OPINION

Reformat dhe për Brukselin, Parisin, Berlinin…

07:28 - 15.02.20 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kohët e fundit, veçanërisht pas mosçeljes së negociatave dhe publikimit të Metodologjisë së re të Zgjerimit Evropian, Kryeministri Rama ka deklaruar dhe për median e huaj se reformat nuk i bëjmë se thotë apo se e kërkon Brukseli Parisi, Berlini…. por për vehten tonë.  Padyshim që çdo reformë bëhet në radhë të parë për përparimin e vendit dhe të demokracisë, me vullnetin tonë të lirë; pa kurfarë diktati nga të huajt. E megjithatë, pohime të kësaj natyre nuk janë të plota dhe të sakta, madje  në praktikë mund të kenë efekte jo të mira. Pikë së pari,  ato nuk përputhen me frymën dhe realitetin historik të 30 viteve të fundit. Kur antarësimin në FMN, Bankën Botërore, OSBE, KiE, NATO dhe në BE  nuk na e kërkuan këto të fundit; madje, në fund të viteve 80, kur rregjimi monist ishte në grahmat e fundit dhe nuk dinte nga t’ia mbante dhe sepse “ nuk mbante më ujë pilafi”  nuk la gur pa lëvizur për t’u antarësuar në ato dhe të tjera organizata ndërkombëtare; edhe pse i kishte shpallurato  me kohë dhe në Kushtetutë si “ armiqtë më të mëdhej të  të socializmit”.




Ndërsa në Dhjetor 1990 ishin mijrat e studentëve  që vërshuan kudo me kushtrimin emblematik “ E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” Dhe kjo e fundit bashkë me SHBA-të iu përgjigjën thirjeve të fuqishme me entusiazëm,  natyrisht me  kushtet dhe rregullat e njohura përkatëse. Më vonë, ishim po ne  që kërkuam me zell Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, liberalizimin e vizave, hyrjen në NATO, statusin kandidat në BE dhe nga viti 2014 kur e fituam atë çeljen e negociatave me BE; tani me shpresën e madhe te Zagrebi, pas disa dështimeve, për fajin tonë, me mungesat dhe vonesat e panumurta.

Pastaj, vërtet “ reformat i bëjmë për vehte “ por ama jemi dhe ne vetë që vazhdojmë të kërkojmë me zë të lartë ndihmën dhe ndërhyrjen e jashtme, jo një, por shumë herë dhe në mënyrë ciklike; e jo vetëm pas fatkeqësive natyrore, përmbytjeve e tërmetit; por sepse dhe tani me 3 dekada demokraci,  jemi të parët për të prodhuar kriza dhe konflikte dhe të fundit në zgjidhjen e tyre. Mirëpo, veç vehtes sonë,  me këto kriza dhe reforma të mbetura në mes të rrugës, u kemi shkaktuar shumë “kokëçarje” dhe BE, SHBA-të dhe komunitetit ndërkombëtar.  Shihni, dhe tani së fundi, kur presim dritën jeshile për negociatat, institucionet tona me të larta drejtuese e kanë “ përmbytur” Komisionin e famshëm të Venecies me më shumë kërkesa se çdo vend tjetër për interpretim dekretesh, ligjesh, shkarkimesh, emërimesh dhe reformash të brendshme, ndonëse i bëjmë për vehten tonë!  Edhe reformën e  drejtësisë, atë zgjedhore për vehten tonë po i bëjmë, por jo pa ndihmën e domosdoshme përfshirë dhe fondet financiare në miliona nga BE, SHBA-të etj. Sidomos tani, dhe të duam, nuk kemi këllqe t’i bëjmë dhe zbatojmë dot vetë këto reforma, sepse kemi mbi dy vjet pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese,  me një parlament të cunguar e pa opozitën reale, ndonëse dhe për faj të saj, pushtet vendor monopartiak dhe plot mungesa të tjera që i bëjnë të pazbatueshme këto reforma pa ndihmën dhe mbikqyrjen e huaj.

Veç kësaj, pa ndihmën dhe konsulencën e huaj, këto reforma kanë të ngjarë të bëhen vetëm ose kryesisht sipas “ midesë dhe humorit” politik të brendshëm të çastit e nuk do të na shpinin gjëkundi; për shkak dhe të sëmundjes tonë të  vjetër epidemike të moszbatimit të reformave në praktikë me “ bishta dhe yçkëla” për të cilat politikanët tanë janë “mjeshtra“. Kur nuk na mungojnë as përvoja dhe as profesionistët; por këto të fundit sa herë që nuk u pëlqen politikanëve  nxirren “  jashtë loje” ose dhe me “karton të kuq”.

Faktor tjetër madhor për ndërhyjen e ndërkombëtarëve në reformat tona është mungesa e dukshme e besueshmërisë së tyre publike për shkak të  “zullumeve “ të shumta politike në 30 vitet e fundit. Këtë pabesueshmëri të  madhe,  me apo pa të drejtë, e sheh dhe te komunikimi publik i Kryeministrit me qytetarët në rrjetet sociale; madje tanimë kjo mungesë beueshmërie vërehet deri në një farë mase dhe ndaj ndërkombëtarëve; të cilët do thënë se janë të detyruar t’i shkojnë  qeverisë “ pas avazit” vetëm e vetëm që të realizohen këto reforma, duke qenë se dhe opozita nuk po e gjen ende vendin e vet.

Për pasojë, asnjë reformë nuk ka shans të zerë vend pa kaluar në filtrat e Brukselit, Uashingtonit, Parisit, Berlinit, etj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të ecim në një hap me ta dhe të ngushtojmë dallimet e mëdha në shumë fusha. Sepse kur bëhesh pjesë e një klubi, aq më tepër politik, dhe ekonomik duhet të “luash dhe sipas muzikës” e tyre; ndryshe u shton problemet që ata kanë vetë. Plus imazhi i vendit, sepse pas çdo ligji apo reforme që ndërmarrim, përpara se të na japin mbështetje dhe fonde, natyrshëm shtrohet pyetja “ Po Uashingtoni, Brukseli, Strasburgu, çmendojnë?” Po me  nëntë kushtet e Bundestagut a përputhen?

Gjithashtu, edhe reformat më të brendshme kërkojnë doemos afrimin dhe  unifikimin e ligjeve dhe praktikave tona me ato të BE-së, madje këto të fundit kanë përparësi mbi tonat. Ndaj, janë ngritur drejtori të posaçme të përafrimit të legjislacionit në çdo dikaster dhe agjenci dhe në Kuvend; ky i fundit, do thënë se e ka marrë shumë seriozisht dhe po bën një punë vërtet të kualifikuar dhe të lavdërueshme në këtë drejtim. Kësisoj,  ligjet dhe reformat tona pastrohen dhe pasurohen me elementë të dobishëm evropianë, dhe pse mbeten tonat.

Ja pse pohimet e tipit se reformat i bëjmë për vehte….. janë pa vend e të paplota; po, ato mund t’i referohen vetëm një vendi e sistemi  të mbyllur dhe të paintegruar, siç ishim përpara 30 vitesh. Me këtë rast sugjerojmë që qeveritarët tanë, duke filluar nga  Kryeministri  të tregojnë kujdes dhe etikë më të madhe në përdorimin e gjuhës politike, sidomos me pârtnerët tanë, sepse  “ gjuha kocka s’ka por kocka thyen”. Neve nuk na shkon  gjuha e drunjtë,  sulmuese dhe justifikuese, duke transferuar fajet dhe gjynahet te të tjerët; kështu, dhe Francën apo Holandën që e vonuan ama vetëm një vit çeljen e negociatave tona, t’i vlerësojmë  si vende miq që na janë ndodhur pranë kurdoherë dhe pa kushte gatë 30 viteve të fundit, ashtu sikurse dhe  vendet e tjera. Të mos luajmë as rolin e “viktimës” sepse janë politikat tona që na kanë vonuar  shumë më tepër se Brukseli, Parisi, Haga dhe të tjerë. As të mos na gënjejë mendja se jemi qendra e botës, as tani që kemi kryesimin vjetor të radhës të OSBE-në; vërtet ë arritje diplomatike por më e madhe është përgjegjësia për ta çuar në fund me sukses.

Kjo gjuhë e moderuar pozitive, afirmuese, me vështrim nga e ardhmja do përdorur dhe në rastin e tanishëm të metodologjisë së re të zgjerimit; me falenderime për Komisionin dhe për vendet antare, me qëndrim autokritik dhe mobilizues dhe me premtimin se do të bëjmë çmos për të justifikuar çeljen e negociatave. Sepse reformat dhe gjithçka tjetër lidhur me to i bëjmë vërtet  për vehten tonë, veçse detyrimisht me ndihmën, konsulencën dhe oponencën dashamirëse ndërkombëtare; vetëm kështu ato do  të mishërojnë frymën, gërmat dhe vlerat Euro-Atlantike dhe suksesi i tyre do të përshpejtojë antarësimin tonë në BE.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.