KULTURË

Problemet e shqipes, akademitë mbledhin Këshillin Ndërakademik

10:37 - 31.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Katër vite pas pushimit të mbledhjeve të rregullta, pritet të rinisë punën Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe. Këshilli mbledh gjuhëtarë me status akademik nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut për të folur mbi përdorimin dhe keqpërdorimin e shqipes standarde, ligjërimit publik dhe dokumenteve zyrtare e njëherësh për të këshilluar institucionet shkollore e administrative.
Punimet e këshillit patën pushuar pas reformës së tejzgjatur të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por rinisja e punimeve është propozuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Mehmet Kraja. Ai tha se qëllimi kryesor është rregullimi shkencor e ligjor i përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare. “Një numër i anëtarëve të këshillit nuk jetojnë më. Do plotësojmë vendet e tyre dhe do të rindërtohet. Këshilli do të përbëhet nga 7 gjuhëtarë nga Shqipëria, 7 nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut. Do të rivihet në punë dhe do të plotësojë rregulloren e punës. Janë shtatë nga Kosova shtatë nga Shqipëria dhe një nga Maqedonia, të tjerat janë çështjet e gjuhëtarëve se kush do ta përfaqësojë”, tha Kraja.




Për studiuesin Shaban Sinani, këshilli nënkupton kujdesin për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare. “Zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me funksionimin e shqipes si gjuhë zyrtare, duke konsideruar si trashëgimi të rëndësishme të gjithë dialektet e shqipes. Dialektet janë pasuri, bëhet fjalë për një rregullim të asaj pjese të gjuhës shqipe që shërbehet për folësit dhe përdoruesit e shqipes në publik”, tha ai, duke nënvizuar se kjo bëhet duke tejkaluar kompleksin e opozicionalizmin mes shqipes letrare e jo letrare, asaj dialektore sepse të dyja kanë vendin e vet. “Janë pjesë e gjuhës së gjallë bëhet fjalë për rregullimin e asaj pjese të gjuhës që është për përdorim në publik”, – sqaroi ai.
Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe do të riformojë veten me anëtarë dhe më pas me hartimin e rregullores. “Ethem Lika, Aljula Jubani dhe Seit Masaku do hartojnë një rregullore mbi të cilën do punojë Këshilli Ndërakdemik. Do ketë përfaqësues nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga arbëreshët”, sqaroi Sinani.

MARRËVESHJA
Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) nënshkruan në Tiranë, protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021. Ky protokoll mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim. Më kryesoret prej tyre janë: ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare; botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia). Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe.
Kreu i Akademisë së Kosovës tha se me rëndësi është edhe botimi i vendimeve të marra që nga 2004 nga ky këshill, të cilat kanë mbetur të arkivuara. “Jemi marrë vesh që t’i botojmë ato vendime që janë marrë ndër vite. Nuk janë botuar deri tani vendimet e procesverbalet”, theksoi Kraja. Ndërsa kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, tha se nuk do të mungojnë edhe botimet e përbashkëta në fushën e albanologjisë, si dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe.
“Është angazhimi i të dy akademive për të drejtuar procesin sepse nuk jemi direkt hartuesit. Akademia jonë dhe ajo e Kosovës nuk ka institucione në varësinë e vet”, pohoi Gjinushi.

ÇFARË ËSHTË KËSHILLI
Me nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tetor 2004 është ngritur Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që funksionon si një forum shkencor kombëtar ndërakademik, i cili bashkërendon dhe orienton përpjekjet institucionale për mbrojtjen, zhvillimin dhe pasurimin e shqipes standarde, si mjet modern i komunikimit e i realizimit të jetës shtetërore, kulturore e shoqërore në hapësirën kombëtare. Këshilli përbëhet nga gjuhëtarë të njohur, specialistë në fushën përkatëse. Sekretar Shkencor i Këshillit ka qenë prof. Emil Lafe. Këshilli mblidhej periodikisht, shqyrtonte çështje sipas një programi, duke ngarkuar dhe komisione a grupe pune me specialistë të profilizuar për të studiuar e paraqitur probleme të fushave të veçanta, propozime dhe zgjidhje të argumentuara, të mbështetura në rezultate të kërkimit shkencor. Por, këshilli nuk ka kompetenca për të ndryshuar Drejtshkrimin e miratuar me Kongresin e vitit 1972.
Ndër mbledhjet e fundit nën drejtimin e akademikëve Jani Thomai e Rexhep Ismajli (bashkëkryetarë) dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit: akademikët Kolec Topalli e Gjovalin Shkurtaj dhe profesorët Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Shezai Rrokaj, Shefkije Islamaj, Enver Hysa, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi, Bardh Rugova e Rrahman Paçarizi, qenë diskutuar çështje të sintaksës në shqipen standarde dhe Shqipja standarde dhe shkolla.
U theksuan si dukuri negative: shmangiet e shpeshta nga norma në përdorimin e gjuhës së shkruar e të folur nga nxënësit, varfëria e të shprehurit të nxënësve, në të shkruar e në të folur, varfëria në zotërimin e pasurisë semantike të fjalëve, varfëria në njohjen e përdorimin e strukturave gramatikore-sintaksore e të mjeteve stilistike etj. Këshilli nuk pajtohet me rrudhjen e mësimit të gjuhës në ciklin nëntëvjeçar dhe sidomos me shtrirjen e kufizuar të lëndës së gjuhës në shkollë të mesme në raport me letërsinë. Gjithashtu, këshilli diskutoi për nivelin e ulët të përgatitjes së mësuesve të gjuhës e të edukatorëve, për përgatitjen e tyre të dobët në fakultetet e mësuesisë, për kualifikimin informal të mësuesve të gjuhës, për mosvështrimin e gjuhës shqipe si lëndë me rëndësi kombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.