OPINION

Për cilësinë e arsimit në hapësirën Shqipëri–Kosovë

08:04 - 19.01.20 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Siç kemi pohuar në dy shkrimet e mëparshme kushtuar bashkëpunimit për cilësi më të mirë të arsimit që marrin fëmijët dhe të rinjtë në hapësirën Shqipëri- Kosovë, shoqëritë e të dyja vendeve tona po evoluojnë dhe po përgatiten të sfidojnë arkipelagët arsimorë që ekzistojnë sot për hir të humoreve, paragjykimeve dhe izmave të së shkuarës apo të devijimeve që na kanë pështjelluar jo pak në kohët që lamë pas. Që procesi të ndihmohet, ne besojmë se duhen riorganizuar e përsosur mjaft elemente të sistemeve, duke ripërcaktuar qartë qëllimet arsimore, përparësitë e reja, strategjitë dhe programet zhvillimore. Kjo kërkon që së pari e mbi të gjitha të zhvillojmë një vizion imponues për arsimin tonë kombëtar, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojmë që ai të përmbushet në të gjitha nivelet e sistemeve tona arsimore. Sakaq, nisma/projekte kërkohet të marrin jetë, pasi arsimi është një nga kapacitetet kyçe me të cilin qytetarët tanë mund të ndryshojnë dhe gëzojnë jetët e tyre.




Në vijim lexuesi informohet për çka u propozohet qeverive të dy shteteve tona për përmirësimin e bashkëpunimit në arsimin parauniversitar nga dy organizata joqeveritare – shqiptare dhe kosovare – të mbështetur nga fondacionet për shoqërinë e hapur OSFA dhe KFOS. Këto propozime dhe ato për bashkëpunimin në arsimin e lartë (gjithsej, 38 propozime të organizuar në 4 fusha – kurrikula, zhvillimi profesional, mobiliteti i pedagogëve/studentëve dhe kërkimi shkencor) janë shtjelluar në dokumentin “Udhërrëfyesi – Bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovën në arsim”, që do të publikohet së shpejti.

Propozimet e Udhërrëfyesit janë kryesisht produkte të vlerësimit objektiv të arritjeve të deritanishme, në kontekstin e bashkëpunimit të dy shteteve. Ata burojnë nga analiza e dokumentacionit ekzistues për bashkëpunimin në arsim; nga intervistat me specialistët që ofruan të dhëna me vlerë për zbatimin e marrëveshjeve dhe për mundësitë që lejojnë të përmirësohet më tej ky bashkëpunim; nga njohja dhe respektimi i dallimeve e afërsive arsimore, i traditave pedagogjike, i nevojave dhe mundësive të secilit sistem arsimor, si dhe nga njohja e tendencave dhe risive arsimore bashkëkohore, në Evropë dhe më gjerë. Një burim i rëndësishëm për dizenjimin e këtyre propozimeve, gjithashtu, ka qenë konsensusi profesional i artikuluar në aktivitetet dhe diskutimet e ekspertëve në takimet e organizuara në Prishtinë dhe në Tiranë për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në arsim.

Konteksti

Në harkun e 10 viteve të fundit, qeveritë e dy vendeve tona kanë nënshkruar 5 marrëveshje, që mbulojnë disa fusha arsimore me rëndësi. Të tilla janë marrëveshjet që i kushtohen unifikimit të kurrikulës së arsimit parauniversitar, zhvillimit profesional të mësuesve, ato për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si dhe një protokoll për bashkëpunimin shkencor-teknologjik. Në kuadrin e këtyre bashkëpunimeve, Shqipëria ka përshtatur nga Kosova kornizën kurrikulare për arsimin parauniversitar, kurrikulat bërthamë për 3 shkallët e këtij niveli, afërsisht të njëjta si të Kosovës. Janë përafruar standardet e teksteve shkollore, janë shkëmbyer skemat e trajnimeve profesionale dhe materialet përkatëse etj.. Ndërsa, bashkëpunimet në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë formalizuar me 34 marrëveshjeve të nënshkruara nga institucionet universitare të dy vendeve, të cilat janë marrëveshje kornizë dhe që pothuajse promovojnë të njëjtat qëllime. Bazuar në intervistat me zyrtarë të MASR-së dhe MASHT-it, si dhe përfaqësues të institucioneve publike të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë, mund të kuptohet që nuk ka bashkëpunim të ngushtë dhe thelbësor mes institucioneve të arsimit të lartë të të dyja dy vendeve.

Çfarë propozojmë?

Propozimet tona përfshinë elemente/veprimtari që besohet se do të prodhojnë derivate ndërveprimi, disa të unifikuara, disa komplementare, për të cilat ka investime paraprake, ekziston vullneti politik dhe kapacitetet institucionale të nevojshme. Rrafshi konceptues i propozimeve tona përfshin dy ide të kyçe.

  1. E para shpreh nevojën për përdorimin e teksteve dhe të mjeteve shkollore të njësuara, që lidhen me fushat e identitetit kombëtar si gjuha e letërsia shqipe dhe historia e shqiptarëve, të shoqëruara me botime të përbashkëta për letërsinë shqipe, gjeografinë, antropologjinë kulturore shqiptare dhe materialet për kompetencën e komunikimit, që jetësojnë kërkesat e kurrikulave të reja.

Kjo ide konkretizohet përmes një serie veprimtarish, që propozohen të ndërmerren nga secili shtet. Paraprin përafrimi i kritereve dhe i procedurave për miratimin dhe përzgjedhjen përmes konkurseve të teksteve shkollore të njësuara për fushat e identitetit kombëtar dhe krijimi i grupeve të përbashkëta të recesentëve kompetentë. Këtyre u shtohen përgatitja dhe zbatimi i procedurave të reja për të miratuar materiale mësimore ndihmëse për shkollat, të përgatitura në secilin shtet, si: librat për lexime, përmbledhje detyrash, fjalorë, platforma ‘online’ në shqip, burime dhe mjete elektronike etj. Miratimi për sa më sipër duhet bërë nga të dyja Ministritë e Arsimit.

Një propozim që çmohet si tejet i nevojshëm është ai për zhvillimin e vlerësimeve të përbashkëta për cilësinë e zbatimit të kurrikulës së re në Shqipëri dhe Kosovë. Për këtë propozohet krijimi i një ekipi të përbashkët vlerësuesish kompetentë, i cili bazuar në metodologji dhe instrumente bashkëkohore vlerësimi, mund të realizojë vlerësimin e parë për zbatimin e kurrikulës aktuale në klasat 1-5. Në veçanti, rekomandohet vendosja e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Shqipëri dhe Njësisë për Vlerësim dhe Standarde të MASHT në Kosovë për hartimin e pyetjeve për testimet kombëtare në arsimin parauniversitar, të cilat veç të tjerave, ofrojnë informacion edhe për masën e ndikimit të kurrikulës së re.

Udhërrëfyesi i kushton vëmendje formimit fillestar dhe zhvillimit të vazhduar profesional të mësuesve në të dyja shtetet tona. Sepse dihet që cilësia e një sistemi arsimor nuk e kalon cilësinë e mësuesve të tij, ndaj ajo që vlen është ndihma e kualifikuar për mësuesit. Përgatitja e ekipeve me trajnerë të kualifikuar nga të dyja shtetet tona, hartimi i doracakëve dhe moduleve të përbashkët trajnues, seanca trajnimi të përbashkëta ‘online’, aftësimi i mësuesve për të përdorur pajisje teknologjike në procesin mësimor bazuar mbi standarde të reja, të shoqëruara me mbështetjen e nevojshme financiare janë disa nga propozimet të tjera.

  1. Ideja e dytë i kushtohet shkëmbimit të kapaciteteve cilësore, tashmë funksionale në secilin shtet. Përkundër faktit që Shqipëria dhe Kosova kanë sisteme të ndryshme arsimore, të dyja shtetet mund të përfitojnë nga shkëmbimi i përvojave dhe kapaciteteve të njëri-tjetrit. Idenë e ilustrojmë me zhvillimin dhe përfarimin e standardeve për drejtuesit e shkollave, aspekt ky ku Shqipëria po zhvillon një përvojë interesante me shkollën e drejtorëve. Ekspertët e të dyja anëve të kufirit janë të aftë të përgatitin module që ofrohen ‘online’ për kualifikimin e drejtuesve, të cilët akreditohen nga autoritetet e të dyja vendeve. Sikundër mësuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga përvojat e mjaft shkollave në Kosovë, që kanë arritje në fushën e përdorimit të mjeteve digjitale në mësim. Gjithashtu, mund të punohet në përfarimin e sistemeve për certifikimin fillestar të mësuesve (provimin shtetëror për marrjen e licencës), ku Shqipëria tanimë ka krijuar përvojë, ndërsa Kosova ndodhet në prag të krijimit të strukturës institucionale për zbatimin e ligjit për profesionet e rregulluara etj.

Ne besojmë fort se e ardhmja e arsimit cilësor në hapësirën shqiptare lidhet jo aq me njohjen e përgjigjeve, se sa me mendimin që nxit/bën pyetjet dhe punon për të zgjidhur problemet në zhvillim. Për përmirësimet në këtë hapësirë vlejnë jo vetëm kërkesat për më shumë burime financiare dhe mbështetje, por edhe përcaktimi i skenarëve dhe i veprimtarive profesionale zhvilluese. Sepse koha ka provuar që vetëm qasjet burokratike nuk do mund të prodhojmë rezultatet që na duhen. Në një epokë të pasigurisë, një zgjidhje politike nga lart poshtë nuk do të funksionojë kudo dhe si duhet për të gjithë. Ne besojmë që për arsimin tonë, e ardhmja mund të jetë premtuese atëherë kur aktorët arsimorë të kenë një zë profesional të rinovuar, mbështetje sistematike dhe ndikim më të prekshëm mbi atë që ndodh.

Gjithë sa kemi bërë deri tani, në të dyja anët e kufirit janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë. Në këtë kontekst, propozimet e paraqitura synojnë të provokojnë diskutime dhe debate, por të japin edhe disa përgjigje. Pasi sfidat janë të vështira, të diskutueshme dhe do të kërkojnë nga të gjithë që të shkëputemi nga ortodoksitë e së shkuarës dhe të nxitim mendimin kritik të njëri-tjetrit. Në fund të fundit, megjithatë, ekziston një urgjencë e vërtetë që të fillojmë të provojmë qasje të reja, të testojmë efektivitetin e tyre dhe të ndërtojmë koalicione, për t’i hapur rrugën ndryshimit që duam. Shpresa jonë është që këto përpjekje të ndihmojnë thellimin e bashkëpunimit edhe në arsim.

Së fundmi, por jo nga vlera sigurisht, po kujtojmë çka na thotë prof. Rexhep Qosja: “Në qoftë se vendimet politike nuk bazohen në të dhëna të arritura me dije, në hulumtime të sakta shkencore, vlefshmëria e tyre shumë shpesh është afatshkurtër, kurse më shpesh ndodh të bëhen vendime politike dëmsjellëse, dëshpëruese”.

 

Tiranë, më 18. 01. 2020

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.