MILOSAO

Kisha e Balldrenit, sipas relacioneve të ipeshkvinjëve të Lezhës

17:00 - 23.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dom Nik Ukgjini – Kisha e Balldrenit është vazhdimësi e Kishës nder-arbërore e themeluar, nga apostulli Shën Pali në vitin 58 në Durrës. Kisha e Shën Prentës si dhe kishat të tjera në trevat iliro- arbërore, nga koha antike e deri në mesjetë, kanë qenë qendra të rëndësishme të besimit, kulturës dhe rruajtjes e zhvillimit të identitetit arbërorë, gjatë ekspansionizmit, bullgar, bizantin dhe shtetit serb.




Në dalje në skenën politike të familje Gjin Tanush Arbëri, në vitin 1281, “zotërimet e familjes së Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Veriut nga Zadrima e Sipërme deri në Ndërfand dhe në bashkimin e Drinit të Zi me të Bardhin.” Në shekullin XIV-XV Principata e tyre me qendër në Lezhë, shkoi duke u zmadhuar dhe zotëronte të gjithë territoret nga Prizreni në Lezhë, duke luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike të shqiptarëve të asaj kohe.
Me rastin e ndarjes se territoreve në mes vëllezërve, në vitin 1368, sipas D.Grand, Palit i takoi qyteti i Lezhës, Andres, Rashi; Tanushi III, Fanin; kurse Gjergjit i takonte Zadrima, ku sipas “Acta et Diplomata”, dok. 726, si pronë të vetën kishte Balldrenin me Kishën kushtuar Shën Prentes. Më pushtimin e Lezhës nga venecianet, në vitin 1393, me këtë rast edhe Kakarriqi dhe Balldreni u bënë bërë pronë e venecianve. Se Kisha e Balldrenit i takonte vërtet dukagjinasve, dëshmon edhe fakti së një gur kushtimore për familjen Perlati i trungut dukagjinas, i vitit 1462, është vendosur në pjesën e jashtme të absidës së kësaj Kishe më mbishkrim latin: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e tu, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.

 

Kur pushtuesit osman, pas disa tentimeve, së fundi në vitin 1478, pushtuan Lezhën dhe qytetet të tjera, Kishat katedrale dhe Manastiret në qytete të gjitha qenë dëmtuar, apo shndërruar në xhami dhe depo ushtarake. Por për fat të mirë, Kishat nëpër fshatra, sipas Marin Bicit, i cili në fund të shek..XVI, vizitoi tokat arbërore, akoma qëndronin më strukturat e veta. Kjo ndodhi për faktin, së fshatrat për perandorinë osmane konsideroheshin si një plaçkë që mund të përtypen me vonë kurdoherë. Dhe në anën tjetër, vendimet për rrënimin apo jo të kishave nëpër fshatra ishte lënë në kompetencë të autoriteteve lokale turke.
Kisha e Balldrenit e stilit romak, e shek, XII-XIII, si ajo në Blinishtë e Kakariq, sipas Armao, në relacionin e Bicit të vitit 1610, theksohet se kishte mbetur në strukturën e saj të më hershme pa u dëmtuar fare. Por kjo ndodhi falë dhuratave të majme të vendasve dhënë kadiut të Lezhës.
Por, kjo gjë nuk mund të thuhej për objektet kishtare në fshatra të tjerë në vitet në vazhdim, ku sipas relatorit të Selisë së Shenjtë, të fund shek. XVII, Andria dhe Vinçenc Zmajeviq, nga afro 85 Kisha, të stolisura me afreske të mrekullueshme, pothuajse të gjitha qenë shkatërruar apo tjetërsuar nga perandoria osmane.
Por në ketë moment të keq, fal zgjuarsisë së vendasve me politikat lokale, në Veri të Shqipërisë, kishin mbetur pa u shkatërruar deri në themele, nga kjo mortajë e zezë, vetëm disa objekte kishtare të mesjetës së hershme, si: në Shën Mëri, Pllanë, Rubik; Amati,Vau i Dejës; Dajç Bregut të Bunës Blinisht, Kakarriq, Balldre dhe ndonjë vend tjetër.

Kisha mesjetare e Balldrenit, në relacionet e Selisë se Shenjtë, si famulli e konsoliduar, për të parën herë del në relacionin e Biccit, të vitit 1610, ku ai shkroi se “Fshati ka 50 shtëpi ose pak më shumë. Në kishën e Shën Prentes shërbente vendasi D. Andre Julsi, Ka kelqe e veshje mjaft të mira. Ka një kambanore katërkëndëshe, por pa kambanë”.

Ipeshkvijtë e Lezhës, në relacionet e tyre dërguar Selisë së Shenjet në Romë, për gjendjen në Dioqezë, si: Benedikt Ursin, 1629 dhe Gjergj Vladanji, 1663, për Balldrenin, japin shënime se Kisha është me gurë harkorë dhe se ka një kambanore, dhe është në gjendje shumë të mirë. Famullia në këtë kohë kishte 22 shtëpi më 220 besimtar. Po kështu shkruan edhe Nikollë Vlladanji në vitin 1694. Relatori i Selisë së Shenjte, kryeipeshkvi i Tivarit, Vincenc Zmajeviq, në vitin 1703, jep emërtime të lagjeve që i takojnë kësaj famullie, numrin e banorëve i cili jo se ndryshonte që më parë dhe famullitarin Mark Skura, por pa dhënë shënime për Kishën si objekt. Po kështu, vazhdojnë me shënimet e tyre për gjendjen normale dhe pa dhënë ndonjë të veçantë edhe ipeshkvijtë të Lezhës, si: Nikollë Vllandanji 1710 e Simon Zeza, në vitin 1747. Të relacioni i ipeshkvit Anton Kryeziu, në vitin 1753, gjejmë shënime me interes për objektin dhe gjendjen e popullit në krahasim më relatorët të tjerë. Ai ndër të tjera shprehet se, “Kisha nga brenda është në formë harkore dhe e zbukuruar me disa afreske të vjetra. Ka edhe kambanoren me kambanë. Ka dy dyer që mbyllen dhe një altar të vetëm dhe e mjaftueshme për popull. Por është paksa e dëmtuar nga tërmeti”.

Me këtë rast mësojmë se turqit tashme kishin filluar të bëjnë presione të ndryshme në popull duke plaçkitur për përfitime materiale. Imzot Kryeziu, shkruan se “turqit i kishin marrë tokat e Kishës dhe ishin vendosur në qelen e famullitarit dom Mark Matrysit”. Kurse besimtar mësojmë se kishte pothuajse sa më parë, 22 shtëpi më 129 besimtar. Më vonë nga Imzot Mikel Kryeziu në vitin 1787, mësojmë se Kisha është shumë e vjetër dhe e ndërtuar për njëherazi. Edhe pse para pesë viteve ishte e plaçkitur nga brenda tepër rende nga turqit, ajo tani ishte në gjendje normale. Sipas këtij relacioni, numri i besimtarëve sikur ishte shtuar. Famullia kishte 40 shtëpi më 283 besimtar. Shtimi i banorëve lidhet me faktin së malësorët e sidomos nga Malësia e Madhe, nga vështirësitë ekonomike, zbritnin me të madhe në pjesët fushore të vendit. Në relacionin e Kryeziut të vitit 1789 dhe 1792, mësojmë se Kisha e Balldrenit që është shumë e vjetër, për pesë vite më radhë ka qëndruar e dëmtuar nga brenda prej turqve dhe së pritej të restaurohej. Në relacion e vitit 1789, thuhet se: altari Kishës me të gjitha zbukurimet e saj, dy vite (1787) më parë qe prishur dhe grabitur nga ushtria otomane dhe së një pikturë ishte rinovuar nga një bamirës. Ka gjasa së këto dëmtime pasqyrohen sot në absidë dhe në dy pjesët anësore të Kishës, ku me heqjen e tanishme të suvatimit janë zbuluar gjurmët afreskeve të vjetra. Në relacionin e Tommaso Mariani të viti 1795, mësojmë se Kisha e Baldrenit tashmë i kishte tejkaluar furtunat e kohës. Kisha tashme ishte e restauruar dhe ishte në gjendje të mirë. Famullitari gëzonte pasurit e veta, vreshta e ara. Po kështu për gjendjen normale na informon edhe ipeshkvi tjetër, Nikollë Malci në vitin 1801 dhe 1807.

Ipeshkvi Ivan Topich, në vitin 1844, pos se në disa gjëra i përsërit nga dy paraardhësit të vet, ai shprehet se, “Kisha është e bukur e nderuar me qemer me një kambanarë dhe kambanë sipër Kishe e ngjitur me varrezat dhe ka disa gjurme pikturash greke…Kuptohet që ajo dikur ishte krejt e pikturuar vazhdon Topich. Famullia ka shtëpi 17, me 137 shpirtra” Në bazë të këtij shënimi kuptojmë së afresket me të cilat ka qenë e stolisur e gjithë Kisha, në fakt qenë dëmtuar që në vitin 1787. Në relacionet në vazhdim të vitit 1853 të Topich dhe të Imzot Luigj Bumçit të vitit 1912, mësojmë se Kisha e Balldrenit administrohej nga eterit françeskan të Kishës Nunciatë në Lezhë dhe kishte një ospicie ( shtëpi strehimi për të varfrit). Administrimi i Kishës së Balldrenit nga françeskanët ka vazhduar edhe në vitet në vazhdim, më Atë Sebastian Hila, 1921, Atë Rrok Vata 1945, e të tjerë

Kisha e Balldrenit më vlera kaq të mëdha historike e artistike, si për çudi, në lidhje më afresket, për vite të tëra kishte mbetur jashtë vëmendjes të diplomatëve studiues, austro-hungarezë, franceze, italian e tjerë si: Hahn, Ippen, De Grand, Jeriçek, Shufllaj, apo jezuitit skrupull, Zef Valentinit. Madje, edhe studiuesit tanë që kontribuuan për shpalljen Monument Kulture të Kategorisë së parë në vitin 1981, për vlera arkitekturore, nuk u shkonte mendja, së brenda saj fshihej një pasuri e madhe qindra vjeçare me vlera jo vetëm shqiptare por dhe ballkanike. U desh të vijë viti 2002, kur në një aksion të hartuar nga Ministria e Kulturës për shpëtimin e pjesës arkitekturore, rastësish u zbulua brenda suvatimit kjo pasuri e rrallë artistike e ideuar nga mendja arbërore. Projekti i hartuar nga Ministra e Kulturës në vitin 2005 edhe pse ishte shumë ambicioze për rehabilitimin e plotë të këtij objekti, ai mbeti deri më sot i fjetur në sirtarët e kësaj Ministrie. Shtytja vendimtare për mua dhe Gjergj Liqejzën, për rikonstruktimin dhe restaurimin e plotë të kësaj Kishe, pas dy vizitave të pa reshmë në muaj në shkurt, ishte vizita e bërë në Pllanë dhe Balldre, me dt. 25. maj të këtij viti më Nuncin Apostolik, Mons. Charles John Broës, me ç‘rast rikonstatuam gjendjen e mjerueshme dhe urgjencën e ndërhyrjes në këto dy objekte me strukturë të plotë arkitekturore dhe afreske brenda, të mbetura akoma gjallë nga koha turke dhe regjimet që i kanë fshehur në Veri të Shqipërisë.

Ja sot pas katër muajsh pune intensive, Kisha e Balldrenit fal bashkëpunimit me Dioqezën e Lezhës dhe donatorët, nga një vend skifteri u shndërrua në një oaz shpirtëror dhe kulturor për gjithë kombin shqiptar.
Si për çudi ndodhi se ato pak Kisha që kishin mbetur të pa rrënuar nga Perandoria osmane në Veri të Shqipërisë, ato i shkatërroj sistemi komunist. Po kështu të mbeturat i la të braktisura demokracia e jonë e brishtë. Andaj, sfida e jonë e radhës na mbetet, Kisha e mesjetës së hershme, ajo e Shën Barbarës në Pllanë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.