BLUETOOTH

Arlind Sulejmani: Si arrita të shndërrohem në kampion bote larg vendit tim

12:00 - 08.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E ka nisur mbarë karrierën pasi deri më tani nuk njeh humbje, djaloshi nga Tetova që jeton në Vjenë të Austrisë, vjen në një rrëfim, ku tregon se ka mbyllur edhe vitin që shkoi me sukses pasi në fundvit pati ndeshjen e fundit kundër një boksieri ukrainas, ku përmbylli ndeshjen me fitore. Arlind Sulejmani thotë se është i ri në këtë sport dhe se ka shumë për të dhënë… Një boksier shumë profesionist shqiptar nga Tetova, djaloshi në boksin e rëndë, siç thotë dhe vetë ai. Ndonëse shumë i ri, deri më tani ka arritur shumë suksese. Veten e sheh një ditë kampion bote në boksin profesionist. Ndryshe Arlindi është dhe nip shqiptarë pasi dajallarët i ka nga Durrësi e këtu në këtë intervistë ai tregon shumë gjëra për veten.




U bënë disa vite që merresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?
Më motivon fakti që jam i shëndoshë dhe kam shumë për të treguar, që deri më tani nuk më është dhënë rasti.

E ke pasur problem fillimin, baticat zbaticat, përkrahja nga dikush?
Fillimi si çdo fillim ka qenë shumë i rëndë, po sikur ta dija në atë kohë çfarë rruge i futem dhe sa përkushtim kërkon arritja deri këtu, do pyeteshim se a do e kisha nisur këtë rrugë dhe tani kur po shikoj mbrapa, më duket e pabesueshme se çfarë kam kaluar. Ka pasur raste ku kam arritur shumë për kohë të shkurtër dhe pak për kohë të gjatë, po rregulla s’ka pas, obligimi im ka qenë dhe është të jem në përgatitje dhe i gatshëm për çdo ekipi kundërshtarë t’i shfaqen në përballje. Përkrahja është një nga faktorët më të rëndësishëm të suksesit në këtë drejtim, sa jam i përkrahur aq është dhe suksesi im, prandaj si nga fansat, sponsorët, mediat dhe shumë faktorë tjerë kanë një ndikim shumë të madh në karrierën time. Personat nga të cilët jam i mbështetur nga dita e parë dhe deri sot janë prindërit dhe trajneri.

Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë a e ke?
Po, çdo njeri, qoftë sportist, biznesmen apo artist dhe ka një sukses të arritur me punë dhe dije e adhuroj.

Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?
Për mua është aktualisht Canelo Alvarez sportisti më i suksesshëm në boksin profesionist dhe është i ngjitur në maja.

arlind6 arlind3 arlind2 arlind4
<
>

Cilat janë planet që ke planifikuar këtë vit?
Për 2019-ës e kam mbyllur me shumë sukses dhe në fundvit me fitore, për këtë vit janë vetëm plane e të shohim si do shkojnë…

Po çfarë mendon të arrish në karrierë, cilat janë synimet?
Shumë e thjeshtë, atë titull që kam WBO Kampion Bote në moshat e reja, vetëm të ia shkurtoj moshat e reja dhe të mbetet WBO Kampion Bote. Dhe të arrij një palestër me 5.000 klientë.

Sa ndeshje ke pasur deri më tani, në sa ke dalë fitues e sa humbës?
Deri më tani kam të shënuara 17 ndeshje pa disfatë dhe pa barazim.

A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa, apo të bën më të fortë?
Varet nga rasti, por në të shumtën e rasteve mendoj që të bën më të fortë.

Arlind, fitoret në boks për ju tashmë janë bërë rutinë. Duket se nuk po njeh kundërshtar para vetes…
Kundërshtar njoh dhe kam respekt për çdo njeri që futet në ring dhe e shikoj sikur me qenë kampion i botës, secila ndeshje vjen rëndë e më rëndë dhe e kam parasysh ku do has edhe me boksier që kushton edhe sekonda, kështu që jam i përgatitur edhe më tepër.

Çfarë i duhet një boksieri për të pasur sukses?
Suksesi varet nga shumë faktorë. Unë do cek disa që janë për mua të rëndësishëm, qëllimi, puna e përditshme, jo jetë të natës, disiplinë në çdo vend si në familje, shkollë, punë, rrugë, shoqëri, dorëzimit ti thuhet jo, nëse fillon një punë duhet të shkohet deri në fund.

Me cilën nofkë njihesh?
Nuk kam ndonjë nofkë të veçantë përpos emrit tim.
Ke pasur ndonjë rast, qoftë si fëmijë, kur je frikësuar nga gjarpri?
Rast nuk kam pasur, por e di që është e vetmja qenie që kam fiksim të jashtëzakonshëm.

Meqë përmende fëmijërinë, në cilin vit keni migruar në Austri?
Nga viti 2012.

Kush ju shtyu të merreni me boks?
Iniciatori kryesor ka qenë trajneri im, Zheljko Vojnoviç, që kemi filluar bashkë në vitin 2012 e deri më sot.

A ishte e vështirë përshtatja juaj në Austri dhe në shoqërinë atje?
Adaptimi në këtë rreth ka qenë i vështirë, se është sikur një ujk i Sharrit të emigrojë në oqeanin Atlantik ku është -30 gradë. Ai ose do të ndërrojë qimen dhe do i përkushtohet asaj temperature, ose nuk do jetojë më. E njëjtë është edhe me ne njerëzit.

Në Maqedoni tashmë ke përkrahjen e të gjithëve, por në Austri?
Falënderoj Zotin dhe njerëzit për këtë që jam, por me këtë nuk jam i kënaqur akoma pres më shumë mbështetje në të ardhmen.

Mendoni se jeni shembull i integrimit në Austri, apo si një “ambasador” i shqiptarëve në këtë shtet?
Mendoj që jam shembull dhe motivim për shumë shqiptarë të tjerë të emigruar në Austri dhe që planifikojnë të vijnë. Unë punoj në këtë drejtim në kohën private për ndihmën e shqiptarëve për leje qëndrimi dhe të drejtat e tyre. Në këtë drejtim kam ndihmën edhe e ambasadave, asaj shqiptare dhe të Maqedonisë.

Në fillimet tuaja a e keni ndier veten ndonjëherë të diskriminuar se jeni shqiptar?
Jam krenar dhe në çdo rast që më jepet mundësia them që jam shqiptar dhe bëhem krenar.

Llogaritesh si boksieri që ka grushtin më të rëndë në botë. E ke përdorur ndonjëherë edhe jashtë lojës?
Po, ka ndodhur këtë vit një rast i tillë ku u sulmova nga pesë persona dhe u dash të përdor për mbrojtje edhe grupin, tim duke u larguar kështu nga vendngjarja pa u lënduar aspak.

Kam dëgjuar se thonë se je krejtësisht tjetër në jetën e përditshme. I qetë dhe mjaft i shoqëruar, apo…?
Siç e keni dëgjuar, është e vërtetë ngaqë boksi me jetën e përditshme nuk ka të bëjë, përkundrazi boksi është një sport dhe pas çdo sportisti qëndron pas një punë e madhe dhe me shumë djersë. Kështu që çdo njeri që e merr emrin sportist, duhet të jetë edhe në jetën e përditshme i pastër dhe plot energji pozitive.
Me kë e ke ëndërr të boksosh dhe cili është synimi juaj? A mund të na japësh një premtim, brenda sa kohësh do të shohim si kampion bote?
Me Canelo Alvarez ose Gennedy Golovkin dhe shpresoj së shpejti në vitet në vazhdim edhe mund të realizohet, synimi im të bëhem kampion bote shqiptarë në boksin profesionist, në 5 vitet e ardhshme besoj në një ndeshje të tillë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.