DOSSIER

“Si tentuan të vrisnin në atentat Mehdi bej Frashërin

11:22 - 14.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mehdi bej Frashërit një prej politikanëve dhe diplomatëve më të famshëm të historisë së Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të kaluara, i cili për 15 vjet përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve dhe para se të kthehej në atdheun e tij, për vite me radhë kishte shërbyer si nënprefekt i Thrakisë dhe Guvernator i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës. E gjithë historia dhe karriera politike e Mehdi beut që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-ën, e deri në largimin e tij nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla të nipit të tij, Tefik Çelo, i biri i Sheriarit, vajzës që i mbeti në Shqipëri dhe që bashkë me familjen e saj, e kaloi të gjithë jetën në internim në fshatrat e Myzeqesë, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte degdisur të gjitha familjet dhe pasardhësit e atyre që i konsideronte si “familje reaksionare” apo “armiq të popullit”!




Gjatë viteve 1943-’44, që gjyshi im Mehdi bej Frashëri ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ai banonte në një shtëpi së bashku me familjen e Koço Dilos tek Rruga e Dibrës, të cilën ua kishin marrë me qira familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij, e cila pas viteve ’90-të për shumë kohë ka qenë rezidenca e ambasadës ruse, Mehdi beu ua kishte lëshuar një përfaqësie gjermane, me qiranë e së cilës ai përballonte jetesën e familjes. Në ditët e para të nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, gjyshi Mehdi bej Frashëri mori bashkëshorten e tij Nejre (Biçaku) dhe bashkë me tre fëmijët: Vehbiun, Medihanë e Ragipin, u nisën në drejtim të Shkodrës dhe u larguan nga Shqipëria për në Itali. Në atë kohë këtu në Shqipëri, Mehdi Beut i ngeli vetëm vajza e tij e madhe, Shehriari, që është nëna ime”. Kështu e kujtonte Tefik Çelo, djali i së bijës së Mehdi bej Frashërit, largimin e gjyshit të tij nga Shqipëria, i cili dëshmonte dhe gjithë historinë e familjes prej nga ai rridhte dhe gjyshit të tij, Mehdi beut, që është konsideruar si një prej personaliteteve të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Kush është Mehdi Bej Frashëri dhe cila është origjina e familjes së tij, një nga me aristokratët e Shqipërisë së asaj kohe? Ku u shkollua ai dhe përse Porta e Lartë në Stamboll e emëroi si Guvernator të Palestinës dhe nënkomisar të saj në Misir të Egjiptit? Kur u kthye ai në Shqipëri dhe si e filloi karrierën e tij politike Mehdi Frashëri, duke u zgjedhur Prefekt, Deputet, Ministër, Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, Kryeministër dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës? Si u largua ai nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 dhe si jetoi në Romë së bashku me familjen e tij? Cilat ishin marrëdhëniet shoqërore të Mehdi Bej Frashërit dhe familjes së tij me familjen e Mbretit Zog dhe të tjerave familje të njohura shqiptare që ishin në emigracion e korrespodenca që ai mbajti me ta? Cila është veprimtaria studimore e Mehdi bej Frashërit me 600 artikujt publicistikë dhe librat e botuar? Si e përballoi jetesën familja e Mehdi Beut gjatë viteve që qëndroi në emigracion në Romë dhe përse ai dhe tre fëmijët e tij sa ishin gjallë nuk pranuan që të merrnin nënshtetësinë italiane? Si i kaloi ai vitet e pleqërisë deri sa vdiq në moshën 91 vjeçare në vitin 1963 dhe kush ishin personalitetet e diasporës shqiptare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Romë që morën pjesë në varrimin e tij? Lidhur me këto e të tjera fakte e ngjarje nga jeta e Mehdi bej Frashërit dhe e familjes së ti, bëhen të ditura nga nëpërmjet dëshmive që na ka dhënë nipi i tij, Tefik Çelo vite më parë, si dhe dokumenteve të shumta që ai dispononte dhe kishte mundur të ruante gjatë viteve të gjata të internimit.

IMG-20200211-WA0003 IMG-20200210-WA0000 IMG-20200210-WA0006 IMG-20200210-WA0014 IMG-20200210-WA0015
<
>

Kush ishte Mehdi Frashëri?

Sipas dëshmive të Tefik Çelos, Mehdi Frashëri u lind në fshatin Frashër të Përmetit më 28 shkurt të vitit 1872. Familja Frashëri nga e cila rridhte dhe Mehdiu ishte një familje fisnike bejlerësh dhe një nga më të dëgjuara në Jugun e Shqipërisë. Të parët e asaj familje kanë qenë të njohur si feudalë të mëdhenj dhe pronat e tyre shtriheshin deri në malin e Tomorit. Pas disa konflikteve të karakterit politik që ajo familje pati me Portën e Lartë në Stamboll, ata u internuan familjarisht në Turqi. Në atë kohë që ndodhi internimi i familjes nga fshati Frashër për në Turqi, Mehdiu ishte nxënës në shkollën e mesme të qytetit të Manastirit, (Bitola) të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1894. Pas mbarimit të kësaj shkolle Mehdiu fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur mësimet në Universitetin e Stambollit për Shkencat Politike dhe Ekonomike ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1898. Duke u nisur nga rezultatet e larta që ai arriti në ato degë, qeveria turke e ftoi të punonte në administratën e saj dhe ai u emërua si N/Prefekt i Thrakisë e më pas i Maqedonisë e Sanxhakut, të cilat asokohe ishin nën sundimin otoman. Në funksionin e N/Prefektit të këtyre krahinave, Mehdi Frashëri shërbeu deri në vitin 1911, kur u emërua Guvernator i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës. Pas një viti ai u transferua përsëri me detyrën e nënkomisarit të Turqisë në Misir të Egjiptit. Në shtatorin e atij viti ashtu si shumë patriotë shqiptarë që asokohe punonin në administratën e lartë osmane, edhe Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe shpalljen e Pavarësisë.

Përfaqësues i qeverisë shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit

Në vitin 1912 ai u caktua përfaqësues i qeverisë shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë dhe disa vite më vonë, në 1919-ën ai u caktua në postin e ministrit të Brendshëm dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Mehdi bej Frashëri dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921 ku ai u zgjodh deputet, të cilat nga qarqet e huaja diplomatike u konsideruan zgjedhje të lira e demokratike. Në atë kohë ai u morr shumë dhe me problemet ekonomike të vendit dhe me iniciativën e tij personale bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë që ishin duke u hedhur themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Mehdi beu kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e Reformës Agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtëra, Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës.

Në 1929-ën në postin e kryetarit të Këshillit të Shtetit

Në vitin 1929 ai u zgjodh në postin e kryetarit të Këshillit të Shtetit dhe disa vjet më vonë në 1935-ën, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Caktimi i tij në atë detyrë u bë nga ana e Mbretit Zog me qëllim që të kalonte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi. Ardhja e Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit nga shumë intelektualë të njohur si p.sh. Padër Gjergj Fishta etj., të cilët e konsideruan atë si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës. Më 6 prill të vitit 1939, kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Mehdi Bej Frashëri, i cili në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog që e kishte mikun më të ngushtë dhe i kërkoi atij që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italianëve duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Mehdi Bej Frashëri shkoi dhe mori një takim me Ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë, duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë qeverisë së tij, që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë qeverive përkatëse me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërmerrte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mburritën në Portin e Durrësit, Mehdi bej Frashëri shkoi vetë në Radio-Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar, duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundra pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi i cili u ndoq me interes të madh nëpërmjet nga mijëra qytetarëve, Mehdi beu duke folur në emër të popullit shqiptar, e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidenta”.

Internimi në Itali pas fjalimit në Radio Tiranë më 7 prill ’39

Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës, Mehdi beu nuk u largua nga Shqipëria ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi të qëndronte në krye të detyrës së tij deri në minutën e fundit dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik. Më pas autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali, duke e mbyllur në kampet e përqendrimit ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Në 1943-in kur kapitulloi Italia fashiste dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa personalitete të politikës shqiptare të asaj kohe, si: Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj., gjatë bisedimeve që patën me përfaqësuesin fuqiplotë të Hitlerit në Ballkan (Nojenbauer), i kërkuan atij që të ndërhynte pranë qeverisë së tij, që Mehdi bej Frashëri i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin në Tiranë dhe ai së bashku me Lef Nosin, Patër Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si personat polikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës. Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Mehdi Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944 kur erdhën në pushtet komunistët me në krye Enver Hoxhën. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara në viteve e Monarkisë së Zogut, Mehdi bej Frashëri kishte banuar në Tiranë në një shtëpi tek Rruga e Dibrës, të cilën ua kishte marrë me qira familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij (vila afër RTSH-së ku prej shumë vitesh ka qenë rezidenca e ambasadës Ruse), ai e kishte lëshuar me qira për të përballuar jetesën e familjes.

Largimi i Mehdi beut nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës me familjen e tij

Në fillimin e nëntorit të vitit 1944, kur forcat partizane të Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, Mehdi Frashëri së bashku me gruan e tij Nejre (Biçaku) dhe tre fëmijët Vehbiun, Medihan dhe Ragipin, u largua nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendos në Itali, e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate. Në Itali, Mehdi Beu me familjen e tij përfituan statusin e azilantit politikë dhe kur mbërritën në Romë u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piaca “Rexhina Margarita”. Në atë periudhë Mehdi Bej Frashëri ishte në një moshë të thyer (75 vjeç) dhe nuk preferoi të vazhdonte më politikën, por iu përkushtua vetëm veprimtarisë studimore, duke hartuar një libër me titull “Historia e Shqipërisë” i cili i mbeti në dorëshkrim, pasi nuk arriti që ta botonte dot. Gjatë gjithë karrierës së tij politike, Mehdi Frashëri arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme, si dhe disa libra si “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës”, “Tirana Kryeqytet i Shqipërisë” etj. Mehdi Bej Frashëri ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë, në 25 maj të vitit 1963, kur ishte 91 vjeç, dhe në varrimin e tij ku fjalën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali.

Familja e Mehdi Bej Frashërit, bashkëshortja dhe fëmijët

Nipi i tij, Tefik Çelo, (djali i vajzës, Shehriarit, i vetmi trashëgimtar i mbetur gjallë nga pasardhësit e tij deri pas viteve ’90-të), kujtonte: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Frashëri kishte lindur në fshatin Frashër të Përmetit (në 1872), ai nuk ka pasur në Shqipëri asnjë njeri tjetër të familjes apo nga farefisi, sepse familja e tij u shpërngul për në Turqi aty nga vitet e fundit të shekullit të XIX-të dhe të gjithë pjesëtarët e saj mbetën atje me përjashtim të Mehdiut, i cili u kthye në 1911-ën së bashku me shumë patriotë të tjerë shqiptarë që erdhën në kuadrin e Shpalljes së Pavarësisë. Familja e gjyshit tim nuk kishte asnjë lidhje farefisnore me familjen e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, ose më saktë duhet të kenë pasur një lidhje gjaku shumë të largët. Gjyshi, Mehdiu, që kur shërbente në administratën e lartë otomone, aty nga viti 1903 u martua me Nejre Biçakun, e cila (dt. 25 maj 1886), ishte një vajzë e re dhe rridhte po nga një derë fisnike bejlerësh të Elbasanit, nga Aqif Pashë Elbasani dhe Ahmet Zogun e kishte kushëri të parë (djalë daje). Nga kjo martesë, Mehdiut e Nejres, iu lindën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. I pari i fëmijëve ishte Vehbiu (1906) e dyta nëna ime Sheriari (1907) e treta Medihaja (1911) i dhe i katërti Ragipi (1913). Ashtu siç ishte dhe tradita e familjes, gjyshi Mehdi beu u kujdes që t’i shkollonte të gjithë fëmijët e tij në shkollat dhe universitetet e Europës. Kështu djali i madh Vehbiu u diplomua në Gjermani në një shkollë Tregtare, kurse Ragipi u shkollua në Itali duke u diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, si dhe në Akademinë Ushtarake në Torino. Po kështu edhe Medihaja ishte diplomuar në një Universitet të Gjermanisë, kurse nëna ime Shehriari, nuk i kishte kryer studimet e larta, por kishte mbaruar shkollën amerikane të Dakos në Kamëz”, dëshmonte Tefik Çelo, mbi përbërjen e familjes së nënës së tij, që ishte vajza e parë e Mehdi Bej Frashërit.

Pozita shoqërore politike e familjes Frashëri

Cila ishte pozita shoqërore dhe politike e familjes së Mehdi Frashërit që nga koha e Monarkisë e më pas gjatë periudhës së pushtimit fashist? Lidhur me këtë, nipi i tij, Tefik Çelo dëshmonte: “Që nga viti 1911 kur gjyshi Mehdi beu së bashku me gjyshen Nejre, dhe tre fëmijët që u kishin lindur atje, erdhën nga Turqia në Shqipëri dhe u vendosën në Tiranë duke banuar në shtëpi të ndryshme si qeraxhinj. Nga fundi i viteve 1920, Mehdi beu filloi të ndërtonte shtëpinë e tij, (afër Radio Televizionit Shqiptar) e cila pas viteve ’90-të shërbeu për shumë kohë si rezidenca e Ambasadës Ruse. Për ndërtimin e asaj shtëpie Mehdi beu shfrytëzoi tokën që iu dha nga shteti (me vendim qeverie në periudhën e Monarkisë), ashtu si shumë funksionarë të tjerë të lartë deputetë e politikanë të cilët i blenë ato troje për të ndërtuar banesat e tyre. Për ndërtimin e asaj shtëpie përveç kursimeve nga të ardhurat që kishte si deputet, Ministër e Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ai u ndihmua edhe nga familja e tij që ishte në Turqi, ashtu dhe nga ajo e gjyshes, (Biçaku) që po ashtu ishte familje e pasur. Gjatë viteve që Mehdi beu qëndroi në Gjeneve të Zvicrës, si përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve, ai e linte me qira atë shtëpi me qëllim që të përballonte jetesën e familjes dhe fëmijëve të cilët shkolloheshin me pagesë në universitetet e Europës. Nga katër fëmijët e Mehdi Beut, vetëm nëna ime Shehriari u martua me Remzi Çelon, (babanë tim me origjinë nga Leskoviku), i cili në atë kohë punonte si sekretar i Legatës shqiptare në Selanik, kurse tre të tjerët: Vehbiu, Medihaja dhe Ragipi, kanë qenë beqarë e nuk u martuan asnjëherë. Daja i madh Vehbiu, pas shkollimit në Gjermani, u kthye në Tiranë dhe gjatë viteve të Monarkisë është marrë pothuaj vazhdimisht me tregti, dhe të ardhurat që nxirrte ishin baza kryesore që mbahej familja. Po kështu edhe Ragipi mbasi qëndroi për afro dhjetë vjet në Itali ku mbaroi dy fakultete, erdhi në Tiranë dhe pasi punoi për disa kohë në administratën shtetërore, më pas u largua që andej dhe doli si avokat. Në vitet e fundit të Monarkisë dhe gjatë periudhës së pushtimit, Ragipi punonte në një studio ligjore së bashku me avokatin Haki Karapici, të cilin e kishte ortak. Kurse halla Medihaja, ka qëndruar gjithmonë në shtëpi duke u marrë me punët e shtëpisë. Gjatë periudhës së pushtimit 1939-1944, daja i madh Vehbiu ka shërbyer disa kohë në postin e zv / ministrit të Jashtëm të Shqipërisë”, dëshmonte Tefik Çelo, lidhur me pozitën shoqërore dhe politike të familjes së gjyshit të tij, Mehdi bej Frashërit, gjatë kohës së Monarkisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.