OPINION

Marrëveshja për kodin elektoral në buzë-greminën nga kaluam

07:45 - 24.01.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rruga jonë drejt integrimit mund të jetë e vështirë dhe e largët, po aq sa e shpejtë dhe e afërt, varet nga reformat dhe shpejtësia e tyre. Ky është mesazhi që Perëndimi i ka dhënë Shqipërisë dhe nën prizmin e këtij mesazhi duhet të përthyhen të gjitha veprimet dhe këndvështrimet në lidhje me agjendën politike, civile e pse jo edhe intelektuale. Në këtë gjendje që ndodhet sistemi vend i Shqipërisë, për qarkun e shoqërisë civile dhe inetelektualëve, detyra parësore është të ngrihet mbi politikën dhe agjendën e saj, e të lërë mënjanë edhe ndonjë mosmarrëveshje ideologjike për hir të prioritetit madhor integrimit. E kjo nuk do të thotë të lëshosh në parimet e demokracisë, por në taktikën që duhet ndjekur për të arritur fryte të dukshme në përmirësimin e ambientit të saj.




Nëse do t’i caktonim me radhë të gjitha këto parime si kornizë dhe brenda tyre do të vendosnim marrëveshjen më të fundit të politikës për organizimin e një këshilli politik për reformën zgjedhore, atëherë piktura që do të përftohej do të qe ajo e mirëpritura, e duhura. Mund të diskutohet gjatë për interpretimin e një pikture, secili ka këndvështrimin e vet subjektiv, ka shijet e tij mbi ngjyrat dhe kombinimet e tyre. E rëndësishme është që ngjyrat të përdoren me mjeshtëri dhe diçka e tillë nuk do vetëm zotësi, por do edhe mend. E që kjo të arrihet, duhet të mblidhet si një mendje e vetme i gjithë sistemi ynë vend e të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të prioriteteve tona stad pas stadi. Në momentin kur ndodhemi, një stad goxha ambicioz do të qe pikërisht realizimi i reformës zgjedhore.

E që të jesh në një mendje për këtë reformë, nuk do të thotë aspak që të biesh dakord në të gjitha pikat, as në të gjitha këndvështrimet. Përkundrazi, i gjithë procesi duhet të zhvillohet siç zhvillohet procesi i një mendjeje që do të arrijë patjetër një qëllim dhe për të arritur këtë gjë dyshon, provon, arsyeton alternativat, skenarët, e madje dhe provokon për të gjetur rrugën më të mirë dhe më të drejtë që e shpie kah qëllimit. Vetëm nëse do të niset nga këto premisa për kornizë dhe si mendje e ndarë për të pasur një produkt pozitiv, kjo reformë do të ketë sukses.

Kur thamë duhet të jemi të gjithë në një mendje, nuk anashkaluam aspak ndjenjat, opinionet apo strategjitë e ndryshme që ka çdo kamp politik. Ato duhet të kenë rrjedhën e tyre, janë taktika të politikës që mjaftojnë të mbeten vetëm të tilla e të mos ndikojnë përmbajtjen, që është agjenda integruese e Shqipërisë. Nëse shikohen si një kontur i kësaj pikture ato do të jenë të dobishme, e përkundrazi si një ambient gjallërues e pse jo dhe ndikues pozitivisht në një përfundim sa më të drejtë dhe efikas për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Në të kundërt, nëse mendohet si tërheqje e opozitës, si marrëveshje e heshtur apo e fshehtë, duke u tjerrë dhe debatuar nga shumë analistë, do të shfokusojnë idenë nënë dhe do të shpien ujë në mullirin e zhbërjes së një shansi real të Shqipërisë për përshpejtimin e reformave të integrimit.

Po njëlloj, shpërqendrues dhe jo produktiv është për opozitën, edhe mos-shoqërizimi politik dhe institucional, i të gjitha mundësive që mund të ofrojë vetë mazhoranca ose ndikimi i fortë i ndërkombëtarëve, për disa nga stadet më të rëndësishme të axhendës së integrimit. Lufta për pushtet nuk mund të kalojë nëpër mohimin e mekanizmave të pushtetit dhe institucioneve të demokracisë. Kjo u provua njëherë e përgjithmonë dhe duhet të jetë busull për çdo veprim politik që i shkon përshtat rrugës së integrimit. Madje, do të donim të shkonim edhe më tej. Gjithçka që ndodhi, ishte një buzë-gremine për demokracinë tonë, por s’duhet të harrojmë asnjëherë që gremina është po aty. Nëse vazhdojmë t’i gërshetojmë edhe përpjekjet institucionale dhe ato popullore, shëndeti i demokracisë do të rritet. Kësaj pikture disa-ngjyrash politike që po krijon ky këshill politik i reformës zgjedhore, nuk ka asnjë arsye të mos i shtohen edhe piktura të tjera bashkëpunimi. Shteti dhe administrate shqiptare ka nevojë për pika referuese gjithëpërfshirëse në mjaft element të drejtimit të saj. Ka nevojë të vendosë nëpër mure harta të marrëveshura drejtimesh e parimesh kah integrimit, jo kah luftës për pushtet. Është koha që të mbizotërojë kjo logjikë, edhe pse mund të anatemohet si kompromis. Është koha më e mirë të mbillet pema e sintezës së të gjitha kontributeve, pavarësisht se mund të parathuhet se në Shqipërinë e aq shumë konflikteve, toka është djerrë që ajo të mbijë e të lidhë fryte. Forca madhore e integrimit do të dijë si ta lërojë këtë tokë, po njëlloj si dhe ndërgjegjen e politikanëve dhe udhëheqësve të partive tona. Duke pasur këtë shpresë si armë, nuk mundet asnjë njeri që e do vërtet Shqipërinë,  të mos besojë se diçka ka filluar të ndryshojë. Projekte të tjera bashkëpunimi për tema dhe fokuse të mirë-përcaktuara dhe parësore duhet të vijojnë, pa rënë edhe njëherë në përsëritjen e praktikave të mëparshme bashkë-qeverisëse, që nuk kanë rezultuar aq efikase. Ulja në tryezë për një produkt nuk përjashton përplasjen, qoftë edhe në rrugë për parime dhe tema të tjera të demokracisë apo axhedës së kampeve politike. Përkundrazi, e gjitha kjo duhet të kthehet në një rutinë pastruese dhe katarsuese për të gjithë veprimtarinë e ardhshme të politikës shqiptare, përndryshe ajo do ta ketë gjithmonë, si një imazh të tmerrshëm përpara syve, buzë-greminën që Shqipëria kaloi gjatë gjithë vitit që shkoi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.