OPINION

60 vjet largime dhe afrime në BE

06:22 - 22.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Dr. Jorgji KOTE
Këto ditë, në prag të 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit themelues të BE-së në Romë, natyrshëm vëmendja shkon edhe te retrospektiva e marrëdhënieve tona me BE-në gjatë gjithë këtyre 6 dekadave; fakt është se këto 26 vitet e fundit pas shembjes së regjimit komunist, që e konsideronte BE-në armikun më të madh të popujve janë një odise e vërtetë zhgënjyese me periudha ciklike afrimesh dhe largimesh, që përsëriten sa herë ndërrohen forcat politike në pushtet. Dëshmitar i këtij zhgënjimi është dhe autori i këtyre radhëve, përpara viteve ‘90, por veçanërisht gjatë këtij çerek shekulli të fundit, duke qenë i angazhuar si diplomat në Tiranë, Berlin, Bruksel dhe gjetkë.
Me gjithë arritjet e njohura e të pamohueshme, ëndrra emblematike dhjetoriane 1990 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa” ka mbetur e parealizuar. Ndonëse është folur shumë, janë hartuar strategji dhe programe dhe janë krijuar komisione gjithfarësh, në praktikë është arritur shumë pak; krahasuar me pritshmëritë e publikut dhe objektivat e përcaktuara kemi ecur drejt korsive evropiane me shpejtësi breshke. Madje, kemi thyer rekord në sensin negativ; sepse vendeve të tjera lindore, duke përfshirë dhe Rumaninë/Bullgarinë u janë dashur jo më shumë se 15 vjet për aderimin në BE, ne ende nuk kemi çelur negociatat! “Psetë” dhe  përgjegjësia për këtë vonesë të pafalshme historike dalin qartë, qoftë edhe pas një vështrimi kalimthi në dinamikën tonë evropiane të 60 viteve të fundit.
Tirana kundër Romës (1947-1957)
Nënshkrimi i Traktatit të Romës më 25 mars 1957 ishte akti dhe alternativa më e mirë afatgjatë e gjashtë vendeve themeluese dhe të tjerave, që u bashkuan më vonë për të shmangur përfundimisht përsëritjen e luftërave gjakatare, për begati ekonomike dhe demokraci liberale, në themel të të cilave qëndronin respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. BE-ja nuk u krijua spontanisht dhe në boshllëk, por pas disa mesazheve emblematikë dhe hapave madhore institucionale. Ajo u parapri më 1948  nga krijimi i Këshillit të Evropës me Konventën e famshme evropiane për të Drejtat e Njeriut, sistemi shumëpalësh ndërkombëtar me në krye OKB-në, etj.
Ndërsa në Tiranë, pas prishjes me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Ish-Jugosllavinë po përshkallëzohej lufta e brendshme në Parti, ishte dënuar grupi i deputeteve liberalë, që donin zgjedhje të lira dhe pluraliste, kishte ndodhur incidenti i Korfuzit dhe ishte sajuar bomba në ish-ambasadën sovjetike. Shqipëria kishte aderuar në KNER (Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke) dhe në Traktatin e Varshavës. Shkurt, Tirana gjatë kësaj dekade të pasluftës po lëvizte në një kahje diametrialisht të kundërt me rrymat moderne Euro-Atlantike, drejt totalitarizmit të kuq. Më 1956 ishte mbajtur Konferenca famëkeqe e PKSH-së, ku ishin shtypur me dhunë zërat liberalë të asaj kohe. Për pasojë, Shqipëria mbeti vendi i fundit stalinist në botë.
Revolucionarizim, jo reformim (1957-1967)
10 vjet më vonë, kur BE-ja po konsolidohej dhe zgjerohej, kur sapo kishte vendosur lidhje dhe marrëdhënie preferenciale me “simotrat” tona lindore, sidomos në fushën ekonomisë dhe tregtisë, Shqipëria vijonte kursin e kokëfortë të largimit prej saj. Më 6 shkurt 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin “Për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së partisë dhe vendit”, vendimet e të cilit shkonin tërësisht në drejtim të kundërt me ato të BE-së. Kur BE-ja po kërkonte dhe kishte disa arritje spektakolare në përpjekjet e saj për begati ekonomike, për demokraci, te ne u nxor jashtë ligjit leku, i cili siç pat thënë Dritëro Agolli, u bë i “burgosuri i parë politik” i regjimit; u dënua penalisht edhe privatizimi më i vogël, filloi shtetëzimi total, u ndalua me dhunë besimi fetar dhe u shkatërruan me mijëra objekte kulti për të përmendur vetëm disa prej “bëmave” të atij dhjetëvjeçari.
Kushtetuta entievropiane (1967-1977)
Dekada që pasoi e largoi në ekstremis vendin tonë nga BE-ja, falë ashpërsimit tej mase të “Luftës së klasave” dhe “vigjilencës revolucionare”. Gjatë kësaj periudhe u shtri dhe më tej në formë zinxhiri dënimi dhe linçimi i “grupeve armiqësore” në letërsi, arte, kulturë, muzikë, në mbrojtje, ekonomi, tregti të jashtme etj. Vetëm sepse drejtuesit e tyre guxuan të përmendnin dhe bënin demarshe për futjen e disa elementëve perëndimorë në këto fusha, për të qenë sa më pranë zhvillimeve moderne të kohës. Më 1976, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që refuzoi anëtarësimin në OSBE, porta e parë e madhe e hyrjes sonë në Evropë. Pas afrimit të Kinës me SHBA-të dhe vizitës historike të Niksonit në Pekin më 1971 filloi edhe ftohja me Kinën deri në ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve më 1977.
Ndërkohë, regjimi vazhdonte të qëndronte sa më larg afrimit dhe vendosjes së marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të, sipas parimit “bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”. Për t’u vënë kapakun juridik këtyre prirjeve antievropiane, pas një “diskutimi të gjerë popullor” më 1976 u sanksionua Kushtetuta e re, e cila e shpalli atë “Republikë Popullore Socialiste” dhe vendin e vetëm ateist në botë, pa pronë private, duke “tufëzuar” gjithçka deri te pulat në fshat! Kushtetuta konsideroi si tradhti të lartë edhe ndihmat/kreditë nga vendet perëndimore dhe revizioniste, bashkëpunimin ekonomik me to. Kurse BE-ja/NATO së bashku me SHBA-të u konsideruan armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit!
As lindje, as perëndim! (1977-1987)
Viti 1987 e gjeti BE-në të zgjeruar në numër me Britaninë e Madhe (1971) Greqinë, Spanjën, Portugalinë, Danimarkën, etj. Gjatë këtij dhjetëvjeçari u krijua tregu i njehsuar, bashkimi doganor etj. Edhe vendet e tjera lindore kishin avancuar në marrëdhëniet me BE-në, ndërsa disa vende të tjera dhe asnjanëse, si Austria, Finlanda dhe Suedia ishin në proces të anëtarësimit të tyre në BE-në. Kurse në Shqipëri, edhe pas vitit 1985, shpresat për një afrim drejt BE-së u shuan sërish, me gjithë ndonjë shenjë fare të vakët propagandistike dhe për një afrim milimeterik. Kongresi i 9-të i  “vazhdimësisë” i veniti sërish këto pritshmëri. Në  vend të afrimit të vërtetë, pati disa demarshe dhe tentativa me RFGJ-në, por gjithnjë sipas parimit “as hapemi, as mbyllemi, as lindje, as perëndim, as sot dhe as nesër, as kështu dhe as ashtu, as mish as peshk”. Tri vizitat historike të Shtrausit, këtij gjiganti të politikës gjermane dhe bavareze treguan më së miri dëmin e pallogaritshëm të Kushtetutës se vitit 1976 si dhe mungesën e përgjegjësisë dhe fleksibilitetit të regjimit për të lëvizur qoftë edhe brenda limiteve të sistemit.
Kur “prishnim” festën e BE-së (1987-1997)
Më në fund, erdhi demokracia me shpresa tejet të mëdha, këtë radhë jo vetëm për afrimin e vërtetë dhe të shpejtë, por edhe anëtarësimin në BE. Po, u bënë disa hapa institucionalë drejt afrimit me BE-në, NATO, FMN e BB, SHBA dhe Rusinë, etj. Në prill 1992 u nënshkrua dhe Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit me BE-në dhe synimi ishte që në vitin 1996 apo pak më vonë, të nënshkruhej Marrëveshja e Asocimit. Madje, në vitin 1996 erdhi në Shqipëri Komisioneri i Jashtëm i BE-së, Van den Broeck dhe po bëhej gati gjithçka. Të them të drejtën, nuk e di se si do të realizohej një gjë e tillë kur në atë kohë lideri i opozitës ishte në burg politik me akuza të sajuara, kur po shkeleshin të drejtat e njeriut, po burgoseshin gazetarët, etj. dhe kur ekonomia ishte non-ekzistente. Në vend të ekonomisë së tregut kishte vetëm një treg pa ekonomi, ose më mirë të thuhet një pazar të madh kaotik.
Megjithatë, në atë periudhë, vetëm pesë vjet pas shembjes së komunizmit, BE-ja ishte e interesuar t’i përfshinte vendet lindore në gjirin e vet dhe Shqipëria e vogël dukej si ndër vendet më të përshtatshme. Gjithsesi, prapë nuk qe e thënë. Politikanët qeveritarë të asaj kohe mesa duket e donin integrimin evropian thjesht si dekoracion politik e sidomos për të marrë sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës dhe aq. Afrimit me BE-në iu dha një goditje dhe më e rëndë pas farsës elektorale të vitit 1996 dhe sidomos pas krizës famëkeqe të piramidave në mars 1997.
Më 25 mars 1997, kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të BE-së ishin mbledhur për të festuar 40- vjetorin e Traktatit të saj themelues pikërisht në sallën historike të nënshkrimit në Romë. Por, kriza në Shqipëri e prishi atmosferën e asaj feste. Isha vetë i pranishëm në përbërjen e delegacionit qeveritar të kryesuar nga ish-kryeministri Fino në atë sallë, ku shqetësimi dhe trishtimi dukej qartë. Kurse një vit më vonë ndodhi rebelimi i 14 shtatorit, që na largoi sërish për një afat të pacaktuar nga BE-ja. Atë ditë, duke qenë me punë në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel kisha lënë një takim në Komisionin Evropian me shefen e Njësisë për Ballkanin, Tereza Sobieski dhe sapo hyra në zyrën e saj, ajo e shtangur më tha: “Ç’po ndodh kështu në vendin tuaj, ne sapo kishin bërë gati programet e rimëkëmbjes ekonomike në vijim të konferencave të donatorëve për krizën e 1997″?!
Po integrimi ku është? (1997-2007)
Gjatë periudhës 2000–2002 u krijua një bilanc pozitiv me shumë hapa afrimi cilësor, por që pastaj vetë koalicioni qeverisës i asaj kohe e zhbëri pa pikë përgjegjësie. Tamam kur pritej hapja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për të cilën ish-kryeministri Meta ishte angazhuar mjaft seriozisht, filloi “lufta e bërrylave” brenda partisë më të madhe e të mazhorancës, duke detyruar artificialisht rënien e qeverisë dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të re të majtë. Mirëpo korrupsioni dhe të këqijat e tjera për të cilat u bë gjithë ajo fushatë, u nxit edhe më shumë nga qeverisja e mëvonshme; për pasojë, ndonëse nga ana teknike gjithçka ishte gati, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit u shty pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe u realizua në qershor 2006 gjatë mandatit të mazhorancës së re të djathtë me besimin se ajo do të bënte diçka më mirë edhe drejt riafrimit me BE-në.
Sërish afër dhe larg (2007-2017)
Në pjesën e parë të kësaj dekade pati disa hapa dhe lëvizje pozitive; u bë liberalizimi i vizave, u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe më 2009 u paraqit zyrtarisht kërkesa për hapjen e negociatave dhe statusin kandidat, ndonëse kjo e fundit ishte kërkesë tejet e sforcuar dhe qartësisht për efekte zgjedhore. Mirëpo, politika dhe kryesisht mazhoranca e asaj kohe rishfaqi problemet dhe mentalitetet autoritariste dhe u përfshi në një seri të rëndë dhe të dhunshme “gër-vëresh” politikë me opozitën, të cilat më vonë u bënë shqetësime serioze për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Dihen tashmë debatet e ashpra, dështimet e misioneve të BE-së për shkak të kryeneçësisë së qeveritarëve tanë, vrasja e qytetarëve të pafajshëm nga ana e policisë gjatë mitingut të madh të ish-opozitës më 21 janar 2011 dhe më në fund Marrëveshja në restorant “Krokodili” në Strasburg.
Dhe, sikur të mos mjaftonin tensionimi në kulm i marrëdhënieve me opozitën, festimi i 100-vjetorit të Pavarësisë u shoqërua me disa deklarata  nacionaliste dhe antievropiane nga krerët e qeverisë së asaj kohe, duke prerë sërish shpresat për marrjen e statusit kandidat, edhe pse kishin kaluar 4 vjet nga paraqitja e kërkesës zyrtare. Ngjarjet e mëvonshme e vërtetuam më së miri një gjë të tillë. Vërtet që e djathta e asaj kohe siguroi sërish mandatin e dytë, por jo statusin kandidat, për shkak dhe të bllokimit tri vite rresht nga opozita e atëhershme; kjo jo pa arsye, por që gjithsesi mund e duhej të ishte treguar më e zhdërvjellët.
Pas ardhjes së Rilindjes në pushtet, në qershor 2014, Shqipëria e fitoi statusin kandidat, një hap i madh drejt afrimit të mëtejshëm, por ende larg çeljes së negociatave, le më pastaj aderimin e plotë në BE.
Ndërkohë, “katalogu” i kushteve, kërkesave, kritereve etj., për çeljen e negociatave gjatë dy viteve të fundit është “pasuruar” me tema të tilla problematike si dekriminalizimi, reformimi i gjyqësorit, vettingu, lufta kundër kanabizimit të vendit etj., që e kanë vështirësuar akoma më shumë caktimin e një date apo periudhe për hapjen e negociatave me BE-në. Të huajt na e kanë thënë troç: “Punoni, na thoni kur jeni gati dhe fillojmë bisedimet menjëherë”. Pra, “topi është në fushën tonë” dhe më kot bezdisim të tjerët me lutje për të na mbështetur. Fajtorja kryesore për këtë ultravonesë historike është politika shqiptare, e cila nuk është në gjendje të bashkojë premtimin me zbatimin e ligjeve, sëmundja e kahershme të gjithë politikës shqiptare. Krahas mungesës endemike të konsensusit me opozitën dhe rishfaqjen e disa parullave dhe qëndrimeve nacionaliste dhe euroskeptike.
Ndërsa, diplomacia jonë zyrtare, duke filluar nga ministria e deri te përfaqësitë, kanë krijuar përvojë të gjatë dhe pozitive dhe i kanë kryer relativisht mirë detyrat e tyre. Këtu vlen të përmendet Misioni ynë pranë BE-së, që ka mbajtur një peshë të madhe në këtë fushë. Këto vitet e fundit ai është plotësuar 100 për qind me diplomatë karriere me përvojë dhe të përkushtuar. Mirëpo, përvoja e deritanishme e vendit dhe ajo ndërkombëtare dëshmon qartë se sado e aftë dhe kompetente të jetë diplomacia në të gjitha nivelet dhe dimensionet, ajo nuk mund të kapërcejë kornizat e përcaktuara nga politika dhe ca më pak të kompensojë problemet dhe mungesat e saj të shumta e të vazhdueshme.
Për pasojë, me gjithë pozitivizmin tonë, mund të thuhet se aktualisht jemi po aq afër sa edhe larg  çeljes së negociatave me BE-në (nuk po themi anëtarësim, sepse ky term është ende “luks” ). Sepse tani, krahas kushteve dhe kërkesave të tjera  kemi në prag të portës edhe zgjedhjet parlamentare të qershorit, testi vendimtar, edhe pse jo i vetëm për hapjen e negociatave. Veç kësaj, Evropa po ndeshet vetë me shumë halle dhe sfida të jashtëzakonshme, të cilat me gjithë deklarimet, demarshet dhe përpjekjet qetësuese të eksponentëve të saj, rrezikohet ta lënë në hije zgjerimin e mëtejshëm. Në këto kushte, shërbimi më i madh që mund t’i bënim ne vetë afrimit më të shpejtë drejt BE-së është zhvillimi me sukses i këtyre zgjedhjeve, realizimi i konsensusit real ndërmjet forcave kryesore politike për integrimin evropian, në shembullin e Kroacisë dhe të vendeve të tjera dhe roli ynë moderues në rajon. Le të shpresojmë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.