MILOSAO

Omer Kaleshi, fruta dhe erotikë

11:00 - 02.02.20 Gazeta Shqiptare

Nga Luan Rama (Paris) – Eshtë një kavalet i rëndë prej druri të vjetër blerë nga Omeri mbi një gjysmë shekulli më parë, mbi të cilën ai vendos telajon e bardhë e ku paleta është thjeshtë një telajo tjetër, e vogël, ku ai ngjiz ngjyrat dhe që më vonë do shërbejë si telajo për një pikturë tjetër. Pikërisht mbi të ai ngjiz bojrat dhe në telajon përballë, me spatulën e tij, përmes të kuqes, të zezës, jeshiles, okrës, etj., ai nis të krijojë konturet e veprës së ardhëshme, ashtu ngadalë, pa u nxituar, me ritmin e jetës së tij, ku spatul pas spatule krijohet imazhi, vepra. Tani është një mollë aty ku më parë, mbi kavalet, kishte qenë një bari apo një dervish, një vajzë apo një portret fëmije. E kështu molla nis të “piqet” në telajon e bardhë të piktorit. Dora e tij kthehet në një dorë të natyrës për ti dhënë ngjyrën e duhur, linjat e për ta kthyer në një vepër frutore.
Omer Kaleshi nuk është vetëm piktori i «dramës ballkanike”, apo i “kokave” («portreteve”) siç i quan ai, i dervishëve apo barinjve të Ballkanit, por ai është gjithashtu dhe piktor i tablove «nature morte», atyre telajove që i parapëlqen t’i pikturojë në kohë të paqta, kohë prehjeje, si për të gjetur frymëmarrje pas një pune të tensionuar, të lodhshme e të shqetësuar nga ethet e krijimit. Kur mendon mbi pikturën e tij ciklike, kur pikas se ai ndryshon gjithnjë tematikën e tij, ashtu si sezonet, edhe pse e ruan të njëjtin stil e frymë estetike, rikthimi i tij në «nature morte» mbart në vetvete një ndjesi ngazëlluese, çka e veçon atë nga risia e tij pikturale që prej 50 vjetësh. Mollë, dardha, ftonj, fruta të natyrës së gjallë, edhe pse i quajmë «nature morte». Një ditë, duke biseduar rreth kësaj lloj pikture, Omeri më tregonte: – „Mbaj mend veten apo fëmijët e tjerë të fshatit ngarkuar me shporta me fruta që vraponim të shkonim në stacionin e trenit për t’ua shitur udhëtarëve që ndalonin për pak çaste. Fëmijë ngarkuar shporta me dardha, mollë, manaferra… Treni që vinte nga larg, duke fërshëllyer e shfryrë avull plot zhurmë e zbriste zbriste deri aty në Serbicë për të sjellë postën dhe për t’u furnizuar me ujë. – Erdhi posta! – bërtisnim ne, kur shihnim trenin me katër-pesë vagona të zinj që afrohej drejt fshatit…”



 

Nature morte» është nga pikturimet më të vjetra të njeriut, siç e shohim në faqet shkëmbore të shpellave të njerëzve të parë e veçanërisht në Antikitet. Zbulimet e vona në rrënojat e Pompeut antik mbuluar dikur nga lava dhe hiri vullkanik, na rishfaqin imazhe të mrekullueshme të frutave të epokës antike, mollë, dardha, rrush, ftonj, nëpër shporta e tavolina, shporta me fiq pikturuar me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, me një poetikë e realizëm që vështirë ta arrish sot.
Janë afreske në vilat romane, në dhomat e mëdha aristokratike dhe sallonet e guvernatorëve, vepra të autorëve anonimë, emrat e të cilëve kanë humbur tashmë. Gjatë Mesjetës së hershme, Kisha e pengoi këtë lloj pikture duke i shtyrë artistët (le t’i hedhim një sy rrymave pikturale bizantine apo të «quatro cento» dhe «cinque cento») për t’iu përkushtuar veçse temave biblike. Por nga shekujt XVI e këndej, kur Vasari, ky piktor dhe historian i artit shkroi për piktorin Giovanni da Udine, duke përdorur termin «cose naturali» (për «nature morte»), kjo lloj pikture do të merrte zhvillim, sidomos në shkollat pikturale të veriut europian e veçanërisht në pikturën flamande e hollandeze me autorë të njohur si Sniyders, Jean De Heem, Der Meer, etj., por dhe ndër piktorët italianë, spanjollë. Më 1650, flamandët i quanin këto lloj tablosh «stilleven», ku nënkuptoheshin «disa fruta, peshq, lule, etj.», ndërsa gjermanët i quajtën «stilleben», ndryshe nga fjala anglezët «still-life», pra «një jetë e heshtur apo e palëvizur». Duke shkruar për Sallonin e Pikturës në shekullin e XVII Diderot përdori fjalët «natures innanimés», dhe termi «nature morte» filloi të përdorej gjerësisht nga francezët e pastaj nga gjithë bota. Por vallë këto tablo „pa jetë”, „inanimées” ishin vallë të tilla? A mund të kishin dhe ato shpirt si portretet njerëzorë?

Por le të kthehemi te tablotë e Omerit, të këtij piktori sa tradicional aq dhe modern, sa ballkanik aq dhe europian e universal, për të parë nga afër se ç’përfaqëson për të kjo lloj pikture, ç’vend zë ajo në krijimtarinë e tij, pse ky angazhim i herëpashershëm dhe përse ka filluar kjo aventurë pikturale. Mund të themi se «nature morte» janë nga tablotë e para të Omerit, i cili vazhdonte studimet në Akademinë e Arteve në Stamboll, ku kishte emigruar familja e tij shqiptare. Në një ekspozitë të madhe në Stamboll studenti Kaleshi paraqiti tablonë e tij «Delja e therrur». Kur kërkova ta shikoja fotografinë e kësaj tabloje të hershme, Omeri më tha se mjerisht nga ajo tablo ruante veçse një fotografi bardh e zi, pa ngjyra dhe se ishte e pamundur ta shikoja, meqë ajo pikturë ishte shitur që atëherë, blerë nga Muzeu i Pikturës dhe i Skulpturës së Stambollit. Pra nga tabloja kishte mbetur veç një foto e zbehtë, të cilën sa e pashë, mendova menjëherë për tablonë «Kau i therrur» të anglezit të famshëm Francis Becon, imazh i ngjashëm i piktururar gjithashtu në tablonë e piktorit Sutine, mikut të Modigliani-t në Paris. Duke biseduar rreth saj me Omerin, ai më foli dhe për një tablo të Goya-s mbi një copë mishi, siç i shohim në vitrinat e kasapëve në qytet. Në fakt, nga Francisco Goya më kishte bërë përshtypje një tablo e tij ku ishin veçse tri pjesë të prera të peshkut somon, ku mjeshtri i madh u kishte dhënë një shkëlqim të bukur me të kuqen e tij origjinale. Ja pra, dhe mjeshtrit më të mëdhenj të pikturës botërore, nga figurat historike dhe oborret mbretërore të përkushtuar gjithashtu ndaj figurave dhe ngjarjeve tronditëse, nuk munguan t’i drejtohen dhe tablove «nature morte» apo «inannimées» siç mund t’i quante Diderot. Krahas Rembrandit, Omeri pëlqen në veçanti dhe të përngjashmin e tij, Karavaxhion (Caravaggio) dhe duke biseduar me të ndodh ndodh që të flasim gjithashtu dhe për tablotë e tij „nature morte”, për „shportat me fruta”, frutat mbi tavolinë apo së bashku me portretet e tij të mrekullueshme, „djemtë” e tij rrethuar nga frutat. Çdo piktor ka frutat e tij të parapëlqyera: Francisco Zurbaran kishte ftonjtë dhe limonat ku e verdha e tyre kontrastonte aq bukur me sfondet e zeza, Cezanne kishte mollët e mrekullueshme të tij vendosur mbi tavolina dhe napa që vezullojnë, Manet po ashtu me mollët e dardhat, etj. Duke i hedhur një vështrim tërë krijimtarisë pikturale të Omerit në këtë fushë, shohim se tablotë e tij mund të grupohen në «fruta të vetmuara», «fruta dhe erotizëm», «fruta dhe koka» si dhe «shporta dhe fruta».

Fruta të vetmuara
Ashtu si «kokat» (portretet) e Omerit, të cilat qëndrojnë të veçuara nga trupi, në ajër, në hapësirën e telajos, në mbretërinë e të kuqes, të ngjyrës së zezë apo të së bardhës, ashtu qëndrojnë edhe frutat që ai ka pikturuar që në vitet ‘70-‘80, në sfonde uniformë, ndryshe nga mjeshtrit e shkollës flamande, frutat e të cilëve janë gjithnjë të shoqëruara, pra të vendosura në një tavolinë ku ka herë një shportë, e herë një kanë uji, një objekt kuzhine, etj. Këto objekte mungojnë tek Omeri, po kështu dhe sfondi ambiental, përveç shportës në disa raste, e cila është nga objektet personale të Omerit që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, nga mjedisi familjar i fëmijërisë në Serbicë e më pas, deri sot, aq sa shpesh, edhe «kokat» e tij janë në shporta, shtyrë nga dëshira ndoshta, siç janë dhe frutat, pra koka dhe fruta në shporta, një simbiozë e natyrshme dhe e bukur. Duke i vendosur kështu, duket se artisti kërkon të tërheqë vemendjen vetëm mbi atë objekt: një mollë, një dardhë, një ftua… Dhe variacionet e frutave në fakt, tek ai janë të pakta: ai nuk pikturon rrush, fiq, shegë, shalqinj apo pjepra, nuk pikturon vazo me lule, siç pikturonin Cezanne, Van Gogh (Luledielli – Les Torunesols)), apo shumë më parë se ata, Pieter Brueghel (i Vjetri). Pra shija e tij shkon gjithnjë në drejtim të këtyre lloj frutash, çka na përqas gjithashtu dhe frutat e famshme të Edouard Manet, autorit të tablosë së njohur të epokës impresioniste «Drekë mbi bar», me „ftonjtë” e mrekullueshëm të tij, një ndjesi e veçantë kjo që duket se është fiksuar në memorien vizuale të Omerit. Dhe kjo në fakt ka ndodhur në adoleshencën e tij, kur siç më ka treguar Omeri, fëmijët e fshatit dilnin tu shisnin kalimtarëve frutat e kopshteve të tyre. Interesante janë seria e frutave që ai ka pikturuar në mesin e viteve 1980 si tablotë “Fruta I” e në vazhdim. Në tablonë «Fruta XI» e vitit 1985, në format të madh 92x 73cm, ngjyra dominuese është ajo e jeshile e ndarë me sfondin bardh e zi si një suport poshtë tablosë. Molla është vendosur pikërisht në këtë ndarje ku një vijë e bardhë përvijon deri në cepin anësor të tablosë. Por nuk është vetëm një mollë: janë dhe dy të tjera. Njëra disi e dukshme, po në tone jeshile, tjetra vetëm sa është skicuar në një lloj siluete, një variacion i çuditshëm i frutit nga pamja reale në një siluetë. Interesant është tabloja tjetër «Fruta VIII» në format më të vogël, 27x19cm e vitit 1987. Por ashtu si piktorë të tjerë, nganjëherë Omeri përdor si dekor dhe ndonjë enë të karakterit rustik, siç përdornin shpesh piktorët flamandë, përgjithësisht enë druri që fshatarët shqiptarë i gdhendnin vetë. E tillë është një tablo e vitit 2004 (por edhe shumë të tjera, një risi e dukshme kjo) si, «Tre mollë» me format të vogël 33x41cm. Shumë e bukur është dhe tabloja e vitit 1987, një mollë e pjekur në format 33x21cm në një sfond të zi dhe bazament të kuq. Një tjetër e ngjashme është ajo e vitit 1991, një mollë me format 24x16cm apo «Dy dardha» e vitit 1993, kësaj rradhe të vendosura mbi një enë me trajse të hapur.

Vështroj tablonë «Dardhë» e vitit 1987 dhe ndjesia e parë është se përse dardha zë gati gjithë formatin e tablosë. Një pyetje e natyrshme çka në vështrim të parë të duket disi e veçantë, një tendencë novatore, por duke e vështruar gjatë e kupton se piktori na e ka afruar për ta parë më nga afër si në një «plan detaj» kinematografik të llojit të regjisorit Ejzenshtein, për tu ndalur më mirë në të, për ta ndjerë më të afërt formën, ngjyrën, spatulën që ka kaluar mbi kanavacë gjer në formimin apo rikrijimin e dardhës. Vendosja e dardhës në një plan kaq të afërt dhe të madh është dhe në një tablo tjetër me një sfond të zi dhe të kuq ku shikon vetëm dardhën dhe ku e kuqja dhe e zeza nuk ndahen në një linjë të drejtë siç ndodh në disa tablo të tjera të Omerit, por në një linjë të thyer, si duket nga hija që krijon një burim drite nga e djathta.

Fruta dhe erotizëm
Në fillim, ishte një dardhë erotike që më befasoi. Një finesë e jashtëzakonshme në ato tone ngjyrash ku mbizotëronte një jeshile e lehtë si dhe tone të verdha. Por aty nuk ishte thjesht një dardhë, por vetë trupi femëror, një «femër-dardhë» me linjat e saj trupore, me vithet erotike të një trupi që qëndronte ndenjur, ashtu siç qëndrojnë modelet nudo kur i shohim nga pas, apo siç qëndronin disi figurat nudo të Henri Ingres të tablove të tij me hamamët turk. E kështu, pas një dardhe, një mollë erotike, dhe një tjetër, e kështu me rradhë. Një ditë, kur shkova në atelieri ngacmuar nga risia e tij, i çova një dardhë të çuditshme, një «trup femëror» ku kishte një asosiacion të seksit femëror, krijuar nga vetë natyra. Thjesht një përqasje e rastit, por kur e pa atë dardhë që i zgjata, Omeri qeshi dhe e la mënjanë. E kuptova menjëherë sepse Omeri nuk përdor kurrë një model… asnjë model njeriu nuk ka hyrë në atelierin e tij. Gjithçka është imagjinatë, përfytyrim, një botë e dyzuar nga ajo reale me atë imagjinare, por në këtë të dytën, artisti ka lirinë ti ikë realitetit, ta transformojë, ti japë formën që do, atë që ka të ndërgjegjshme dhe të subkoshiencës. Kaluan ditë dhe dy javë më vonë në atelierin e tij ai më dhuroi po një dardhë, por në një tablo, një «dardhë-femër» e parë nga pas, me vithet ulur në një lloj çanaku prej druri, një objekt fshataresk. Sigurisht, më lumturoi. E gjitha ishte në një sfond me një të kuqe të ndezur.

Frutat erotike të Omerit duket se nuk janë të qëllimshme, si ti ketë vënë detyrën vetes se duhet të bëjë një frut erotik. Ato rishfaqen kur duan ato, jo me urdhër të piktorit, por në një frymë mistike, enigmatike, të cilës artisti duket se i nënshtrohet. Kështu ka ndodhur dhe me tablo të tjera, veçanërisht mollë dhe dardha, një erotikë e dhuruar nga natyra dhe rikrijuar nga ai. Duke parë frutat e kësaj serie me simbolikën erotike, mund të mendosh gjithashtu për tablotë simbolike të Gustave Courbet, autorit të «Origjinës së Botës» siç e kanë quajtur kritikët e artit: janë ca guva të errta nga rrjedhin përrenj, ku kritikët kanë parë po ashtu seksin femëror. Dhe Omerit i pëlqeu ky erotizëm i përmbajtur, disi i fshehur.

Vështroj tablonë e një dardhe dhe imagjinoj gjendjen e piktorit para kavaletit në atelierin e tij. Kam përshtypjen se duke pikturuar atë dardhë me vithet nudo ku ai e ka dyzuar vështrimin me imazhin e një nudoje, një lloj dubël-imazhi. – Shumë vite më parë, – më tregonte dikur Omeri, – kam pikturuar shumë peshq dhe fruta. Dardha, mollë… madje disa prej tyre në një frymë erotike, si një dardhë që të sjell në kujtesë imazhin e shpinës dhe trupin nudo të një gruaje, një mollë që që të kujton forma të trupit njerëzor. Tek unë ndodh nganjëherë diçka e çuditëshme, madje që nuk arrij ta shpjegoj se përse ndodh kjo. Kur dua të bëj ndonjë portret dhe nuk bindem se është i arrirë, atëherë e kthej atë në frut…
A kanë frutat shpirt? Sigurisht kur ato janë në pemët e tyre, në gjendjen e tyre natyrore ato janë thjesht fruta prej të cilave ne ndjejmë aromat dhe jetën që gjallon brenda tyre. Por kur artisti i zhvendos ato nga natyra në kavalet, pra mbi telajo dhe u jep një tjetër jetë, padyshim që ai u jep shpirt, frymë përmes artit. Omeri u jep shpirt frutave të tij. Janë frutat e tij, krijuar nga ai me dashurinë, spatulën dhe shpirtin e tij ku shkrihen bashkë në një, shpirti i Omerit dhe ai i vetë krijimit, i ngjizjes në ngjyra e formë.
Fruta dhe koka
Jo rrallë Omeri i ka bashkuar kokat me frutat, njerëz dhe fruta, si duket një nevojë e çastit, por sigurisht, përsëri këtu kemi të bëjmë me një jehonë të imazheve të tij të adoleshencës: çobanë, baresha të vogla, vajza në moshën e dashurisë, barinj, të cilët rreth kokave të tyre kanë veçse fruta. Shumë prej tyre janë ekspozuar edhe në ekspozitat parisiane të piktorit. Janë tablo të cilat nuk hyjnë në kategorinë e «nature morte», që Omeri filloi t’i krijojë në vitet ‘70-‘80. Janë imazhe të fëmijëve që shisnin fruta në pazare e mjedise fshatare: çobanë me kosha dhe fruta vajza adoleshente me fytyrat ngjeshur pas frutave, gra me mollë e dardha në supe apo mbi gjokset e tyre, dervishë dhe fruta, koka rrethuar me fruta që shfaqen ndonjeherë në sfonde të errta. Ai i afron shumë ato, në pozicione jo reale por që të krijojnë përshtypjen se dhe frutat janë personazhe, “portrete”.Një simbiozë e çuditshme kokash dhe frutash, ku në një mënyrë konvencionale, ai na jep imazhe mjaft të ndjera, poetike dhe ngazëlluese. Të gjitha kokat janë të gëzuara, sikur frutat tu jepnin një lloj jete të gëzuar, fllade, ngjyra të përkryera.

Fruta dhe shporta
Herë-herë Omeri i vendos frutat në shporta, siç ka bërë më parë në një seri të plotë me kokat. I ka vendosur ashtu siç i kanë vendosur ato dhe Charles Dufresne, i famshëm për frutat e tij, Jean-Simon Chardin, një nga autorët më të njohur francezë të «nature morte», të cilin Omeri e vlerëson në veçanti apo Zurbaran i shekullit XVII e veçanërisht Paul Cezanne i fillimit të shekullit XX me mollët dhe frutat e tij të mrekullueshme. Shporta si detaj apo suport është një nga elementet e shpeshtë në pikturën e Omerit, pasi për të ajo është diçka autoktone, familjare, me to është rritur e madje, edhe sot, në atelierin e tij, në një oxhak të krijuar nga vete ai, ka një shportë, si dhe një tjetër në cep të atelierit. Këtë element e shohim dhe në një seri të gjatë të viteve 2000, «Shporta dhe kokë», të cilat u ekspozuan dhe në Parisin XIII në Place d’Italie, në sallonet e Bashkisë së Parisit XIII. E ndoshta kjo seri lindi pikërisht pasi Omeri kishte pikturuar tërë këto tablo të serisë «shporta me fruta». Sidoqoftë këto tablo të Omerit, këto «nature morte» janë një prehje e vërtetë në pikturën e tij, një gëzim njerëzor, ngjyra dhe linja që i tejkalojnë kufijtë e imazheve realiste të frutikulturës dhe që përbëjnë vlera të vërteta arti, tepër origjinale në morinë e madhe të piktorëve të botës, të pasionuar për një temë të tillë.

Që nga frutat e tij të para e deri më sot ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli dhe Omer Kaleshi na befason gjithnjë me paletën e tij. Eshtë e habitshme sesi me spatulën e tij ai kalon nga piktura dramatike e tronditëse në frutin erotik, si rikthehet nga ngjyrat e forta dhe të errta si në “pituras nera” të Gojës, në ato të gëzueshme të një Cezanne apo Manet, me një lloj ngazëllimi të dukshëm. Më shumë se njëqind tablo të kësaj teme, përgjithësisht të formateve të vogla dhe të mesme, krijojnë një univers të bukur, tepër origjinal, një shpërthim pranveror në kodrinat e botës apo një galaksi frutore të shpërndarë në muzeume, galeri, koleksione private e ndër miq, para të cilave ke dëshirë të qëndrosh gjatë dhe të vështrosh atë poetikë ku është ngjizur sublimja e artit dhe natyrës. Ato fruta nuk ke dëshirë ti hash por veç ti kundrosh dhe të dehesh me natyrën…

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.