BLUETOOTH

Besa’s Roses, kërshëria e piktores shqiptare në studion e Fadil Berishës në New York

10:50 - 21.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Suksesi i artistes së talentuar tetovare Besa Dauti ka shkuar deri në Amerikë. Besa’s Roses ishte ekspozita që rrëmbeu vëmendjen e të huajve, por dhe të mjaft figurave publike shqiptare, që i ndoqën me kërshëri dy aktivitetet e njëpasnjëshme në MC gallery, dhe në studion e të mirënjohurit Fadil Berisha në New York. Zgjedhja e trëndafilit nuk është rastësore. Për të, ai përfaqëson skutat më të thella të shpirtit dhe i zhbirilon ato me ngjyrat e ndryshme në varësi të gjendjeve. “Trëndafilat gjithmonë janë pikturuar në një intensitet të thellë pasioni”,-thotë Dauti. Për “Gazeta Shqiptare” vjen rrëfimi i artistes së njohur, menjëherë pas përmbylljes së prezantimit të pikturave të saj me botën, për të ndarë me ne të thënat dhe të pathënat, teknikat dhe stilin e veçantë, magjinë dhe dimensionet e prekshme dhe të largëta. Pa fshehur emocionet, piktorja thotë se u vlerësua për punimet e saj duke pohuar se një rrugë me sfida edhe më të mëdha e presin.




Sapo keni përmbyllur me sukses dy ekspozita pikture në Amerikë. Çfarë ndjesie keni nga pritja dhe interesimi i njerëzve?
Sigurisht është ndjesi speciale, kam bërë një punë intensive, e cila u finalizua me sukses në SHBA. Është një shpërblim i një përkushtimi të gjatë dhe korrekt ndaj punës, kanë qenë dy ekspozita shumë sinjifikative për mua dhe punën time sepse kam parë një interesim të gjerë nga mbarë diaspora shqiptare, por jo vetëm. Kjo më ka lënë mbresa pozitive sepse interesimi i shfaqur tregoi një vlerësim të lartë ndaj artit tim. Ekspozitat kanë qenë një sukses i madh. Ajo që do të veçoja ishte ekspozita në studion e fotografit të njohur, tashmë dhe botëror, Fadil Berishës. Ishte një mbrëmje e shkëlqyer e rrethuar me emra shumë të njohur, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë. Kisha vepra që ekspozoheshin për herë të parë, që u shitën gjatë mbrëmjes dhe që më dhanë një det të tërë me fjalët e tyre mjeshtërore.

Pse keni zgjedhur trëndafilin si motiv të artit tuaj?
Trëndafili suporton forcën e dashurisë në atë çfarë jam duke bërë, pikërisht, atë që më bën të lumtur dhe shpërfaq po ashtu energjinë time pozitive. Në këndvështrimin tim, trëndafilat kanë karakterin e tyre intim, i cili është shumë më tepër sipërfaqësor në pikturë duke shfrytëzuar ngjyrat e tyre të ndritshme në kompozime të pazakontë dhe ngjyra të harmonizuara. Ndonjëherë kanë qasje semiabstrakte duke përdorur një fjalor të formave dhe ngjyrave nga një punim i detajuar i petaleve. Është një luftë piktorike e pikëpamjeve të pazakonta dhe kontraste, e cila duhet të shfaqet në pikturë nga një paletë. Trëndafilat gjithmonë janë pikturuar në një intensitet të thellë pasioni.

83990264_177483060289892_7826478750404444160_n 83285716_172185297522545_7789531126736879616_n 82120264_1487580818074048_6259238625678983168_o 79321218_1462524273913036_4201735165300441088_o 83687074_221709645498851_4465569027699245056_n 83239836_178900936525981_3463253583573549056_n 72314764_1399911783507619_3309020925722099712_o
<
>

Kulturat dhe traditat e ndryshme japin kuptim simbolik trëndafilit, megjithëse këto rrallë kuptohen në thellësi. Shembuj të kuptimeve më të thella gjenden brenda gjuhës së trëndafilit dhe se si mund të ketë një kuptim të ndryshëm në aranzhime. Shembuj të tjerë, të kuptimeve të zakonshme të trëndafilave me ngjyra të ndryshme janë dashuri e vërtetë, mister, pafajësi, pastërti, miqësi dhe pasion.

Përveç përdorimit të trëndafilit, cilin simbol hasim më shpesh në pikturat tuaja?
Nuk limitohem aty ku gjej frymëzim përdor simbole, por sigurisht me konotacione pozitive. Ndonjëherë e kam të nevojshme, të dal në peizazh në portret për t’ju kthyer trëndafilit, pasi nuk është i lehtë për tu punuar, kur të thellohesh në petale e në fiksim të ngjyrës që kërkoj unë.

Si duhet ta lexojmë drejt artin tuaj? Në çfarë rryme prireni të pikturoni?
Kur përdorim termin ‘Artist Psiqik’, artisti përqendrohet kryesisht në krijimin e pikturave me qëllim të përcjelljes së një mesazhi nga bota shpirtërore. Disa artist krijojnë art me qëllim të dhënies së mesazheve, unë punoj me botën frymëzuese për të krijuar art, jo domosdoshmërish për të dhënë porosi, por si burim i frymëzimit tim nga natyra dhe kjo është arsyeja pse unë përdor trëndafilin. Arti në vetvete i referohet shpirtërores, nuk i referohet aftësisë për tu lidhur me botën e padukshme edhe pse bota shpirtërore frymëzon krijimin e artit imagjinar, por unë do të thosha termi që përdoret shpesh për këtë lloj arti është arti psiqik, arti intuinitiv dhe ai vizionar që bien nën ombrellën e artit frymë. Duke marrë parasysh artin që bëj, jam edhe artiste me frymë psikologjike, që më shumë kalon në realizëm.

Na tregoni diçka për ekspozitën në studion e Fadil Berishës. Keni pasur bisedime për ndonjë bashkëpunim të mundshëm?
Ekspozita në studion e Fadil Berishës është eksperienca më e bukur në karrierën time. Jam pritur shumë ngrohtë dhe mbështetur fuqimisht nga të gjithë. Kam ndjerë dorën e shqiptarëve, të cilët më kanë mbështetur dhe promovuar dhe për këtë ju jam mirënjohëse dhe sigurisht në veçanti Ambasadorit të Shqiptarëve Fadil Berishës, pasi i gjithë ky sukses i arritur është falë aksesit që më dha në studion e tij dhe që vazhdoj të kem mbështetjen më të madhe të tij. Gjatë qëndrimit tim një muaj në Nju Jork janë bërë shumë kontakte dhe bashkëpunime e them se me kënaqësi vazhdoj të punoj me ta.

Mjaft figura të njohura kanë qenë në krahun tuaj duke ju mbështetur. Ndër to edhe Emina Cunmulaj. Me ç’sy i kanë parë tablotë tuaja?
Shqiptarët janë suporti im kryesor dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse. Ishin të shumtë ata që erdhën dhe më mbështetën. E pritën shumë mirë artin tim e pëlqyen dhe më promovuan në maksimum. Emina Cunmulaj ishte prezente ne studio dhe bëri pjesën e saj dhe i jam shumë mirënjohëse, ashtu siç e kam përmendur më parë është një njeri i jashtëzakonshëm një shqiptare me zemër të madhe. Pikturat janë pritur shumë mirë dhe kjo më ka plotësuar, pasi pranueshmëria është qëllimi kryesor i një artisti. Ishte një nder i madh dhe respekt i veçantë që mu bë gjatë prezantimit të pikturave para atyre figurave, që morën pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Aty kishte shumë përfaqësues të veprimtarive të ndryshme dhe gjatë gjithë kohës kam marrë komplimente të vazhdueshme për pikturat dhe punën time. Nisja e kësaj ekspozite ishte Shpresa Berisha, të cilës do i jem mirënjohëse gjithmonë. Ishin po ashtu, Dëshira Ameti, Arian Kerliu, Mira Konçi, Ilir Rusi, James Biber, Shpresa Xhakli e shumë emra të njohur, të cilët më mbështetën jo vetëm me prezencë, por edhe me këngët e tyre duke krijuar nje ambient të ngrohtë miqësie për të gjithë. Mirënjohje pafund shoqërisë Tanja Haxhoviq, Akademike e Shkencave Matematikë-Natyrore në Nju Jork, Didi Arkitekt-Inxhinier, Julie Emini stjuardese shumë vite me radhë, që më mbështetën deri ditën e fundit të qëndrimit tonë në SHBA.

Keni menduar për ndonjë tur ku të shpalosen punimet tuaja në mbarë botën?
Unë po punoj çdo ditë intensivisht bëj maksimumin dhe sigurisht e bëj këtë sepse është pasioni im. Asnjëherë s’do të ndalem së pikturuari dhe së bëri ekspozita. Këtë herë isha në Nju Jork më parë në Turqi etj. Në fakt, kjo më bën të ndihem mirë, pasi mendoj që tabloja botërore do të plotësohet në vijimësi me kryeqytetet europiane. Si destinacion të ardhshëm kam Parisin gjithashtu kam pasur ftesa ndër to, për të qenë prezente në Firence të Italisë etj. Mendoj që i takon kohës për të parë se si do të vijojë ecuria ime. Jam në kërkim të vazhdueshëm për artin tim dhe do të dëshiroja t’i prezentoja pikturat e mia në qendra, ku të vlerësohet arti, pasi aq sa dëshiroj që ngjyrat e mia të reflektojnë aty ku prezentohen, po aq dua për të vazhduar rrugën time deri në përsosmëri të frymës dhe teknikës që punoj.

Cila ngjyrë e përfaqëson më tepër shpirtin e Besës?
Në fakt, ajo që mund të përfaqësojë shpirtin tim është ngjyra në vetvete. Nuk mund të flas për një ngjyrë, por mund të them që janë ngjyrat e harmonizuara, të cilat ushqejnë ndjesi pozitive ku më bëjnë të pandashme me ato dhe të pamundur për të veçuar njërën nga tjetra. Mund të them gjithashtu që, shpeshherë preferoj të dominohem nga old rose dhe e kuqja rembrante.

Përtej të krijuarit, si njihemi me Besën e ditëve të zakonshme?
Unë e kaloj çdo ditë të jetës sime duke menduar për artin, duke punuar me të dhe duke komunikuar me artistë dhe artdashës. Dita ime e punës është e ndarë në shumë pjesë. Kuptohet që me motrën kaloj një pjesë të mirë kohe (nuk bëjmë dot asnjë punë pa njëra-tjetrën). Ajo është gjithçkaja ime. Përveç punës si kuratore e Galerisë së Arteve ne Tetovë, një pjese e kohës shkon për interier dizajnin, familjen, shoqërinë dhe pjesa tjetër duke pikturuar dhe duke më kapluar mesnata e shpeshherë mëngjesi.

Diçka që të ka ngelur peng nga 2019 dhe do ta realizosh patjetër në vitin që po vjen?
Pengje ka njeriu, por besoj se do t’i realizoj. (qesh)

Sa përfshihesh në atmosferën e festave?
Përfshihem në atmosferën festive. Është emocionuese për këdo kam përshtypjen. Në njëfarë mënyre festat e fundvitit nuk duken edhe aq magjike, pa dëborë në dimër, por me pjesën e organizimeve të ndryshme përfshihesh në frymën e festave.

Një urim për të gjithë ata që janë artdashësit tuaj.
Shpresoj që nuk do ndalem në këtë udhë të artit tim. Do të vijnë vepra shumë të mira e mjaft të bukura për të gjithë artdashësit e mi. Faleminderit për suportin tuaj “Gazeta Shqiptare!”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.