Homo Albanicus

Çifut apo hebre, sa e vështirë të kthehemi në termin korrekt

22:25 - 09.02.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Publiku shqiptar është çuditur kur kryeministri i vendit Edi Rama në reagimin e tij ndaj Opozitës lidhur me votimin e Rezolutës së SHBA-së për Jeruzalemin përdori fjalën “çifut”.




Menjëherë mbi të vërshuan kritikat e deputetëve opozitarë, por më shumë lidhur me agresivitetin e tij ndaj hebrenjve(!) sesa me paditurinë e përdorimit të termit korrekt.

Në këtë vazhdë doli pak a shumë ai kompleks i madh që ka shqiptari intelektual kur flitet për hebrenjtë. Për të treguar afërinë me ta, secili më parë kujdeset të tregojë historinë e sheqeresur të ndihmës sonë për hebrenjtë, si askush tjetër në Evropë. Anipse, asnjë institucion nuk kujdeset ta kthej në normë mospërdorimin e fjalës “çifut”.

Fjala “çifut” ka një konotacion negativ në gjuhën turke me anë të së cilës nënkuptohet mbetje, krimb apo gjëra të tilla. Duke ditur ndikimin e madh të kësaj gjuhe tek gjuha jonë, atëherë kjo fjalë ka zënë vend mjaftueshmërisht shumë. Shtojmë edhe faktin sepse vetëm shumë vite pas holokaustit, bota hodhi sytë realisht në trajtimin si duhet të popullit hebre. Pavarësisht se komuniteti hebre daton prej shumë shekujsh në Turqi, edhe paçka këtij përcaktimi negativ, ai ka shkuar mirë me vendasit. Në shekuj ka pasur dhe incidente, disa të mëdha, porse në vazhdimësi ky komunitet është gjendur i qetë në Turqi, duke nxitur shumë tregtinë e vendit, por edhe ndërkalljen e kulturës së vet. Gjithsesi, termi është përhapur pothuaj në të gjitha vendet nën perandorinë osmane, ku ka pasur komunitet të tillë dhe në të gjithë ka pasur kuptim diskriminues.

Ndërkohë, termi “çifut”, megjithë qytetarinë që u munduan të tregonin në orët e fundit parlamentarët shqiptarë, për ta përdorur kundër paditurisë por më shumë se kaq atakimit të kryeministrit, zë vend normalisht në leksikun tonë të përditshëm. Është rralluar disi me praninë hebreje në vend, por askurrë nuk është hequr në atë masë që duhet. Disa individë e kanë shprehur hapur shqetësimin, por ai është anashkaluar, kurse i ndjeri Shvarc e shpallte kudo këtë mospajtim. Për fat të keq, është kaq shumë e rrënjosur si fjalë sa nëse do të bëhet një hulumtim gjuhësor, do e shikosh përdorimin e tij ngado prej dekadash.

Nuk mund t’i rreshtojmë librat, por përdorimi më i madh i termit “çifut” është dukshëm në librat historikë, publicistikë dhe më pak gjeografikë, duke treguar se kultura masive e njerëzve (të gjitha shtresave) e ka të rrënjosur këtë term, që përmban disi dhe atë mendim të fshehur që publiku kishte për ta. Por edhe në përkthimet që janë sponsorizuar nga subjekte serioze ky term ka zënë vend natyrshëm.

Në socializëm, brezat e asaj kohe mbanim mënd mirë sesi me fjalën “çifut” lidhesh jo thjesht një fjalë me konotacion negativ, por edhe simbolika e një qëndrimi jo të mirë. Dhe epitetin çifut e merrte kushdo që ishte lekist apo që ishte i ngushtë shpirtërisht e moralisht!! Ndërkohë, Shqipëria nuk kish marrëdhënie me Izraelin në kohën e Socializmit, aman në Shqipëri ishte një komunitet që identifikohej me ta dhe për të cilën qeveria vërtet nuk ushtroi ndonjë presion të veçantë por gjithsesi indirekt kishin një lloj diferencimi. Nga të dy palët.

Historia shqiptare e pas Luftës së Dytë botërore, që është shkruar pas viteve ’90 e tregon në një farë mënyre sikur Shqipëria ishte qendra e shpëtimit të hebrenjve, pas ardhjes në fuqi të Partisë Nacional-Socialiste në Gjermani. Dhe, vërtetë relacionet tregojnë se Shqipëria u përdor si vend kalimi drejt vendeve të tjera. Në histori flitet se në Shqipëri hebrenjtë vinin nga disa kanale, por ai që ka qenë më i afërt me kohën tonë, është ai që erdhi në shekullin e shkuar falë rrugës diplomatike. Shqipëria, vetë, kishte një konsull hebre në Kroaci, që e lehtësoi këtë rrugë, ndërsa konsullatat shqiptare ishin shumë dashamire me hebrenjtë. Vetëm se relacionet e Legatës italiane në atë kohë, të cilat kishte futur hundët në të gjitha punët e brendshme të Shqipërisë, kishte identifikuar se zyrtarët shqiptarë merrnin shumë napolona flori prej tyre. Paçka se vetë rregulli i pagesës për ta që të vinin në Shqipëri përmbante pagesën e një shume të frikshme si garanci nga qeveria zogiste.

Ndaj qeveria italiane ushtroi një presion në vazhdën e antisemitizmit, që do të rrjedhë në shtimin e pagesës, që ata do bënin në të ardhmen për këtë garanci në konsullatat shqiptare. Në të ardhmen, do ketë vend për investigime interesante, por zyrtarët e Shqipërisë gjetën një minierë me dhënien e vizave për ta dhe ryshfetet e marra.

Krejt ndryshe njerëzit e thjeshtë dhe përfaqësuesit të klasës së mesme i ndihmoi ata pa asnjë interes dhe mu këta i dhanë namin Shqipërisë të një vendi pro semit.

Sot, numri i tyre është shumë i vogël, sepse shumë hebrenj kanë migruar në Izrael, që prej rënies së regjimit komunist. Në Luftën e Dytë Botërore, asnjë prej hebrenjve shqiptarë pretendohet se nuk iu dorëzua gjermanëve. Pas pushtimit italian dhe gjerman të Shqipërisë, popullsia hebreje në fakt u rrit gati 10 fish në sajë të ndihmës direkte nga shqiptarët. Shqipëria pati rreth 200 hebrenj në fillim të Luftës së Dytë Botërore, porse nga lufta doli me një shifër prej 2000 syresh. Gjatë regjimit komunist, komuniteti hebre pothuaj është izoluar krejt nga bota hebreje, anipse nuk pati asnjë masë kundër tyre, paçka marrëdhënieve të këqija me shtetin e Izraelit. Vetëm se hebrenjtë mbajtën sërish traditat më përfaqësuese të tyre dhe një lloj individualizmi, që shqiptarët e lidhnin shumë me idenë e korrektësisë së tepruar dhe manisë për të parë veten e tyre.

Në ditët tona, ku përmenden çështjet me hebrenj, shqiptarët duan të bëjnë protagonistin e shpëtimtarit absolut, ndërsa zyrtarët e kanë kuptuar më së miri për të fituar pikë. Ndaj, pak orë më parë të gjithë iu hodhën Ramës, kur përdori pa sens një fjalë, që duhej më parë se të gjithë, ai vetë ta hiqte nga fjalori i vet. Nuk ndodh, sepse në vetëdijen e shqiptarit, është e lidhur ngushtë cilësia tipike që i vishet hebreut, me njeriun real që përfaqëson sot, qytetarin izraelit.

Shqiptarët i kanë kthesat e vonëta, por më të vonëta ende, njerëzit e gjuhës (Akademisë) dhe politikës, që nuk dinë të pastrojnë leksikun dhe të vendosin norma qytetërimi për fjalët. Dhe, historia mëson se pa kufizime shqiptari asnjëherë nuk e merr dot kthesën si duhet për t’u orientuar në familjen e madhe të civilizimit. (Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.