OPINION

Mini-shengeni ballkanik dhe makro-shengeni shqiptar

07:38 - 12.02.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje në konferencën e shtypit të dy kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë, të dy u duk se kishin mendime të ndryshme kur përmendën njëri procesin e mini-shengenit ballkanik dhe tjetri makro-shengenin shqiptar. Në fakt, të dyja proceset çojnë ujë në mullirin e përbashkët me interes madhor për të dyja vendet tona, në atë të integrimit evropian. Nuk ka asnjë dallim apo, për më tepër, mosdakordësi. Mirëpo realiteti i marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë është i ftohtë dhe nuk pranon entuziazëm, por vetëm marrje përgjegjësish për sa shumë raste janë humbur. Nga të 77 marrëveshjet e derisotme të nënshkruara me qeverinë e Kosovës që nga viti 2007 i krijimit të shtetit të Kosovës, një pjesë e mirë (21 të tilla) janë dakordësime në fushën e shkëmbimeve ekonomike mes të dyja vendeve. Mirëpo me gjithë deklaratat e bujshme dhe zemërdhënëse, e vërteta e procedurave dhe pengesave burokratike dhe doganore me Kosovën është shumë e trishtë. Edhe për një kamionçinë të ngarkuar me fruta e perime në vlerën 1 mijë euro, tregtari apo sipërmarrësi i Shqipërisë apo Kosovës duhet të paguajë 250 euro taksa e pagesa të tjera të detyrueshme. Vetë praktika e derisotme e regjimeve të ngurta doganore të të dyja vendeve tona i detyron pronarët e kamionçinave të bëhen kontrabandistë me zor, nëse duan të bëjnë tregti! Sipas një studimi të ndërmarrë nga Qendra e Eksporteve e Shqipërisë, tarifat doganore dhe pengesat burokratike në pikat e kalimit kufitar janë arsyet e mosrritjes në nivelin e pritshëm të tregtisë mes dy vendeve. Qendra gjeti se për të eksportuar mallra nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, praktika kushton minimalisht 250 euro.




Edhe kalimi i një ngarkese të thjeshtë malli kërkon tarifa të shërbimeve doganore që kapin vlerën e afro 250 euro, për secilin kalim. Këtu përfshihen deklaratat doganore, certifikatat, analizat e mallit, kosto e skanerit për Shqipërinë, kosto e parkingut doganor në Kosovë, por edhe në Shqipëri, si dhe taksa e Rrugës së Kombit. Qendra e Eksporteve e Shqipërisë propozon edhe zgjidhjen e këtij ngërçi, një program kompjuterik që duhet të zbatohet nga të dyja administratat doganore, i cili kushton vetëm 50 mijë euro. Ai regjistron momentin kur biznesi në Shqipëri, për shembull biznesi i vogël i fruta-perimeve, ngarkon kamionin ose kamionçinën e vet për të eksportuar drejt Kosovës. Ai automatikisht pret faturën ku shënon NIPT-in e sipërmarrjes Kosovë që pret mallin. Programi realizon transmetimin online të faturës së regjistruar në Kosovë. Dhe kësisoj e dërgon informacionin drejtpërsëdrejti në Drejtorinë e Tatimeve të Kosovës. Dogana ka nevojë për një lexues vetëm për bizneset, që të lexojë bar-kodin e faturës për llogari të sipërmarrjes pritëse të mallit në Kosovë, si dhe anasjelltas në Shqipëri. Kështu biznesi nga të dyja anët e kufirit nuk detyrohet më të paguajë 35 euro për deklaratën doganore, 10 euro për parking doganor në Shqipëri, 40 euro për parkim doganor në Kosovë, si dhe shumë taksa e kosto të tjera. Dhe mbi të gjitha, nuk humbet kohë, orë të tëra pritjeje sa të marrë dokumentet e kërkuara. Kaq e thjeshtë është dhe ka 14 vite që nuk zbatohet!

Këto pengesa burokratike dhe pagesa të kripura doganore e kanë lënë potencialin e rritjes me herë të marrëdhënieve ekonomike mes të dyja vendeve tona thjesht potencial. Duke përjashtuar biznesin e vogël dhe të mesëm, që e kanë detyruar të bëhet kontrabandist me zor. Ndërkohe nuk kemi ditur as të përfitojmë nga tregu  i lënë bosh nga Serbia, pasi Kosova vuri taksë 100 për qind për produktet e saj në nëntor 2018. Janë 13 muaj shanse të humbura për ekonominë tonë dhe për forcimin e intensifikimin e raporteve tona ekonomike mes dy vendeve-vëllezër. Në dhjetë muajt e parë janar-tetor 2019, për shembull, eksportet tona drejt Kosovës janë rritur me vetëm 13 për qind, ndërkohë që në vitet pa taksën 100 për qind ndaj Serbisë, vitet 2017 dhe 2018, eksportet tona u rriten spontanisht me 30 dhe 27 për qind! Ritme të tilla njohën eksportet e Maqedonisë së Veriut në Kosovë vetëm në vitin e taksës, në vitin 2019. Pavarësisht nismave nga të dy qeveritë tona në vitet e fundit, si sporteli i përbashkët në doganën e Morinës, apo zyra doganore e Kosovës në Portin e Durrësit, etj., si dhe marrëveshjeve të shumta të nënshkruara, kostot dhe burokracitë doganore qëndrojnë si Shpata e Damokleut mbi të ardhmen e marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike, duke zbehur çdo nismë e lëvizje në nivel politik.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.