EKONOMI

Reformë në polici, ndryshon skema për moshën e pensionit

11:08 - 27.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Mbi 600 efektivë policie duhet të dorëzojnë uniformën në fillim të vitit të ardhshëm. Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili nxjerr në lirim efektivë të policisë nga grada më e ulët deri të drejtori i parë. Punonjësit që do të lënë radhët e policisë pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, janë ata që kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe plotësojnë 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë. Projektligji për trajtimin financiar të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së republikës dhe shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat, në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, do të shkojë në Kuvend dhe pritet të miratohet në fillim të vitit të ardhshëm. Sipas draftit të qeverisë mësohet se qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.




Subjektet përfitues
Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, me gradë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme. Sipas draftit trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave. Në nenin 7 të projektligjit të qeverisë thuhet se ‘Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm”.

Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:
a) ka mbushur moshën 55 vjeç;
b) plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë.
2. Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij neni, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.
5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.