KULTURË

Variacione mbi temën “Extra time”, udhëtim ferri për Pashkë

11:54 - 14.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arben Viktor Shala- Romani “Extra time (vetja jote e dytë)” me autor Durim Taçin asht nji lëshim i vetes, exit nga konvencionalja, shtegtim ndjellës i transhendentes, provokim i nënvetëdijes jo në një vijimësi (kronos), por në sekuenca jovijore pavarësisht gjatësisë (kairos). Extra time asht nji kohë plus, por edhe superiore në cilësi. Asht rasti i volitshëm. Në një të tillë, të shkruemit, të jetuemit dhe të përjetuemit janë nji, kështu ati e biri, po ashtu shkrimtari e lexuesi.
Duket sikur autori njëherësh shkruen, ndërsa merr ashensorin, se po merr ashensorin, e me radhë mandej rregullon ulësen e makinës, vendos adresën gabim në navigator. Duket sikur veprimi shkruhet, botohet e lexohet aty për aty. Nisja me njet për të shkrue sikur përfton automatikisht në dorën tonë librin që po përfundojmë së lexuemi.
Veta e dytë asht e rrallë për letërsinë shqipe. Edhe për komunikimin e zakonshëm gojor. Në këtë vetvetore të ngushtë, autori dhe lexuesi këmbehen pa kujtue. Ndërlexohen. Njohin ma tej vetveten. Do të takohesh me lexuesin e paslibrit qysh në mes të tij. Asht pjesë e familjes, nënvetëdijes së saj.
Autori nuk ka një lozhë të rezervueme, por asht aq rrethanor e i mesgjetun sa çuditesh. Konkretizohet skajshëm. Në ballon e madhe me maska, ai do të demaskojë vetvetet.
Del pa zhurmë nga koha e njerëzve të ngutshëm. Ngjarje të largëta të viteve të ndryshme të rrjedhin krejt lirshëm, sikurse kalimi nga njena te tjetra të ndodh aq natyrshëm, pa ndryshim toni, sinjalistike, grafike, stilistike. Edhe për kryeradhë pothuejse s’asht nevoja.
Nganjiherë rrëfimi sinkron duket sikur asht përpjekja e parë njerëzore për të sjellë ndodhi e përjetime që vijnë varg e vijë ndryshe nga zinxhiri i mavonshëm shkakësor. Sikur kronos nuk njihet ende.




Ndërkohë për mendimet e mendimeve nuk ke kuinta. Nuk ka lidhje me komoditetin.
Ka prani të beftë gjaku në bagazh. Asht festa e Pashkëve. Shkohet drejt Ferrit. Dhe nuk ka Pashkë pa gjak. Por as pa ringjallje. Të shtyn jeta, të shkruen vdekja, të kthen ringjallja.
Navigatori i kujtimeve të çon para e mbrapa në kohë. I beson nënvetëdijes, aq sa ia dorëzon timonin. Ajo do të dalë në dritën e pafrikë. Ti do të shkyçësh çdo kontroll, pothuejse.
Nisesh dhe rijeton e përshkruen ferrin familjar, zinë e të parëlindunit. Asht tregim i jetës tande, por biri do ta dominojë atë, para edhe mbas tij. Ai asht navigatori. Ju të dy do të keni të njëjtin versionin të kohës, të fundit.
Do të përshkosh ngjarje fëminie të hershme e djelmnie të mavonshme, mes fshatit e kryeqytetit, mes momenteve të ndryshme të karrierës, nga nji regjim në tjetrin, mes Shqipnisë, Italisë e Francës, dhe do të dëgjosh sa herë sirenën e ambulancës, si të një tingulli të pashmangshëm radiofonik që shërben tranzitin mes kantikëve në programin e jetës.

Zhytesh nëpër andrra të pasistemueme që vendosin vetë të andrrohen. Koha shtesë dominon kohën. Ke vendosë të shohësh e përjetosh shtesën përkundrejt 90 minutshit. Nëse dikush kërkon shpjegim, e adreson tek nënvetëdija. Ati, babai është ende rrugës, duke ardhur, mbase. Do ta mbash ndezë dritën e kujtimeve. Do ta shkarkosh deri në fund baterinë. Do të mjaftojë aq sa për t’i hapë derën ziles treshe dhe ringjalljes suej. “Unë dhe Ati jemi një”. Ata vetëm kur shohin birin, ashtu, thonë është i ati.
Ke përshtypjen se ai vrojton deri neuronet, sinapset dhe impulset e tua trunore, sikurse provon dhe shtratin e vet bosh. E ndërsa ai lehtësohet, ti randohesh. Asht njëkohësi. Në ekstra time shkoni në peshën e njeni-tjetrit.
Ai shtatë sekonda, ti shtatë ditë mbas shtatë vjetësh për shtatë libra – për të krye gjithçka. Aortë për aortë.
Ti ndjek një gjurmë. Shkruen dhe lexohesh. Lexojnë dhe shkruhen. Nënvetëdija, re e ulët e përbashkët, do t’i bashkojë të gjithë në nji. Ti je me atë. Ai të prin drejt vetes së tij – vetes tande të dytë.
Je i etun për veten e panjoftun. Vetë ideja të drithëron. Vdekjen e ke në xhep. Mosgjetjen, mostakimin. Por mbase… Dhe kjo do të energjizojë me (u) përshkue e me (u) përshkrue. Në fakt ia del, sepse arrin t’i thuesh Atisit edhe çfarë mendon se asht e randë për të (ajo asht martue, ka lindë shumë fëmijë). Dhe ti kujton se ai lëndohet! Atëherë ti i kontrollueshmi i përhershëm në të mirë e të keq, hovesh lotësh. E merr veten poshtë…
E takon. E takon aq sa ai të nxjerrë krye në jetën tande qysh pa lindë. Ai jeton në ty dhe ti rrëfen për dy. Mishnohesh në të e ai frymëtohet në ty.
Nuk do kursehesh. Do epesh, por pa za. Ferri i kujtesës dhe përjetimit do të përcillet thjeshtë. Udhëtim ferri, por jo gjamë. Zi e vdekjes, por ringjallje, madje qysh në emër, në mit e në të vërtetë. Tashti mund të pyetesh nëse e ke gjetë kund mitin tand.

Maraku zgjat kohën shtesë dhe arbitri nuk ka ndërmend fishkëllimën. Ti shkruen dhe e din. Andërron dhe e din. Dron mbi dron. Ti mbërrin vedin. E kalon. Ai me ju jeni tre. Ai herë asht 20, menjiherë nuk vonon të mbushë 2, kur fap shfaqet 22. Ka vend, ka hapsinë. Nuk ka si. Ka rrëfim katedralja jote laike.
Kur dikush të drejtohet me emën dhe me i dashur pa të njoftë, ti kthen kryet dhe diçka ndodh me kohën.
Je depërtue. E përjetshmja e ka birue të tashmen. Ka ba shpinë e vet në ty. Asnji moment i shkuem a i ardhshëm nuk ka lidhje me përjetësinë sa ky dhe pikërisht ky këtu, tashti.
E shkrove. Kishe një afat dhe ah sa do doje të ngadalësoje. Prandej dhe për incipitin, vonon deri në faqen 44.
Imagjinon fundin. Ferri yt, arë shkrumb në pranverë. Rrajë të vjetra, flokë të ri. Njëkohësi paralele, e vetmja përjetësi e tanishme. Apo jo, lexues – peng i dashtun, vetvete shtesë, i pranishëm ‘aksidental’ në kthesën “Schumacher”?

Një shënim mbi veprën

Ermira Alija, ka shkruar se ajo që provokon një vepër arti tek ne, ka gjithmonë doza individualiteti por nganjëherë këto kanë potencë të reflektohen tek ne si zbuluese, si shtyrëse të disa kufijve, si çliruese. Ky funksion që letërsia e fiton pa dashur, ka ngjallur shpesh polemikë, e si rrjedhojë është parë edhe në drita këndvështrimesh e emërtimesh të ndryshme. Sipas saj, kur lexojmë në romanin “Extra time”: Duart e saj rrëshqasin mbi trikon tënde golf … kalojnë orë e ju rrini të përqafuar…, të duket interesante që dikush po flet për një palë duar që po rrokin dikë e ky dikush je ti-ja që po tregon. Pyetja “kush je ti?”, që po flet për veten tënde, të shoqëron gjatë romanit si lexues dhe të bën të mendohesh, ndoshta edhe të rikthehesh për të rikuptuar dhe shijuar detaje. Shpesh duket se ti-ja që po tregon:… Mbërrin përpara kangjellës… ,është vetja e sipërme e rrëfyesit-personazh, ajo më e ftohta, ajo që nuk gënjehet: …Lëri sytë të shohin! Ndryshe lexon në celular e ndryshe shtyp me gishta. Sajesë e trurit tënd!…,ajo që flet hapur, që kujton, që përshkruan gjendjen: … Je shumë nervoz, që këshillon … Lexo atë që shikon! Nuk po përkthen këtu! etj. Edhe kur duket se ti-ja tregon gjëra që mund t’i tregonte një ai-rrëfyes, rrëfimi mbart shtresëzime funksionesh shtesë, sepse ti-ja jo vetëm përqendron veten e hutuar duke i rreshtuar asaj gjëra normale: … Nuk ke pse kthehesh edhe një herë tek kontaktorët…, por edhe i jep zemër, qoftë edhe duke e ironizuar: …Tani me ritmin e një balerini shkon e ndez të gjitha dritat që ka kjo banesë… Këto vetje nuk barazohen me dyzimin shpirt-trup, koshiencë-subkoshiencë; Dhe kjo si lexues na kujton diçka, që mua më vjen ndër mend shpesh. Konceptet abstrakte e dogmatizojnë realitetin e, në një farë mënyre, rrezikojnë ta burgosin. Është letërsia ajo që çliron. Dhe, në këtë roman e reja nuk qëndron thjesht në tregimin e vetës së dytë, por në bërjen objekt të një vëzhgimi të hollësishëm romanesk të vetjeve të njeriut, gjë që krijon mundësi për të realizuar një skaner artistiko-psikologjik të njeriut, përtej disa rezultantesh, bile përtej një realiteti: … fton lexuesin të ndjehet jashtë kohe, ose në kohën shtesë, ku individi nuk ka përse të jetë skllav i fuqisë së kohës kronologjike …


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.