Rreth e rrotull

Studentët: Jetojmë në ferr, konviktet të parikonstruktuara prej 6 dekadash

14:00 - 04.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mure të kalbur nga lagështia, dyshekë të vjetër me susta të dala e hapësira të ngushta, ku mungon ajrosja janë streha që shteti iu ofron rreth 5 mijë të rinjve në Qytet Studenti. Godinat kryesore të këtyre konvikteve, të ndërtuara rreth viteve 1960, duket se me zor po i rezistojnë peshës së viteve, edhe për vetë faktin se nuk kanë pasur një restaurim të plotë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ervis Gega, student e njëkohësisht aktivist i lëvizjes “Për Universitetin” tregon mbi kushtet e mjerueshme në të cilat jetojnë studentët që nuk arrijnë të përballojnë dot qiratë e larta të shtëpive. E vetmja zgjidhje për ta është të paguajnë këtë “keqtrajtim” kundrejt shumës prej 45 mijë lekësh të vjetra në muaj, duke shpresuar që vitet e universitetit të kalojnë sa më shpejt, ose të mund të sigurojnë paratë që nevojiten për të kaluar në një shtëpi në periferi. Studenti 20-vjeçar rrëfen më tej se në dimër shumë herë i është dashur të lahet edhe me ujë të ftohtë, pasi dushet punojnë me orar të limituar, ndërkohë që thekson se dyshekët janë të vjetër e me susta të dala. Jo pak herë, studentët kanë ngritur zërin për t’i dhënë një zgjidhje situatës, por deri më tani ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Ndërkohë, edhe studentë të tjerë shprehen për ‘GSH’, se kushtet në të cilat ata jetojnë janë ferri vetë.




Prej sa kohësh jetoni në konviktin e Qytetit Studenti?
Prej janarit të vitit 2018 jetoj në një prej dhomave në konviktet e Qytet Studentit. Para se të shkoja në konvikt, jetoja në një shtëpi me qira, që ishte pak larg dhe duke qenë se nuk kisha mundësi të gjeja shtëpi tjetër më afër me çmim të arsyeshëm e të përballueshëm, u detyrova të futem në konvikt shtetëror. Pagesa për një muaj në konvikt është 45 mijë lekë të vjetra.

Si paraqiten kushtet në konvikt, a janë të përshtatshme për një jetesë normale?
Mesa unë kam informacion, 4 godinat e para të konvikteve në Qytet Studenti janë ndërtuar rreth viteve 1960, me hapjen e Universitetit të Tiranës. Më pas janë ndërtuar edhe disa godina të tjera. Por që prej asaj kohe, këto godina ku rrinë studentët nuk kanë marrë asnjë restaurim të plotë, por thjesht janë lyer me bojë e janë bërë riparime të vogla. Ka mure e pllaka të vjetra, aq sa bien dhe suvatimet në tokë.

A është e mjaftueshme hapësira në dhomën ku ju jetoni dhe sa të përshtatshme janë ato?
Çdo dhomë ka 3 komodina, 3 krevate, 3 karrige e 3 dyshekë të vjetër. Këta të fundit janë tejet të konsumuar e me susta e tela të dala. Vlen të theksoj se as orenditë nuk janë ndryshuar. Çarçafët që kanë sjellë, janë të grisur dhe nuk ka as lavatriçe, as frigorifer. Ushqimet që mund të marrim nga familjet në dimër, mund t’i futim në raftin e rrobave, ose në komodinat që mbajmë librat. Nuk ka një dollap ose tavolinë të posaçme që të mund të vendosim ushqimet. Ka një lavaman e një pasqyrë, ndërsa instalimet elektrike janë tejet të këqija. Ka vetëm një prizë e ndriçimi është i dobët. Edhe dyert janë copë-copë e duket sikur do bien në tokë nga momenti në moment. Ndërkohë një konvikt ka rreth 150 studentë, e duhet të ketë pastruese 24 orë, por ambienti është i vjetër e mban vetvetiu mbeturina.

Çdo dhomë ka dushin e vet apo janë të përbashkëta, si ia bëni për t’u larë?
Banjat e dushet janë të përbashkëta. Dushet janë me orar, prej orës 13.00 deri në 18.00, por ky është një problem shumë i madh, sidomos për studentët që pas mësimit shkojnë edhe në punë. Ata vijnë në orën 22.00 në dhomë, por ujë në këtë orar nuk ka e kështu nuk kanë mundësi për t’u larë. Në dimër, deri në orën 14.00-15.00 mund të lahen me ujë të ngrohtë rreth 15 vetë, por pastaj sa vjen e ftohet. Unë personalisht që kam mbaruar mësimin pas orareve që përmenda, zakonisht jam larë me ujë të ftohtë.

Si janë çmimet e mensave ku ju ushqeheni, a janë ndopak të përballueshme për një student?
Mensat janë private, por çmimet janë disi më të arsyeshme në krahasim me zonat e tjera të Tiranës.
Vetë ju si student dhe aktivist i lëvizjes “Për Universitetin” a i keni bërë ndonjë kërkesë administratës qendrore në lidhje me problematikat e sipërpërmendura?
Lëviza “Për Universitetin” ka organizuar disa aksione mjaft të rëndësishme në lidhje me problemet e kushtet e këqija në konviktet e Qytetit Studenti. Vetë administrata qendrore është në dijeni të situatës, por për t’i dhënë zgjidhje, normalisht që duhen fonde. Shteti nuk iu jep fonde e lekët që ne paguajmë për konviktin, besoj se shkojnë për punëtorët e administratës, për mirëmbajtjen. Ne kemi bërë një takim para një muaji te sheshi “Demokracia”, i cili nuk u prit mirë. Pas kësaj ndërmorëm një aksion me disa banderola për t’u treguar pushtetarëve gjendjen e mjerue-shme ku jetojnë studentët në këto konvikte. Por sërish hasëm në kundërshtime nga administrata e nga policia e Qytetit Studenti.

Ju personalisht si do veproni, do vazhdoni të qëndroni në konvikt, apo e shikoni si një zgjidhje më të mirë shtëpinë me qira?
Faktikisht është e vështirë të gjesh një shtëpi me qira, sepse çmimet për-gjithësisht janë të larta, por mendoj se vitin tjetër do e gjej një ambient me qira për të jetuar, qoftë edhe në periferi të Tiranës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.