OPINION

Kundër censurës neobolshevike, një replikë me Agron Tufën

15:40 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fatos TARIFA

 

Lexova këto ditë “qasjen ndaj repertorit të trashëgimisë komuniste mbi filmin” të poetit Agron Tufa, botuar në Gazetën Shqiptare. Ky autor duket se ka marrë përsipër fillimin e një nisme legjislative për ndalimin me ligj të pjesës më të madhe të atij repertori, në analogji, siç shkruan ai, “me legjislacionin e BE-së për ndalimin e propagandës së drejtpërdrejtë dhe për abuzim me të drejtat e autorit”. Në rrethanat politike krejt të padëshiruara të kohëve të fundit, nga të cilat varen ecuria e mëtejshme e reformës në drejtësi dhe, në një kuptim real, fatet e Republikës sonë, kjo është një “surprize” e radhës. Në emër të dekomunizimit të mëtejshëm të shoqërisë shqiptare kërkohet ndalimi me ligj i transmetimit në televizionin publik dhe në të gjitha televizionet private i një pjese të madhe të filmave artistikë që janë prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” gjatë periudhës së socializmit shtetëror.

E them që në fillim se kjo ide është një marrëzi. E hedhur si një shashkë në mediat tona, ajo ka krijuar ca tym në publik, të qeshura në ndonjë program televiziv humoristik, si “Al Pazar”, por edhe reagime të forta nga një sërë personalitetesh të artit, të kulturës e të jetës sonë publike, më së fundmi dhe, ndoshta, në mënyrë më të argumentuar, nga Moikom Zeqo dhe Dom Gjergj Meta. Unë u bashkohem këtyre zërave, jo në mbrojtje të një sistemi politik e shoqëror të përmbysur një herë e përgjithmonë, por në emër të lirisë së shprehjes e të zgjedhjes, në emër të demokracisë dhe të mbrojtjes së vlerave kulturore të popullit tonë.

“Lëndë toksike” apo një rrezik imagjinar?

z.Tufa dhe ndonjë tjetër, që mendon si ai, e konsideron një pjesë të këtij repertori si “lëndë toksike, radioaktive, të dëmshme për shëndetin moral publik”. Jam kurioz të di se ku mbështetet ky “argument”, prandaj dhe bëj pyetjen, e cila, për mua, si sociolog, ka shumë rëndësi: Ka kryer ai vetë, ose ndonjë tjetër (sociolog i kulturës në këtë rast), ndonjë studim që të provojë empirikisht shkallën e përhapjes së kësaj frike “intoksikimi” që projekton vetë z. Tufa, si edhe gjendjen aktuale të “shëndetit moral” të publikut shqiptar për shkak të “trashëgimisë komuniste të filmit”? Nëse një apo disa studime të tilla empirike janë bërë dhe rezultatet e tyre dëshmojnë atë që z. Tufa e shpreh si një shqetësim të tijin, madje alarmant, atëherë çështja është serioze dhe propozimi i tij duhet marë në konsideratë. Por, nëse kjo mbetet një dukuri e pahulumtuar (në mënyrën dhe me metodat e duhura), atëherë frika e z. Tufa mbetet të jetë një frikë personale e tij, të cilën nuk e ndajnë një pjesë e madhe e shqiptarëve, për të mos thënë, ndoshta, pjesa më e madhe e tyre.

Në Shqipëri (dhe unë besoj në të gjitha vendet ish-socialiste), socializmi shtetëror, si sistem, është përmbysur përfundimisht dhe nuk ka gjasa që ai të mëkëmbet. Dhe ashtu siç retorika antikomuniste, pas 26 vitesh nga përmbysja e atij sistemi, nuk shërben më për të legjitimuar politikat e dështuara postkomuniste për krijimin e një sistemi demokratik të konsoliduar në këtë vend, po kështu është absurde të thuash se ideologjia komuniste, e mishëruar në shumë prej krijimeve të kinematografisë shqiptare të asaj kohe, përbën një rrezik real për “shëndetin moral” të shoqërisë së sotme shqiptare. Rreziku i saj është imagjinar, jo joreal. Nëse do të ishte real, ai do të mund të matej, por askush nga studiuesit tanë nuk na ka dhënë deri më sot as provën empirike më të vogël për ekzistencën e një rreziku të tillë.

Nostalgjia, një tipar i gjendjes sonë humane

Është e vërtetë se shumë njerëz i shohin edhe sot me nostalgji disa nga filmat më të mirë të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në dekadat para vitit 1990. Por, kjo nostalgji nuk është aspak një “lëndë toksike”, ose një lëndë e parë për krijimin e një opiumi “të dëmshëm për shëndetin moral” të publikut, apo për mirëqenien psikologjike të tij. Nostalgjia është një tipar i gjendjes sonë humane. Ajo, madje, është e domosdoshme, si një mënyrë për t’i bërë vetes një vend në atë që kolektivisht, si popull, kemi mundur të arrijmë, ose në atë që kemi dështuar ta arrijmë. Përveç kësaj, siç thoshte Marcel Proust, nostalgjia për gjërat e shkuara “nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë”. Ata që nostalgjinë e konsiderojnë një sëmundje, harrojnë se edhe e sotmja është, në një kuptim real të fjalës, nostalgji e së ardhmes për të sotmen e shkuar. Unë i përmbahem mendimit të Hannah Arendt-it, njërës prej mendjeve më të shquara të shekullit që lamë pas, e cila shprehej njëlloj si kundër konservimit nostalgjik të së shkuarës, ashtu edhe kundër shbërjes destruktive të saj.

Sa nostalgji krijojnë në të vërtetë te shqiptarët e sotëm filmat e prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, e cila u grabit dhe u shkatërrua barbarisht, në rrethanat e një marrëzie kolektive, nga njerëz që mendonin dhe besonin pikërisht idenë që na sugjerohet sot? Të moshuarit, një pjesë e mirë e të cilëve, kur ishin të rinj, luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë e nazistë dhe i vunë shpatullat rindërtimit të një vendi të mjeruar nga varfëria e të shkatërruar nga lufta? Sa kanë mbetur prej tyre? Dhe a nuk është e justifikuar e tërësisht njerëzore nostalgjia e këtij brezi dhe, po kështu, një e drejtë e tyre për të parë sa herë që dëshirojnë ata filma e dokumentarë që pasqyrojnë përpjekjet e tyre? Këta janë vallë njerëzit që mund të intoksikohen nga “lëndët radiokative” të filmave shqiptarë?

Apo mos vallë është brezi i 45 ose 50-vjeçarëve të sotëm, shumë prej të cilëve e kërkuan dhe e sollën përmbysjen e madhe në shoqërinë shqiptare? A nuk ishte kryesisht ky brez ai që i kërkoi lirinë e mendimit, të shprehjes e të organizimit dhe një rend demokratik, në të cilin të konkurrojnë, jashtë çdo interdikti, vlerat dhe pikëpamjet e gjithsecilit anëtar të shoqërisë?

Apo vallë të rrezikuarit nga “opiumi” ideologjik i filmave të periudhës komuniste janë të rinjtë e sotëm, nxënësit dhe studentët, të cilët, ne që punojmë me ta, i njohim se ç’interesa kanë dhe çfarë kërkojnë nga jeta? Ata nuk e kanë njohur rendin e socializmit shtetëror dhe s’ka si të kenë nostalgji për të. Filmat e prodhuar gjatë asaj epoke ata ose nuk i shohin, sepse, të lindur në një botë dixhitale, ata janë, ose bëhen përherë e më shumë “netizens” (citizens of the net) dhe, si të tillë, kanë interesa e pëlqime krejt të tjera nga ato të prindërve të tyre, ose, kur i shohin, ndoshta argëtohen dhe mësojnë diçka të re që tekstet shkollore nuk ua thonë. A duhet, pra, të kemi frikë se filma të tillë i intoksikojnë të rinjtë dhe e prishin moralin e tyre? Ky pretendim më duket absurd, siç më duket pa vend edhe sugjerimi që transmetimi i filmave që do të mund t’i shpëtonin censurës “të paraprihet me një hyrje pesë-minutëshe”, për t’i shpjeguar publikut se përse transmetohet ky apo ai film. Në shekullin e 21-të! Për një publik shumë më të sofistikuar sesa ai i 50 ose 30 viteve më parë.

Kundër një censure neobolshevike

Do të ishte një gabim i madh që, në emër të luftës kundër komunizmit, të përdorim një metodë neokomuniste—CENSURËN—siç sugjerohet nga disa. Sepse, të kërkosh të ndalohet me ligj shfaqja e nje repertori filmash (pse jo edhe dramash, veprash muzikore, veprash në pikturë e skulpturë, ose shitja e mijëra romaneve dhe vëllimeve poetike, përfshirë edhe ato të Kadaresë), që janë krijuar gjatë periudhës së socializmit shtetëror, nuk është as më pak, as më ndryshe sesa vetë censura që ushtroi regjimi komunist. Kjo nuk është një metodë demokratike, kjo është një metodë autoritariste, komuniste, në mos edhe inkuizicioniste. Adam Michnik, ky hero i fjalës së lirë dhe i lirisë, e ka denoncuar ashpër këtë politikë dekomunistizuese, të luftës kundër bolshevizmit përmes përdorimit të “të njëjtave metoda bolshevike”.

Shqetësimi i atyre që kërkojnë ndalimin me ligj të transmetimit të pjesës më të madhe të filmave shqiptarë, të prodhuar para viteve 1990, thuhet se është ana (ç)edukative e tyre. “Ç’rol edukativ mund të përmbushin filma të tillë?”, pyesin ata. Duhet thënë, sidoqoftë, se veprat artisktike jo gjithnjë e jo domosdo synojnë të edukojnë. Vetëm Partia kërkonte që çdo vepër arti, çdo film, çdo dramë, çdo roman, çdo pikturë, madje edhe çdo karikaturë apo çdo shfaqje cirku të edukonte “njeriun e ri” me frymë revolucionare. Çdo krijim artistik, pra edhe filmi, ka edhe vlera estetike dhe vlera njohëse dhe këto vlera janë të rëndësishme për formimin kulturor të individit, sidomos kur ky nuk e ka jetuar periudhën që pasqyrohet në atë krijim artistik. Përmes prodhimeve kinematografike shqiptare të së kaluarës, të rinjtë e sotëm mund të mësojnë e të kuptojnë se si ka qënë e organizuar shoqëria e tyre nën “diktaturën e proletariatit”, ç’mënyrë jetese ekzistonte në atë kohë, si jetonin njerëzit (pra, edhe prindërit e tyre) në qytet ose në fshat, cilat ishin kushtet e jetesës, mënyra e veshjes, sjellja e individit dhe ajo kolektive, si u cënoheshin qytetarëve të drejtat njerëzore themelore, si vuanin “armiqtë e klasës” dhe të afërmit e tyre, si ishin të organizuara marrëdhëniet familjare dhe raportet martesore, si dashurohej, si mësohej në shkolla, si, në ç’kushte dhe me ç’mjete punohej në bujqësi ose në industri—me fjalë të tjera, ç’kanë lënë pas prindërit e tyre, që ata sot nuk e njohin (dhe nuk do ta provojnë kurrë si ekperiencë jetësore) dhe si ka ndikuar kjo në familjet dhe në shoqërinë në të cilën ata jetojnë sot.

Të mos harrojmë se një pjesë e mirë e atyre pak filmave shqiptarë që prodhohen sot, në kushtet e një lirie të plotë krijuese, nuk kanë më shumë vlerë edukative sesa filmat më të mirë të së kaluarës, pa përmendur vlerat e tyre artistike. Shumë prej këtyre filmave mund të thuhet se çedukojnë, në vend që të edukojnë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për regjizorët dhe aktorët e kinematografisë sonë. Gjatë këtij çerekshekulli të fundit ne s’kemi parë ende të dalin aktorë të mëdhenj si Kadri Roshi apo Sulejman Pitarka, si Naim Frashëri apo Melpomeni Çobani, si Prokop Mima apo Sandër Prosi, si Robert Ndrenika apo Roland Trebicka, dhe as regjizorë si Dhimitër Anagnosti apo Viktor Gjika. A nuk është talenti krijues i këtyre njerëzve të shquar të artit shqiptar, pavarësisht roleve që ata kanë luajtur, një shembull që edukon edhe sot krijuesit e rinj në fushën e kinematografisë e të artit skenik?

Të duash të “burgosësh” pasqyrimet artistike të një historie gjysmëshekullore të një populli, është si të thuash se ajo histori nuk ka ndodhur, pra nuk ka ekzistuar dhe të krijosh, nëse përdorim gjuhën e Bacon-it, një shkretëtirë në kohë. Edhe pse këtë dikush mund ta dëshirojë, dëshira është naive dhe përpjekja domosdo e dështuar.

Teksa i mbyll këto radhë, më vijnë ndër mend fjalët Michnik-ut, 25 vite më parë: “A do të jetë e ardhmja ajo e një shoqërie tolerante, të lirë e liberale? Apo ajo përsëri do të ngrihet mbi gënjeshtra dhe do të prodhojë një diktaturë të një ortodoksie të re?”.

Dita


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.