Kulturë

“23 monumente të dëmtuara rëndë, kostoja mbi 5 milionë euro”

11:00 - 12.02.20 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli  – Nga 260 monumente kulture të inspektuara pas tërmetit, prej të cilave 111 objekte në zonën më të prekur nga tërmeti, është arritur në përfundimin se 23 monumente janë në rrezikshmëri të lartë (të papërdorshme Grada III); 30 monumente janë dëmtuar pjesërisht dhe janë pjesërisht të papërdorshme (Grada II) ndërsa 48 monumente nuk paraqesin ndonjë rrezik. Ka qenë ministrja e Kulturës Elva Margariti që ka paraqitur dje në Komisionin e Medias në Kuvend rezultatin e inspektimeve në monumentet e kulturës dhe objekteve në varësi të kësaj ministrie. “Në total, vlera e përllogaritur e efektit të tërmetit (humbje dhe dëm) në trashëgimi kulturore është 707.58 milionë lekë ose 5.75 milionë euro”,-thuhet në relacionin e bërë publik nga Margariti.
Këta dy muaj janë bërë rilevime, studime e hartime projektesh të vënies në siguri për zonat që paraqesin rrezikshmëri. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka hartuar raportin gjeologjik për qëndrueshmërinë e terrenit shkëmbor poshtë Kullës së Sahatit të Krujës ndërsa IKTK ka hartuar projektet e stabilizimit emergjent për Kullën e Sahatit Prezë, Kullën e Vrojtimit Krujë, Teqen e Dollmës Krujë, Muret perimetrale të kalasë së Prezës dhe Krujës, Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve të cilat janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM).
“Të gjitha janë të kthyeshme e të rikuperueshme, e se sa kjo do të quhet origjinale… Rikthimi në një monument, është koncept i dyanshëm. Sepse ne vërtetë i kthejmë komunitetit rikonfigurimin vizual të një monumenti, por ka ndërhyrje në brendi e me përforcime dhe teknika që nuk ekzistonin në kohën kur është ndërtuar”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti.



CHËB në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ka hartuar projektin për stabilizim emergjent në kalanë e Durrësit (Kulla C) dhe vetë Instituti është duke hartuar projektet e restaurimit të një sërë objektesh të klasifikuara nga inspektimet si Grada II-pjesërisht të përdorshëm dhe Grada III-risk i lartë. Tashmë janë hedhur në hartën (mapping) në formatin GIS monumentet e inspektuara për zonat më të prekura.

MASAT
Margariti u shpreh se Ministria e Kulturës u angazhua maksimalisht, jo vetëm menjëherë pas tërmetit dhe vijon ende rikuperimin e dëmeve.
“Ministria e Kulturës nëpërmjet Komisionit të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, koordinoi menjëherë punën për inspektimin urgjent të gjendjes në terren. Grupet teknike u angazhuan që nga ora 04:30 e datës 26 nëntor 2019 e në ditët në vijim, për të raportuar në kohë reale situatën dhe për vlerësimin e gjendjes së objekteve me status monumente kulture, qofshin këto banesa fortifikime, objekte kulti, vepra inxhinierike etj., si dhe koleksioneve në të gjithë vendin”, thotë raporti që paraqiti ajo dje në Kuvend.
Në zonën e prekur nga fatkeqësia (qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës) ka gjithsej 54.298 objekte të luajtshme, nga të cilat 32,368 objekte të ndodhen në muze dhe depo që administrohen nga Ministria e Kulturës.
“Për objektet që kanë paraqitur problematika të konsiderueshme (dhe që janë të banuara ose ambiente të vizituara), grupet teknike kanë bashkëpunuar me Institutin e Ndërtimit, Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, Bashkitë respektive etj. Gjatë kësaj periudhe u evidentua se kapacitetet njerëzore të institucioneve të sistemit të trashëgimisë kulturore, janë efektive dhe mbulojnë problematikat e detektimit, njoftimit, gatishmërisë në terren në kohë reale, bashkëpunojnë me grupet operacionale të emergjencave civile në menaxhimin e rasteve të emergjencës”, thuhet në raport. Këto institucione kanë në organikë specialistë për marrjen e masave emergjente përforcuese dhe sinjalizuese në rastet e fatkeqësive, por këto kapacitete duhen fuqizuar për mbulimin e zonave rurale dhe atyre të thella. Gjithsesi në shumicën e institucioneve të trashëgimisë paraqiten një sërë nevojash që kërkojnë mbështetje me burime financiare dhe materiale (pajisje, mjete, transport etj.)

MBYLLJA E MUZEVE DHE
SITEVE ME VIZITORË
Nga ana e Ministrisë së Kulturës u morën masat e menjëhershme për informimin e komunitetit për zonat që paraqesin rrezikshmëri, u vendosën perimetrat e sigurisë si dhe u ndalua kalimi i këmbësorëve dhe automjeteve pranë zonave dhe objekteve të rrezikuara, si në rastin e Kalasë së Krujës, Kalasë së Prezës dhe Kullës C në Kalanë e Durrësit, Muzeut Historik Kombëtar etj.
Drejtoritë Rajonale kanë vënë tabela parandaluese në monumentet që paraqesin rrezikshmëri për kalimtarët. Në vijim të rrezikut potencial për shkëputjen e masivit shkëmbor poshtë Kullës së Sahatit në Kalanë e Krujës, nga ana e IKTK-së i iu kërkua Bashkisë Krujë të marrë masat për evakuimin e të gjithë banorëve dhe bizneseve që ndodhen në zonën e rrezikuar deri në raportimin më të detajuar të situatës nga ana e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe nga forcat e xhenjos së ushtrisë.
Ditët pas tërmetit, Ministria e Kulturës urdhëroi të gjithë muzetë dhe sitet me vizitorë të qëndronin të mbyllura për vizitorët deri në marrjen e akt konstatimit nga Instituti i Ndërtimit (IN) që objekti nuk paraqiste rrezikshmëri. Megjithëkëtë, puna e stafit të këtyre muzeve nuk u ndërpre dhe ata qenë në gatishmëri. Pas marrjes të akt konstatimeve muzetë dhe sitet që nuk paraqisnin rrezikshmëri vijuan punën, ndërsa dy Muzetë – ai Historik Kombëtar dhe Shtëpia me Gjethe, u mbyllën deri në përpilimin e akteve të ekspertizës së detajuara apo marrjen e masave për riparime / restaurime. Tanimë, të dyja këto institucione janë hapur për publikun.

DËMET NË MONUMENTE
Po ato ditë, u bë puntelimi (vënia e skelave mbajtësve) si edhe çmontimi apo riparimi për ato zona që paraqisnin rrezikshmëri. Ndërhyrje të menjëhershme paraprake pati për çatinë e kishës në kepin e Rodonit dhe po ashtu u bë puntelimi(vënia e skelave mbajtëse) në kullën verilindore në Kalanë e Prezës, si dhe çmontim pjesor të disa prej strukturave të rrezikuara për rënie në murin e Kalasë së Krujës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dërgoi specialiste që bënë grumbullimin e pjesëve të rëna të afreskut në Teqenë e Dollmës (për rikuperim në kushte laboratorike) me qëllim pastrimin e terrenit të brendshëm për puntelimin e strukturës dhe pjesët e afreskut janë kataloguar dhe dërguar në laboratorin e IKTK.
Në objektin e Teatrit të Kukullave më 27 nëntor 2019, u bë çmontimi i oxhakëve në çatinë e teatrit, të cilët ishin dëmtuar dhe rrezikonin shembjen. Dy ditë më pas, në Fakultetin e Gjeologji Miniera u morën masat për çmontimin e ballkonit, i cili rrezikonte shembjen.
Drejtoria Kulturore e Beratit mori masa për çmontimin e tavanit të dëmtuar (që rrezikon shembjen) në Banesën e familjes Kondakçiu, monument kulture kategori e dytë.

RAPORTI I DETAJUAR
Ministria e Kulturës u përfaqësua nëpërmjet IKTK–së në përgatitjen e raportit të detajuar në kuadër të PDNA (Post disaster need assessment), e cila u koordinua nga grupi i Komitetit ndërministror për emergjencat civile, me sekretariat nga Kryeministria. Në raport u përfshinë dhe nevojat dhe vlerësimi në trashëgimi kulturore. Raporti përfundimtar për dëmin dhe nevojat kombëtare u hartua në bashkëpunim nga të gjithë sektorët dhe nën koordinimin e institucioneve ndërkombëtare si UN, UNDP, World Bank, EU, UNICEF, UNESCO etj.
Në këtë proces IKTK është në koordinim të vazhdueshëm me organizatat ndërkombëtare që kanë programe për planifikimin dhe përballimin e riskut në trashëgimi kulturore si UNESCO, ICOMOS dhe IÇROM. Në koordinim me këto organizata IKTK organizoi punën teknike në përputhje me standardet ndërkombëtare për vlerësimin e dëmit dhe masat emergjente për stabilizimin strukturor.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.