KULTURË

Tringë Smajli, shqiptarja e zbulimit ushtarako-politik të 1900-ës

19:09 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

E lindur në vitin 1870 në një botë burrash, e rritur në Grudë, ajo mundi të shquhej mes grave të zonës, jo thjesht prej ideve novatore për kohën, por edhe për faktin se mundi të ishte një grua që u bë e barabartë me burrat, duke e gdhendur emrin e saj, përkrah atij të Dedë Gjo Lulit.   Tringë Smajli, vajza e bajraktarit të Grudës, pas internimit të të atit, (I) Smajl Martini Ivezaj (në kuadër të shtypjes së Lidhjes së Shqiptare të Prizrenit), mori armët dhe u bë pjesë e pleqësive të burrave në Malësinë e Madhe. Ajo merrte pjesë në Kuvendet që mbaheshin për luftën a për çështjet e rregullimit të jetës në male. “Fjala e saj zinte vend si fjala e ma t’mirit burrë”, thoshin ata që e njohën. Tringa u bë një ndër njerëzit e besuar të Dedë Gjo Lulit, duke bërë që ky i fundit të falte gjakun e nipit të tij. Ajo u mor gjatë me pajtimin e gjaqeve edhe për të shuar ‘luftën’ mes banorëve të zonës për t’u bashkuar. “Njihej si përparimtare për vendin, duke kritikuar zakonet prapanike të fejesës së vajzave në djep apo shtypjes së femrës nga ana e burrit”. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” shënon se Tringa konsiderohet si femra e parë shqiptare që është marrë me zbulimin ushtarako-politik.

Historia na tregon se kjo ka qenë një detyrë që asaj iu caktua nga Dedë Gjo Luli, ndërsa ajo hetonte gjendjen e armatimit të turqve, duke ia çuar njoftimet atij përmes grave të tjera. “… ka treguar trimëri të rrallë, veçanërisht gjatë kryengritjes anti-osmane të vitit 1911, ku mori pjesë me armë në dorë në luftimet e Deçiçit krahas grave të tjera”, shënon “Marubi”. Tringë Smajli kundërshtonte zakone si rrahjen e grave prej burrave (a trajtimin si pronë), kundërshtonte fejesën e fëmijëve në djep dhe kërkonte që vajza e djali të zgjidhnin njëri-tjetrin në martesë. Ajo është një ndër gratë që kanë bërë histori, në një kohë të vështirë edhe për Shqipërinë e në një kohë që në zonën ku jetoi, gruaja nuk kishte rolin që ka sot. Jemi në fillimet e 1900-ës, një shekull më parë.Emri i saj del në pah në një aktivitet të veçantë të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Në një antologji fotografike, një bashkëpunim mes “Gruaja tek Gruaja” Shkodër dhe Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” nisi rrugëtimin historia e gruas shkodrane nën objektivin e Marubit.

Në “Ditët e Gruas”, ‘#kjojamune”, një kolanë e përzgjedhur fotografike sjell në vëmendje histori të grave shkodrane me kontribute të rëndësishme në dekada, të cilat janë trashëguar brez pas brezi duke u bërë kështu burim force dhe besimi për brezat e rinj. Dje, një aktivitet i mbajtur në “Marubi”, i konceptuar të ndërlidhte të kaluarën me të tashmen, duke evidentuar kontributin e çmuar të gruas në shoqëri, ftoi të flasin tri zonja që kanë histori frymëzuese, paralelisht me një ekspoze fotografish nga arkiva e Marubit risolli në kujtesë rolin dhe vlerën e figurës femërore në shoqërinë e të gjitha kohërave. Mes atyre grave ishte edhe Tringë Smajlaj, si edhe artiste e sportiste, siç ishin Marie Çoba, Kushe Micja, Miarie Logoreci, Naile Hoxha, Luçie Miloti, Marie Kraja,  Ylvije Boriçi, Liljana Çefa, Benardina Marubi, Xhuljeta Shestani, Roza Anagnosti, Fatbardha Saraçi, Maria Tuci.

EMRA E VEPRA

Marie Çoba në vitin 1920 krijoi “Komitetin Gruaja shqiptare” dhe drejtoi revistën “Gruaja Shqiptare”, revista e parë e botuar me iniciativën e gruas në qytetin e Shkodrës në të cilën trajtoheshin problemet socio-ekonomike, atdhetare dhe morale të lidhura me emancipimin e femrës. Në vitin 1962, Kushe Micja hapi institucionin e parë arsimor femëror në Shkodër me ndërtesë në shtëpinë e saj në rrugën Vasiej, Serreq. Kjo shkollë e parë femërore ishte një vatër edukimi, ku bëhej një përgatitje në gjuhën shqipe me njohuri të mjaftueshme për kohën, duke i dhënë mundësinë shumë vajzave shkodrane të zgjeronin njohuritë dhe kulturën e tyre. Në këtë shkollë mësonin 50 vajza nga mosha 9-14 vjeç, ku përdorej alfabeti tradicional i veriut. Marije Logoreci e nisi jetën artistike që në nëntor të vitit 1947, ku filloi punën në Teatrin Popullor. Ajo ishte pioniere e kinematografisë. Marie Logoreci numëron gjithsej 43 premiera në skenë, më e spikatura roli i Lokes tek “Cuca e Maleve”. Për afro 30 vite Luçie Miloti interpretoi 500 këngë, duke u bërë kështu një reformatore e këngës popullore duke interpretuar këngë si “Karafilat që ka Shkodra”, “Zanusha” etj. Ajo përfaqësoi këngën popullore denjësisht në skenat e botës që në moshën 17-vjeçare, në Evropë, Azi dhe Afrikë.

Mori pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Pragë dhe në Rusi. Në Festivalin Botëror të Rinisë në Bukuresht është quajtur “Bilbili me zë kristalor”. Femra e parë fotografe në historinë e fotografisë shqiptare, Benardina, vajza e Kel Marubit, Benardina u rrit duke ndjekur lojën e aparatit fotografik të të atit, duke parë sesi në studion e vogël merrnin jetë negativë filmash. Kryesisht, ajo është tërhequr nga imazhet femërore, duke fokusuar gratë e Shkodrës të pas viteve 1920. Ajo njihet edhe si vajza që qëndisi flamurin me një shqiponjë dykrenore me dy flatra më 1913-ën (flamur që gjendet sot tek arbëreshët e Italisë). Xhuljeta Shestabi, personalitet i mjeshtërisë sportive me një karrierë 22-vjeçare në basketboll. Në vitin 1988 nderohet me titullin “Mjeshtre Sporti” ndërsa në 1991 “Mjeshtre e Merituar Sporti”.

Në vitet 1919-1998 shpallet ndër 10 sportistët më të mirë të Klubit “Vllaznia”, duke u cilësuar si basketbollistja më e mirë shkodrane e të gjithë kohërave. Fatbardha Saraçi erdhi nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist për shkak të pozitës së xhaxhait Qamiz Mulleti, prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashit. Gjatë periudhës së komunizmit, për shkak të “biografisë së keqe” i mohohet e drejta e studimit e më vonë edhe ajo e punës. Pas rrëzimit të diktaturës, në qytetin e Shkodrës ku ajo ishte martuar, punoi shumë për të grumbulluar histori të grave të persekutuara nga regjimi komunist, duke udhëtuar në të gjithë Shqipërinë për të grumbulluar rrëfimet e tyre, të cilat u publikuan në tri vëllime “Dhimbje” 1,2,3 të përmbledhura në “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” (2013).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.