fund të fundit. Pastaj, për sa i përket elementeve thellësisht profesionalë, sigurisht që kam mangësirat e mia. Por po përpiqem të përshtatem me të gjitha mundësitë. Që do të thotë, ta shikoj këtë zhanër si pjesë e imja, të paktën për sa i përket skenës dhe spektaklit.

Më mirë aktor apo balerin?
Me mirë futbollist, por jo në Shqipëri hahahhahahahaha. Sigurisht më mirë aktor, se ai është habitati im natyral. Por po mundohem që në një farë mënyre të jem aktor edhe në të kërcyer. Që do të thotë, që bashkë me koreografët po mundohemi të gjejmë lëvizje apo etyde që i përshtaten natyrës sime si Jul dhe sigurisht si aktor. Por kjo nuk do të thotë se duhet të bëj humor duke kërcyer se pastaj do ishte e tepërt, por do përpiqem të rri brenda kornizave të karakterit tim.

Si t’u duk vetja për të parën herë në skenë duke kërcyer?
Të them të drejtën nuk m’u duk keq. Për fatin tim të mirë, është Ledia, partnerja ime, e cila më jep shumë siguri dhe më heq atë pak stres që kam. Pikërisht kjo ndodhi edhe natën e parë që kërceva para publikut. Sigurisht kisha shumë emocione, pavarësisht se mundohem t’i fsheh, por isha i sigurt se çdo gjë do shkonte siç duhet. Dhe është pikërisht ajo e përbashkët me aktrimin që duhet të kesh besim te partneri që të dalësh mirë, dhe Ledia është pikërisht që më jep shumë siguri.

E ke parë veten keq në ndonjë rast apo në vështirësi?
Veten e shoh keq në çdo fillim provash për kërcimin e ri. Sepse përballem me lëvizje të reja, figura të reja, interpretim të ri etj, etj. Dhe këtu fillon vështirësia më e madhe te hapat e parë dhe deri sa hidhet komplet koreografia. Sepse që në këtë moment unë filloj e mendoj se, a do t’ia arrij apo jo që të dal me sukses. Por, ashtu duke u përpjekur, do arrijmë të paktën të kënaqemi me punën time si balerin amator, hahahhaha.

Ç’mund të na thuash tjetër për Ledian?
Ledia është balerinë profesioniste në Teatrin e Operas dhe Baletit. Dhe si e tillë, ajo është shumë kërkuese sepse baleti për të është siç është për mua aktrimi, do të nxjerrë më të mirën e mundshme. Një gjë të mirë që ka ajo, është se nuk kënaqet pothuajse asnjëherë. Kjo është një shenjë pozitive për një profesionist që kërkon më të mirën te vetja. Unë, sigurisht kam shumë qejf që nganjëherë gjatë provave të bëj ndonjë shaka, por nuk e marr shpesh të njëjtën përgjigje nga ajo, hahahahhahhaha. Është shumë e përqendruar në punë. Është vërtet fat të kërcesh me të.

Cili është çifti më i talentuar për ju deri në këto momente?
Juli & Ledia, sigurisht, hahhahahahhahah…shaka. Të gjithë kanë atë mënyrën e vet të të kërcyerit dhe nuk jam unë ai që mund të japë një mendim profesional për këtë. Por ajo që bie në sy, është se organizatorët e këtij spektakli kanë bërë zgjedhje të mira sepse janë tipa dhe natyra të ndryshme. Pra jemi si një mozaik me gurë shumëngjyrësh. Por gjithsesi, ne po kënaqemi me njëri-tjetrin dhe kjo është ajo që ka rëndësi.

Ke marrë opinione nga njerëz të rastit? Çfarë kanë vlerësuar tek ti?
Janë të ndryshme, të mira, vërejtje etj. Unë mendoj se publiku, tek unë si aktor apo si “balerin” shikon dhe i pëlqen energjia pozitive që unë mundohem të transmetoj. Kjo është energji që unë e jap me gjithë zemër sepse ashtu jam gatuar. Sepse mes meje dhe spektatorit nuk ka më barriera, pasi nëpërmjet spektakleve ku mbizotëron humori, unë jam munduar që t’i kënaq dhe t’i transmetoj pikërisht atë energji që ai ka nevojë.

Cili është ai ushtrim që kurrë nuk do të bëje?
Do të thosha që pasodoblen e kam pak vështirë, për arsye se kërkon pak precizion në lëvizje apo në figura. Por mund të them një lëvizje që nuk do të doja ta bëja asnjëherë, ajo është sparkata, hahahhahahahahha. Shumë e vështirë për mua.

Ledia Sulaj: Si e dobësova 14 kg Juli Dedën

J e një balerinë profesioniste, si ndihesh kur ke një part ner jo të pozicionit tënd, në këtë rast Julin?
Në fakt nuk më ndodh shpesh kjo situatë që të kërcej me një partner që nuk ka lidhje me baletin, prandaj eksperienca në ’Dancing with the stars’ është e bukur sepse të bie të kërcesh pikërisht me një partner të tillë. Por mendoj se përveç vështirësive që ka, është edhe diçka shumë e bukur. Fakti që ky partner është Juli, e bën akoma më simpatike situatën sepse ai është pikërisht Juli që njohin të gjithë dhe puna me të jo vetëm që nuk është e mërzitshme, por përkundrazi, është një argëtim. Unë i bëj shumë vërejtje, të cilat ai i merr nganjëherë me të qeshur, por pastaj punon seriozisht. Jam shumë e lumtur që përveçse tashmë kërcen ’tango’, ’cha cha cha’, ’jive’ etj, ai ka rënë 14 kile nga pesha, dhe ky është një tregues që kjo punë është marrë seriozisht.

Ka talent Juli në balet?
Hahahhahah! Talent është fjalë e madhe, por mund të them se ai e kap ritmin dhe vihet shpejt në lëvizje. Pra i mëson shpejt lëvizjet apo hapat. Por, ai e ka tmerr kur fillojmë punën me finiturat, sepse pikërisht këtu fillon profesionalizmi në të kërcyer. Jo vetëm te ne të dy, por tek të gjitha çiftet, dhe ne si balerinë jemi munduar që koreografitë të jenë profesionale, me të gjitha elementet e nevojshme për një kërcim dinjitoz. Pra pak a shumë, kemi punuar sikur të ishin vërtet balerinë.

Të ka krijuar vështirësi në ndonjë rast?
Po sigurish që ka vështirësi, sepse Juli nuk është mësuar me termat tonë të baletit. Madje ai nganjëherë bën humor me këto terma. Por ne i përdorim si kode për të vizatuar një koreografi. Pastaj Julit i kërkoj gjithmonë ta mbajë shpinën drejt, sepse baleti e kërkon me doemos impostimin e trupit që figurat apo lëvizjet të dalin të pastra. Pastaj një gjë tjetër është edhe lëvizja e duarve, të cilën ai e ka problem për arsyen se nuk është mësuar t’i mbajë duart në pozicione fikse, siç mund ta kërkojë koreografia. Pra vështirësi ka shumë, por ne i kemi kaluar më së miri dhe punojmë shumë mirë bashkë.

Si e ndjen veten në këtë format televiziv?
Pa diskutim që ndjehem mirë dhe shumë e vlerësuar që jam pjesëtare e këtij formati me famë botërore. Është format, i cili i ka të gjitha elementet e duhura që ty të japin mundësi të tregosh vlera të vërteta profesionale. Sepse ka brenda edhe show, edhe kërcim, edhe komunikim me publikun, që është shumë i rëndësishëm. Pra ndjehem shumë mirë.

Cilat kanë qenë komplimentet dhe vërejtjet?
Kam marrë komente, vlerësime dhe kritika. Marr komente sidomos për partnerin, për Julin, sepse ai është figurë e dashur dhe e njohur. Komente të tipit, si e bëre të kërcejë Julin? Sa e ke dobësuar……jeni mirë, vazhdoni kështu….e shumë komente të tjera. Ndërsa kritikat i marr nga njerëz të profesionit.

Do të kishe provuar ndonjëherë të aktroje?
Në një farë mënyre edhe baleti ka dozën e tij të aktrimit brenda. Sepse edhe neve na kërkohet nga koreografët interpretim profesional në shpalosjen e figurës artistike. Por në qoftë se keni pyetjen se, a do të interpretoja për të bërë humor, mund të them se është shumë e vështirë dhe nuk ma do mendja se mund ta bëj siç duhet. Hahahhahahaa… Kemi Julin për këtë.

Ky shkrim u botua më 6 mars 2010

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.